Dosja Partizani/ Akuzat e reja të SPAK: Si u manipulua vlerësimi i ndërtesave të kompleksit! Shmangën pagesën e 436 mln lekë! Morën edhe 857 m2 tokë shtetërore e s’paguan 23 mln lekë!

TIRANË- Shqiptarja.com dhe Report Tv kanë në dorë dosjen prej 500 faqesh ku prokurorët e SPAK kanë faktuar provat për të cilat kanë marrë të pandehur ish kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi për aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani. Në dosje prokurorët e SPAK kanë përcaktuar vlerat reale të dëmit miliona lekë që i janë shkaktuar shtetit përmes privatizimit të ish kompleksit Partizani dhe ndërtimit aty të 19 kullave.

Dy prokurorët e dosjes, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai kanë treguar si u manipulua procesi i vlerësimit të ndërtesave të kompleksit sportiv 'Partizani' mbi tokën e familjes Begeja të cilat u shembën për të ngritur kullat por që për ta duhej të ishte dëmshpërblyer shteti.

SPAK ka zbuluar se nuk është caktuar vlera reale e ndërtesave të këtij kompleksi por një shifër qindra milionëshe herë më e vogël. Jo vetëm kaq Malltezi dhe Bekatshi kanë marrë dhe ndërtuar kullat dhe në 870 metra katror që ishte tokë shtetërore dhe është marrë pa paguar asnjë lek si kompensim shtetit

Në dosjen e SPAK thuhet se dy anëtarët që ishin caktuar në komisionin e vlerësimit të ndërtesave të kompleksit Partizani kishin lidhje me Fatmir Bektashin, ndërtuesin dhe Argita Malltezin, vajzën e ish kryeministrit Sali Berisha dhe bashkëshorten e Jamarbër Malltezit.

SPAK ka bërë një ekspertizë të re financiare nga ku ka rezultuar se komisioni "nuk ka bërë vlerësimin real duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 436 milionë lekësh (saktësisht 436. 444. 444 lekë të reja) "

 Pra shtetit nga këto privatizime, i ka ardhur një dëm në vlerën 436 444 444 lekë" shkruhet në dosje.  

Në dosje thuhet se është paguar 53 milionë lekë për vlerësimin e ndërtesave nga 489 milionë lekë që ishte vlera reale. 

Foto: Pjesë nga dosja e vlerësimit të banesave, dëm buxhetit prej 436 milionë lekësh

Morën 857 metra katrorë tokë shteti! Nuk paguan 23 milionë lekë

Ndërtimi i kullave nuk është bërë vetëm në tokën që u takonte si pronarë, por dhe në një sipërfaqe tokë shtet pa i paguar asnjë qindarkë këtij të fundit. Në dosje zbulohet se është ndërtuar në një sipërfaqe prej 857 metra katrorë që nuk ishte pjesa e pronave të tyre por ishte pronë shtetit. SPAK thotë se për këtë vlera e dëmit që i është shkaktuar shtetit është gati 23 mln lekë (saktësisht 22. 956. 459 lekë të reja).

Nga verifikimi i dokumentacionit të pronësisë dhe krahasimit të hartave të pronës së ish pronarëve me gen planin e objektit që privatizohet dhe HTR të lëshuara nga ZRPP rezulton se për objektin "Terrenet sportive dhe objektet e klubit të futbollit Partizani" me vendndodhje në rrugën Frosina Plaku Tiranë, një pjesë e truallit prej 857 m2 nuk përfshihet në pronën e njohur ish pronarëve të truallit të sipërpërmendur.. Siç mund të konstatohet, nga ana e këtij komisioni, është konkluduar se sipërfaqa e truallit shtesë, që nuk përfshihet në pronën e njohur ish pronarëve të truallit është 857 m2. Pasur parasysh vlerën prej 26 787 m2 X 857 m2, sipas përllogaritjeve të këtij komisioni, familjet që po kryenin privatizimin, duhet të paguanin edhe shumën prej 22 956 459 lekë. 
Ndërkohë nga interpretimi i kontratës së mësipërme, është shitur e gjithë prona, përfshirë edhe sipërfaqen prej 857 m2 me kushtin që ta bëjnë brenda 30 ditëve pas konfirmimit nga ZRPP. Kjo pagesë prej 22 956 459 lekë nuk është bërë asnjëherë, duke sjellë kështu dëm në interesat e shtetasit" shkruhet në faqen  25-26 të dosjes.

Foto: Pjesë nga dosja ‘Partizani’ ku saktësohet dëmi i shkaktuar shtetit nga mos pagimi për 857 metra katrorë tokë shtet mbi të cilën kishin ndërtuar Bektashi dhe Malltezi

Dikur Klubi Sportiv Partizani

Klubi sportiv "Partizani" ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, jo shumë larg nga qendra e Tiranës, ku sot janë ngritur 19 kulla në Rrugën "Frosina Plaku", tek Ish Fusha e aviacionit. Struktura e ndërtuar nga regjimi komunist per 60 vite ishte simboli i sportit shqiptar dhe kampionëve të tij të mëdhenj. Struktura përbëhej nga palestra, pishina, pista atletike, fusha vollejbolli dhe basketbolli për një sipërfaqe totale prej mbi 26 mijë metra katrorë. Për vite me radhë, edhe pas rënies së regjimit, u bë një nga qendrat e pakta sportive në kryeqytet, ku kaluan mijëra sportistë çdo vit.  Struktura sportive ishte përfshirë në të ashtuquajturin ''plani i përhapjes'' të ministrisë së Mbrojtjes dhe forcave të armatosura, domethënë një listë që përfshin pronat ushtarake që Presidenti i Republikes dhe gjeneralët i konsiderojnë strategjike deri kur, Sali Berisha u kthye në pushtet ne vitin 2005.

(Foto: Si ishte kompleksi sportiv Partizani, që u shemb për të ndërtuar kullat Jamarbër Malltezi)

Dosja
Më 11 shtator 2024 SPAK mori të pandehur ish kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi. Një ditë më pas për këtë dosje u morën nën akuzë Fatmir Bektashi, ndërtuesi dhe ortaku i Malltezit, Xhimi Begeja. 

SPAK akuzon Berishën se gjatë kohës që ka qenë në qeverisje pas fitores së zgjedhjeve të 2005 ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një nga ish pronarët e truallit, për privatizimin e ish kompleksit Partizani ku më pas u ngrit kompleksi pallateve. Malltezi është marrë i pandehur për  “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, të kryer në bashkëpunim me ish kryeministrin si dhe “pastrim parash".

Ndërkohë ortaku i Malltezit, Xhimi Begeja, një nga trashëgimtarët e truallit së bashku me dhëndrin i ish-kryeministrit Sali Berisha, të dy të pandehur, rezultojnë të kenë qenë pronarët në hije me 60 për qind të aksioneve në kompaninë e ndërtimit “Homeplan”, që ngriti 19 kulla në kompleksin Magnet në tokat e “ish Klub Partizanit”.

Dosja 'Partizani', të pandehur deri tani
Sali Berisha ish kryeministri – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish kryeministrit – akuzohet për  “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta! Akuzohet dhe per “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal
Fatmir Bektashi - Ndërtuesi akuzohet  “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pronari i kompanisë së ndërtimit 'Kontakt' 
Xhimi Begeja- Ortaku i Malltezit, trashegimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan'  akuzohet për 'Pastrim Parash'

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:15
Dosja 'Partizani'/ SPAK: Bektashi e Malltezi në kontratë specifikuan ndërrimin e destinacionit të truallit! Berisha e firmosi! Dhëndri mori përsipër lejen e ndërtimit brenda 12 muajve 

Tirane- Në dosjen e SPAK prej 500 faqesh për aferën e privatizimit të sport klub 'Partizani', të cilën Shqiptarja.com dhe Report tv e disponon prokurorët e SPAK hedhin poshtë pretedimin e Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit se ka qenë Rama që në 2006 ka ndryshuar destinacionin nga sportiv në shesh ndërtimi.

Në dosje evidentohet kontrata e sipërmarrjes e datës 22 tetor 2007 e lidhur mes Jamarbër Malltezit në cilësinë e përfaqëuesit të familjes Begeja si palë pronarë dhe shoqërisë ‚Kontakt‘ të Fatmir Bektashit në cilësi të palës sipërmarrëse që do të zhvillonte ndërtimin e kullave.

Në nenin 4 të kontratës është shënuar ndërrimi i destinacionit ku ndodhet trualli. „Nga zona sportive në zonë banimi, 24 muaj nga data e nëshkrimit të kësaj kontrate.“ 

Kjo hedh poshtë pretendimin e Jamarbër Malltezit dhe ish kryeministrit Sali Berisha se ndërrimin e destinacionit e kishtë bërë Rama në 2006 por e kanë kërkuar në kontratën që është firmosur nga Bektashi dhe Malltezi.  

Pra deri në 2007 kur dhe është firmosur kontrata nuk ishte bërë ndryshimi i destinacionit të përdorimit për terrene të Ish Klubit Partizani, nga sportive në të ndërtueshme, në zonën ku do të ndërtohen më pas kulla. Dhe Bektashi ia ka saktësuar në nenin 4 të kontratës së 22 tetorit 2007 kërkesën Malltezit.

Në dosjen e SPAK  thuhet se kjo kërkesë e kontratës u arrit me firmosjen e Sali Berishës ndër të tjera dhe përmes ndryshimeve të ligjit të sportit, në qershor 2008 që hiqnin çdo pengesë ligjore në privatizimin e ish-kompleksit Partizani ku përfitues direkt ishte dhëndri i tij.

Leja e ndërtimit brenda 12 muajve 

Në dosjen e SPAK prokurorët  Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai evidentojnë se ishte dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi  ‚kishte marrë përsipër dhe lejen e ndërtimit brenda 12 muajve nga nënshkrimi i kontratës“

S.G/E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • zhak: 15/09/2024 17:07

    "Rezultojnë të kenë qenë pronarët në hije me 60 për qind të aksioneve në kompaninë e ndërtimit “Homeplan”, që ngriti 19 kulla në kompleksin Magnet në tokat e “ish Klub Partizanit”. Praktikisht pastruan 300 milione euro cash qe vodhen ne Durres-Kukes. Llogaritni edhe fitimin 400-500 eur per m2. Ne fund te dites pasuria grabitur e Berishajve i kalon 1 miliard euro

    Përgjigju
  • Ani: 15/09/2024 09:58

    Po nuk doli gjykata me vendim konfiskimi dhe banka e shqiperise te deklaroj se sa lek u arketuan nga keto konfiskime asgje nuk besohet. Sepse burg saliu ska per te bere Por konfiskimi i pasurive eshte me i rende se burgu.

    Përgjigju
  • HAJDAR KASAP REXHEP BULE LEKA [ KEPI ]: 15/09/2024 08:44

    Shteti duhet ti konfiskoi tē gjith pasurin familjes kriminele hajdute Sali edepsēz Bajgēs. Leku i duhet kthyer popullit tē varfēr e pensjonistve tē mbaruar. Kur do i konfiskohet pasuria se sy peshkaqeni xen po shētit Botēn me kto lek tē vjedhura. Pra ēshtē kaluar çdo kufi zoti Dumani.

    Përgjigju
  • Iris: 15/09/2024 01:19

    Tani pervec burgut,gjykata duhet t'i detyroje keta te gjithe te kthejne /demin financiar/ qe i shkaktuan shtetit plus vleren e prones publike qe e morren falas.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda