Gati 5 muaj pas nisjes së seancave praprake dosja ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit do të marrë përgjigjen për kalim ose jo për gjykim më 5 mars. Këtë të enjte u mbyll shqyrtimi gjyqësor pasi parashtruan mbrojtjen e tyre edhe Monika Kryemadhi e 3 të pandehurit e tjerë,  pasi Ilir Meta kishte përfunduar javën e kaluar.

Vendimi do të merret nga gjyqtarja e seancës paraprake Irena Gjoka. Në 6 orët e seancës të kësaj të enjteje Monika Kryemadhi kërkoi pushimin e çështjes ose në alternativë rikthimin e çështjes për hetim

Edhe Ilir Meta një seancë më parë, kërkoi pushimin e çështjes për pjesën e CEZ-DIA, dhe kthimin për plotësim aktesh për dy çështjet e tjera. Si avokati i ish Presidentit ashtu edhe ish bashkëshortja e tij thanë së në gjyq duhet të thirret edhe Edi Rama.

Madje Kryemadhi shtoi se në seancën e ardhshme do shfaqen edhe bisedat mes saj dhe Ramës.

Lidhur me gjykimin Fatime Kryemadhi, Piro Xhixho dhe Ema Çoku përmes avokatëve kërkuan pushimin e çështjes në ngarkim të tyre. Kjo e fundit kërkoi gjykim të shkurtuar.

Seancën e radhës në 5 mars gjyqtarja Irena Gjoka do të dëgjojë prapësimet e SPAK dhe do të tërhiqet për vendim.

SPAK mbylli hetimet për dosjen Meta-Kryemadhi më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit të vitit të kaluar, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion, pastrim parash e mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion, ndërsa Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku për pastrim parash. I vetmi që ndodhet në burg nga të 5 të pandehurit është Ilir Meta, i arrestuar tetorin e vitit 2024.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:09
‘Meta donte Blendi Klosin, unë Veliajn’, Kryemadhi: Do shohim mesazhet e mia me Edi Ramën në 2014

Ish-deputetja Monika Kryemadhi ka lënë ambientet e GJKKO ku u paraqit për seancën paraprake. Kryemadhi foli për mediat, nga ku mohoi sërish akuzat e ngritura ndaj saj nga Prokuroria e Posaçme.

Ajo u shpreh se në 240 faqe akuzë pjesa më e madhe janë fokusuar te ajo, dhe vetëm 35 faqe janë për ish-bashkëshortin e saj Ilir Meta.

Në 240 faqe akuzë që janë paraqitur 35 janë për CEZ-DIA-n për Ilir Metën dhe gjithë pjesa tjetër është e detajuar dhe është fokusuar te unë”, tha Kryemadhi.

Gjatë hyrjes në Prokurorinë e Posaçme ish-kryetarja e LSI-së tha se po ikën “drejt një beteje ligjore shumë domethënëse”, duke mos i kursyer batutat me gazetarët.

Kryemadhi shtoi se “është shumë e lumtur” se ekspertiza e prokurorisë do të shohë mesazhet e saj me Edi Ramën në vitin 2014”.

“Do i shohim të gjitha, ose si kemi zgjedhur Erion Veilajn kryetar bashkie, ja kemi futur Ilir Metës se donte Blendi Klosin, unë desha Erion Veliajn”, tha ajo.

Ora 16:25
Përfundon në GJKKO seanca paraprake për Metën, Kryemadhin dhe 3 të pandehurit e tjerë

Këtë të enjte, pas disa seancash radhazi, përfundoi seanca paraprake në ngarkim të ish-presidentit Ilir Meta dhe katër të pandehurve të tjerë në këtë proces.

Pas Ilir Metës, në seancën e kësaj të enjte ishte radha e Monika Kryemadhit, e cila kërkoi pushimin e çështjes ose në alternativë kthimin e akteve për hetim. Të njëjtën kërkesë ka bërë në një seancë më parë edhe Ilir Meta.

Ndërsa Fatime Kryemadhi, Ema Çoku dhe Piro Xhixho, përmes avokatëve, kërkuan pushimin e çështjes në ngarkim të tyre.

Seancën e radhës, e cila do të mbahet më 5 mars, gjyqtarja Irena Gjoka do të shpallë vendimin në lidhje me kërkesën e SPAK për kalimin ose jo të çështjes për gjykim.