Fatime Kryemadhi, mamaja e Monika Kryemadhit, e akuzuar për pastrim parash në dosjen e ish Presidentit Meta, kërkon që të mos gjykohet më me procedurën e gjykimit të shkurtuar.

“Nuk dua gjykim të shkurtuar nuk e ndjej veten fajtore, SPAK s’ ka marrë asgjë parasysh nga të ardhurat e mia”, citohet të ketë thënë Fatime Kryemadhi para GJKKO në momentin që SPAK do të lexonte pretencën.

Gjykata pasi u njoh me kërkesën e Fatime Kryemadhit vlerëson se avokatët e saj kanë kërkuar gjykim të shkurtuar si në seancë paraprake dhe në themel.

Në këto kushte Gjykata nuk pranon kërkesën e Fatime Kryemadhit dhe do të vijojë me kërkesën e Prokurorit për konkluzionet përfundimtare

Prokurori Arben Kraja tha se kërkojnë kohë për të paraqitur konkluzionet përfundimtare.

Seanca e radhës do të mbahet më 30 qershor ora 9:00.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë