Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot shkarkimin nga detyra të ish-kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, i cili është akuzuar si pjesë e dosjes ‘Toyota Yaris’.
Apeli i Posaçëm e shpalli më herët Zarkën fajtor për akuzat “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, “korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, “korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
Për këto akuza, ai u dënua me 4 vite burg, të cilat për shkak të gjykimit të shkurtuar, u përkthyen në 2 vite e 8 muaj. Ai është akuzuar gjithashtu për përdorimin e aplikacionit SkyECC.
Por më pas Gjykata e Lartë pas ankimimit, prishi vendimin e Apelit të GJKKO-së dhe e dërgoi çështjen për rigjykim me një trup të ri gjykues.
Njoftim vendimi:
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) 42/2024, datë 28.10.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 779, datë 28.06.2024, për subjektin e rivlerësimit Aurel Zarka.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
Ndryshimin e vendimit nr. 779, datë 28.06.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Aurel Zarka.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, më datë 05.03.2026, në Tiranë.
Komente












