SPAK ka zgjatur me tre muaj, deri në shkurt, afatet hetimore për kryebashkiakun e Kolonjës dhe për 5 zyrtarë të tjerë të bashkisë, që akuzohen për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankade publike” , “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentash”. Ata u morën të pandehur nga SPAK në fund të shtatorit në lidhje me dy tendera atë të rrugës Korçë-Ersekë dhe për Ujësjellësin e Kolonjës.

Tenderi i rrugës Korçë-Ersekë, një pjesë e së cilës u shemb sapo u ndërtua, u bë shkak që kryebashkiaku Isai të thirrej për herë të parë në SPAK në maj të vitit 2023. Mes të pandehurve është edhe firma projektuese e rrugës A&E ENGINEERING, në pronësi të Entela Çano, e cila dyshohet se kishte lidhje me Isain. Kompania e Entela Çanos ishte edhe mbikëqyrëse e punimeve, pra që do të garantonte cilësinë e punimeve.

Ajo fitoi tenderin gati sa fondi limit me vlerë gati 200 mijë euro. Nga një verifikim i Report Tv, A & E ENGINEERING, rezultoi mbikëqyrëse e shumë punimeve të mëdha të kryera pothuajse gjithmonë nga të njëjta firma ndërtuese. Ndërtimi kësaj rruge u realizua nga kompania “A. N. K.”, ndërsa prokurues është Autoriteti Rrugor Shqiptar. Në vitin 2022, për Lotin e Dytë u dhanë mbi dy miliardë lek nga buxheti i shtetit, ose 21 milionë euro.

Përveç komunikimeve të akuzave, SPAK po vijon hetimet për rolin e ARRSH si autoritet tenderues dhe kompanisë A.N.K e cila ka përfituar tenderin dhe ka kryer punimet e rrugës Korçë-Ersekë. Kjo firmë ndërtuese rezulton në pronësi të Agim Kola, vëllai i ish-deputetit të PS, Ndue Kola.

Traseja e rrugës Korcë-Ersekë u shemb në ndërtim e sipër në vendin e quajtur ‘Qafa e Qarrit- Mollas’. Vetëm pak ditë pas shembjes u depozitua padia e avokatit nga Korça Esmerald Xhafa i cili akuzonte dy kompanitë, Bashkinë Kolonjë dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar.