Më shumë se një vit pas SPAK mbylli hetimet, seancat paraprake për dosjen e SASPAC me të pandehur ish ministrin Ilir Beqaj dhe 8 persona të tjerë të pandehur dhe dy kompani tashmë është drejt përfundimit.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në fjalën e tij të gjatë në seancën e kësaj të premteje ka ka mohuar akuzat dhe ka kërkuar pushimin e çështjes penale ose, në alternativë, kthimin e dosjes në SPAK për plotësim të hetimeve. Në rast se çështja kalon për gjykim, ai ka kërkuar që procesi të zhvillohet me procedurë të shkurtuar. Pra, nëse GJKKO do të vendosë që dosja duhet ta kalojë në gjykim themeli Beqaj kërkon t’i nënshtrohet gjykimit të shkurtuar dhe jo atij të zakonshëm.
SPAK mbylli hetimet për këtë dosje në fillim të muajit Prill 2025, dhe dërgoi kërkesën për gjykim ndaj Ilir Beqajt, 8 të pandehurve të tjerë dhe dy shoqërive tragtare lidhur me dosjen e SASPAC.
Ish-kreu i menaxhimit të fondeve të BE njëherësh ish-ministër i Shëndetësisë, Ilir Beqaj akuzohet për 5 vepra penale mes të cilave korrupsion pasiv, shkelje e barazisë në tendera, falsifikim dokumentash, mashtrim, mashtrim në bashkëpunim dhe mosdeklarim pasurie në rastin e 50% të kuotave të restorantit “Gzona”, i quajtur ndryshe si “Albanian Food and Hospitality Lab, një apartamenti në Vlorë dhe një makine.
Vetëm për akuzën e korrupsionit që është më e rënda ish zyrtari i lartë rrezikon nga 4 deri në 12 vite burg. Të njëjtat akuza, përveç asaj të fshehjes së pasurisë, rëndojnë edhe ndaj Ermal Kurtulajt, bashkëpunëtor i ngushtë i Beqajt. Sipas SPAK, Ilir Beqaj, në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm i SASPAC-ut, ka urdhëruar Kurtulajn, me të cilin kishte njohjet të hershme pasi kanë qenë ortak të shoqërisë Intech+, që të zbatojë vetëm përgjatë viteve 2022-2023 prokurime fiktive në kundërshtim me ligjet e BE për projektet e EUSAIR, paratë e të cilave përfundonin në xhepat e Beqajt. Tenderat, sipas SPAK, bëheshin vetëm për efekt dokumenti dhe më vonë se nga lidhja dhe zbatimi i kontratës me kompani të ndryshme.
Ndaj 7 të akuzuarve të tjerë Marinela Jazoj, Alfred Nikolla, Gazmend Haxhia, Elton Marini, Bjona Ziaj, Bledar Leka e Mira Topçiu, dhe 2 kompanive “Landëays International” dhe “Nine Service Int” sh.p.k rëndojnë akuzat e mashtrimit, falsifikimit, korrupsion aktiv etj.
Për këtë dosje të abuzimeve me fondet në SASPAC, Beqajt ndodhet në burg që prej korrikut 2024 ndërsa ndaj tij vijon paralelisht edhe procesi tjetër për koncesionin e sterilizimit. Në kuadër të kësaj dosjeje, SPAK ka vendosur në sekuestro preventive apartamentin e dyshuar të fshehur nga Beqaj, 3 llogari bankare të të pandehurve me vlerë rreth 200 mijë euro gjithsej, 19.4% e aksioneve të “Gzona” dhe 3 makina.
Komente








