Më 15 shkurt 2021 Asqeri Xhanari denoncon në Prokurorinë e Tiranës se janarin e atij viti pallati ku ai banonte e ku kishte dhe një dyqan, ishte prishur pa një vendim  të këshillit bashkiak Tiranë. Të gjithë procesin e shembjes, nga mjetet e IMT-së, më 29 janar 2021 rreth orës 11:00, ai e kishte regjistruar në një video, përmes telefonit.

Vendimi për prishjen e pallatit 4 katësh me numër 140 në zonën e Kombinatit, ku banonte Asqeriu, me argumentin se ishte dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019,  u mor vetëm një muaj më vonë, 1 marsin 2021, pasi pallati ishte rrafshuar ‘de facto’.

Bashkë me këtë ndërtesë Këshilli Bashkiak, vendoste edhe prishjen e 14 pallateve të tjera. Pallatet ishin klasifikuar si të pabanueshme dhe me rrezikshmëri të lartë për banorët. Bashkia hapi një garë për shembjen e tyre dhe pastrimin e territorit.

Sipas dosjes së prokurorit Bledar Valikaj, që mori në gjykatë ‘ok’ për 8 masa sigurie, kontrata u lidh me 11 gusht 2021 me bashkimin e firmave ARB&TRANS shpk dhe "KLAJGER KONTRUKSION. Po atë ditë, më 11 gusht 2021, Aurel Çuko, në atë kohë drejtor i Përgjithshëm i Objekteve në Bashkëpronësi dhe Emergjencave, dhe Aurel Boriçi, i cili në atë kohë mbante detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Emergjencave Civile, i kanë dorëzuar firmave private sheshin ku do të duhet të ndërhynin.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të kompanive që do të ekzekutonin punimet, Fatmir Miri për firmat që do të bënin prishjen “Arb & Trans-2000” shpk dhe “KLAJGER Konstruksion” dhe Aleksandra Mahmutllari si përfaqësuese e firmave “Maging shpk & Imes-D shpk” e cila do të mbikëqyrte punimet.

Në dokumentin kontratë të firmosur atë ditë dorëzohen për t’u prishur 15 pallate, një shërbim që do t’i kushtonte buxhetit të bashkisë rreth 300 mijë euro. Mes firmëtarëve është edhe një zonjë e quajtur Orgenta Kapllani, si drejtuese teknike e punimeve në emër të firmës që mori përsipër prishjen.

Të gjithë të akuzuarit për këtë dosje, që janë vendosur në masa sigurie përmes një vendimi të datës 6 dhjetor të gjyqtares Enkelejda Dalipi, para prokurorit kanë dhënë dëshmi të paqarta, por pjesa më e madhe duke mohuar përfshirjen e tyre.

Prokurori Valikaj ka marrë edhe versionet e ish drejtuesve të rëndësishëm në Bashkinë Tiranë, ish zëvendëskryetarin Arbian Mazniku, ish drejtorin e përgjithshëm Juridik Alban Dokushin apo ish kryetaren e Këshillit Bashkiak Romina Kuko.

Por dëshmitë më të vlefshme kanë qenë ato të banorëve të ish pallatit nr 140 në kombinat, që të gjithë kanë vërtetuar se pallati është prishur fundjanarin e vitit 2020. Ky fakt është konfirmuar edhe nga dëshmitë e Adriatik Merkos, ish drejtor i zjarrfikësve në zonën e Kombinatit në Tiranë, dhe procesverbalet e mbajtura në datën 29 Janar, për dërgimin e automjeteve në mbështetje të shembjeve të realizuara nga IMT.

Më 16 nëntor 2021, kompanitë dorëzojnë situacionin e ndërhyrjeve të kryera, ku deklarojnë shembjen në total të 6 pallateve, pasi në 9 të tjera banorët zgjodhën të mos braktisin banesat e tyre. Një punë për të cilën ata kërkuan nga Bashkia një pagesë prej afro 140 mijë eurosh. Në listën e godinave të rrafshuara, përfshihet dhe ish pallati 140, i shembur që në janar nga vetë IMT-ja.

Dokumenti rezulton të jetë firmosur nga Shyqyri Maloku, Aleksandra Mahmutllari, Orgeta Kapllani, Aurel Çuko dhe Eleana Jaupaj (Guçe) .

Por, ky nuk është i vetmi falsifikim i zbuluar nga prokuroria. Orgeta Kapllani, e paraqitur në të gjithë dokumentacionin si të garës, ashtu dhe gjatë gjithë procesit, si drejtuese e punimeve, ka thënë se që nga 11 gushti (firmosja e kontratës) e deri në fund nuk ka qenë fare e pranishme.

“Shkrimi emër/mbiemër Orgeta Kapllani dhe nënshkrimi në këtë akt deklaron me përgjegjësi te plote, se nuk është bërë nga ana e saj”, thuhet në dosje. Ajo mohon edhe çdo lidhje me punimet për prishjen e pallateve në kombinat, ndërsa firma e saj në çdo rast është e falsifikuar

Pas këtij pretendimi, Prokuroria caktoi një ekspert për të analizuar vendosjen e firmave. Në fund eksperti Valter Haxhiaraj vendosi që nga analizimi i 12 dokumenteve, që përmbajnë datat nga 11 gushti deri në nëntor 2011, në çdo rast firma e vendosur nga Orgenta Kapllani ka qenë e falsifikuar. Pra nuk ka qenë Kapllani ajo që ka vendosur firmën e saj.

Si rezultat i të gjitha  veprimeve hetimore, prokuroria arrin në përfundimin se shkresat e firmosura 11 gushtin e vitit 2020, për dorëzimin e 15 pallateve për t’u shembur, janë të falsifikuara. E po ashtu edhe shkresa të tjera të mbikëqyrjes së punimeve, apo edhe dorëzimi në fund i vlerësimit të ndërhyrjeve të realizuara.

Për këtë thotë organi i akuzës duhet të mbajnë përgjegjësi për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre zyrtarët e Bashkisë Aurel Çuko, Aurel Boriçi dhe Eleana Jupaj, si edhe përfaqësuesi e kompanive pjesëmarrëse në punime, Fatmir Firi dhe Shyqyri Maloku, apo mbikëqyrëses Aleksandra Mahmutllari.

Dy specialistët i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Tiranë duhet të mbajnë përgjegjësi pasi duke u bazuar vetëm në dokumentet e sjella nga emergjencat civile, dmth Çuko dhe Boriçi, kanë hartuar preventivët pa dalë fare në terren.

“Preventivat dhe specifikimet teknike të hartuara prej tyre janë përdorur për të justifikuar nisjen e prokurimit publik, përcaktimin e fondit limit dhe për të legjitimuar në vijim përfshirjen 6 objekteve përfshire dhe pallatin 140 te demoluar që në muajin janar 2021 nga mjetet e Bashkisë Tirane në kontratë e, më pas, në situacione punimesh. Kjo do të thotë se është krijuar bazë dokumentare që lejon shpërndarjen e fondeve publike për një punë të pakryer, çka i sjell shtetit një dëm ekonomik të drejtpërdrejtë dhe, paralelisht, krijon mundësi për përfitim të padrejtë ekonomik nga subjektet private të kontraktuara.

Së treti, ekziston lidhja shkakësore mes sjelljes së tyre dhe pasojës së dëmshme. Po të mos ishin hartuar preventivat në formën në të cilën janë hartuar nga Sokol Qehaja dhe Rexhina Rakipi, që përfshijnë 6 objekte përfshirë dhe pallatin 140 të demoluar qe ne muajin janar 2021 nga mjetet e bashkisë Tirane si objekt të punimeve të ardhshme, prokurimi publik në atë përmbajtje nuk do të kishte ndodhur”, thuhet në dosje.

Për këtë Sokol Qehaja dhe Rexhina Rakipi, punonjës të IMT-së pranë Bashkisë Tiranë, akuzohen për shpërdorim detyre.

5 zyrtarët e bashkisë dhe 3 përfaqësuesit e firmave private janë tashmë me masë sigurie për akuzat e  “Falsifikimit tëd okumenteve” kryer në bashkëpunim më shumë se një herë dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’.

MASAT E SIGURISË
“Arrest në shtëpi”
Aurel Çuko           Drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile
Aurel Boriçi          Drejtori i Drejtorisë së Emergjencave Civile
Sokol Qehajaj        Specialist i IMT, bashkia Tiranë
“Detyrim paraqitje”
Eleana Guçe                             Përgjegjëse e Kompesimit te Emergjencat Civile
Rexhina Rakipi                         Specialiste e IMT
Aleksandra Mahmutllari            Mbikëqyrëse e punimeve|
Shyqyri Maloku                       Përfaqësues ligjor i firmave ndërtuese
Fatmir Firi                                Administrator i firmave ndërtuese