Ditën e sotme në GJKKO është mbajtur seanca e radhës për dosjen “Plumbi i Artë”. Seanca nuk vijoji për shkak të mungesës së një prej të pandehurve të çështjes, Nuredin Dumani. Nuredin Dumani nuk ka qenë i pranishëm në kryesisht në seancat e fundit gjyqësore.
Ishte avokati mbrojtës i të pandehurit Gentian Sharra, i cili kërkoi prezencën e të penduarit të drejtësisë Dumani, me qëllim ballafaqimin e deklaratave të të pandehurit Henrik Hoxha me ato të Dumanit.
“Kërkojmë shoqërimin e detyrueshëm të bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani, duke qenë se jemi në fazën e dhënies së deklarimeve nga ana e të pandehurit Henrik Hoxha. Në këtë mënyrë mund të bëhet ballafaqimi mes këtyre dy personave”, tha avokati Sokol Hazizaj.
Henrik Hoxha e ka humbur statusin si i penduar i drejtësisë, ndërsa ballafaqimi me Dumanin kërkohet për të vërtetuar që ai gënjen në dëshmitë e dhëna, pretendim ky i palëve. Rrjedhimisht nëse këto pretendime vërtetohen, Nuredin Dumani humbet statusin si bashkëpunëtor i drejtësisë dhe asnjë deklaratë e tij nuk merret për bazë.
SPAK e kundërshtoi këtë kërkesë me argumentin: Nuk jemi përballë kundrathënieve, në këto kushte kërkesa nuk qëndron. I kërkojmë gjykatës rrëzimin e saj.
Gjykata e Posaçme vlerësoi se nuk ndodhemi përpara kushteve ligjore për të bërë shoqërimin e detyrueshëm të bashkëpunëtorit të drejtësisë, megjithatë tha se do shprehet më vonë lidhur me këtë kërkesë. Seanca e radhës u caktua më datë 3 shkurt në orën 10:00.
Komente









