Dosja Nr.184 dhe akuzat e PD për përgjimet në Dibër

Dosja Nr.184 dhe akuzat e PD për përgjimet në Dibër

“Hetimi mbi hetimin e dosjes së famshme 339 tashmë është më i rëndësishëm edhe se vetë dosja. Ai hetim do të dëshmonte lidhjet e tjera okulte, shantazhin dhe pazaret e të gjitha llojeve e politikës me segmente të drejtësisë”, tha të premten analisti Lorenc Vangjeli, në emisionin “Java në RTSH”.

“Përgjimet e kësaj dosjeje kanë qenë të njohura prej shumë kohësh. Mbi këtë është ndërtuar e gjithë historia që po jetojmë. Unë jam dëshmitar sesi kolegu Vangjeli e ka bërë publike i pari ekzistencën e kësaj dosjeje dhe të hetimit në një emision televiziv, tek Opinion-i i Fevziut që në nëntor të vitit 2017. Eshtë e qartë se ajo nuk është hetuar në kohën e duhur. Prokurorë të caktuar e kanë përdorur atë për shantazh, për politikë dhe ndoshta edhe për para”, komenton analisti Preç Zogaj, që insiston se hetimi për vjedhjen e votave duhet të vazhdojë gjithashtu edhe më tej sepse nuk mund të parashkruhet.

Sipas Vangjelit, që nga nëntori i largët i vitit 2017, me këtë dosje nuk ka ndodhur pothuajse asgjë. “Hetimi ka rifilluar me ndryshimin e prokurorëve të çështjes dhe po tentohet tani të shtyhet përpara. Janë qindra orë përgjime të pazbardhura ende. Por është e rëndësishme të thuhet se është shumë e habitshme sesi kryetari i PD-së që e dinte me detaje këtë histori, e përdor sot atë si kalin kryesor të betejës politike që e çoi deri në djegien e mandateve parlementare”, tha Vangjeli.

Vangjeli përmendi gjithashtu se ka pasur dy fushata sulmesh kundër kryetarit të bashkisë së Durrësit, në vjeshtën e dimrin e 2017-ës dhe në dimrin e vitit të shkuar, kur nga një anë pothuaj të gjithë deputetët e PD-së kërkonin burgosjen e tij dhe nga ana tjetër, Dako i padiste ata rast pas rasti në prokurori për shpifje. “Por në të dy herët, këto fushata u mbyllën si me komandë”, tha Vangjeli.  

“Java në RTSH”, zbuloi për herë të parë edhe se cila është dosja tjetër që pritet të dalë në dritë. “Dosja 184 që përmendi në mënyrë misterioze kryetari i PD-së Lulzim Basha pak ditë më parë ka të bëjë me zgjedhjet lokale të parakohshme në Peshkopi.

Sipas analistit Lorenc Vangjeli, Partia Demokratike pretendon se në përgjime rezulton vetë kryeministri Edi Rama.“Ajo që është lënë të kuptohet në këto ditë, është që ekzistojnë përgjime të cilat faktojnë blerjen e votës. Burime për emisionin tonë thonë se selia blu po përpiqet të lidhë kryeminstrin e vendit në biseda me një personazh të njohur të asaj zonë, i cili mendohet se është i filmuar në ndarje parash” – tha Vangjeli.

Duke ju referuar ligjit, Vangjeli nënvizoi edhe një problem për pretendimet e PD-së dhe shpalli edhe një sfidë për kryetarin e PD-së. “Në momentin që në përgjime del një person me imunitet si kryeministri, hetimi duhet të ndalohet. Çfarë është regjistruar duhet të shkatërrohet. Domethënë në dosje nuk mund të ketë asnjë përgjim të kryeministrit Rama. Duke ditur këtë, unë paralajmëroj se nëse diçka e tillë megjithatë ekziston, kryetari i PD do të thotë se përgjimet ua ka vënë në dispozicion një shërbim i huaj partner” – tha analisti Lorenc Vangjeli mbrëmjen e së premtes.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Rama është koka e korrupsionit’, Basha: Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe një qeveri që lufton seriozisht korrupsionin që e ka bërë vendin të pajetueshëm

‘Rama është koka e korrupsionit’, Basha: Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe një qeveri që lufton seriozisht korrupsionin që e ka bërë vendin të pajetueshëm