Erion Isai, kryetar i Bashkisë së Kolonjës, dhe 6 zyrtarë të kësaj bashkie janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Posaçme. Report Tv mëson se Isai dhe vartësit e tij akuzohen për shkelje të barazisë në tendera, shpërdorim detyre dhe për falsifikim dokumentesh. Report Tv ka mësuar se komunikimi i akuzave të pandehurve i është bërë nga prokurori i SPAK Dritan Premçi në lidhje me dy tendera, atë të rrugës Korçë-Ersekë dhe për Ujësjellësin e Kolonjës.

Kujtojmë që tenderi i rrugës Korçë-Ersekë, një pjesë e së cilës u shemb sapo u ndërtua, u bë shkak që kryebashkiaku Isai të thirrej për herë të parë në SPAK në maj të vitit 2023. Ai pati deklaruar se Bashkia nuk bën tendera, por Report Tv ka mësuar se çështja lidhet projektimin e rrugës, ku kryebashkiaku ka pasur rol aktiv.

Mes të pandehurve është edhe firma projektuese e rrugës A&E ENGINEERING, në pronësi të Entela Çano, e cila sipas burimeve të Report Tv nga SPAK dyshohet se kishte lidhje me Isain.

Kompania e Entela Çanos ishte edhe mbikëqyrëse e punimeve, pra që do të garantonte cilësinë e punimeve.

Ajo fitoi tenderin gati sa fondi limit me vlerë gati 200 mijë euro. Nga një verifikim i Report Tv, A & E ENGINEERING, rezulton mbikëqyrëse  e shumë punimeve të mëdha të kryera pothuajse gjithmonë nga të njëjta firma ndërtuese.

Ndërtimi kësaj rruge u realizua nga kompania “A. N. K.”, ndërsa prokurues është Autoriteti Rrugor Shqiptar. Në vitin 2022, për Lotin e Dytë janë dhënë mbi dy miliardë lek nga buxheti i shtetit, ose 21 milionë euro.

Përveç komunikimeve të akuzave, SPAK po vijon hetimet për rolin e ARRSH si autoritet tenderues dhe kompanisë A.N.K e cila ka përfituar tenderin dhe ka kryer punimet e rrugës Korçë-Ersekë. Kjo firmë ndërtuese rezulton në pronësi të Agim Kola, vëllai i ish-deputetit të PS, Ndue Kola.

Traseja e rrugës Korcë-Ersekë u shemb në ndërtim e sipër në vendin e quajtur ‘Qafa e Qarrit- Mollas’. Vetëm pak ditë pas shembjes u depozitua padia e avokatit nga Korça Esmerald Xhafa i cili akuzonte dy kompanitë, Bashkinë Kolonjë dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar.

(Foto: Segmenti i shembur në aksin Korçë-Ersekë në vitin 2014)