Artikuj nga dosjet Epstein, përfshirë një foto që përmbante Donald Trumpin, u hoqën nga faqja e internetit e Departamentit të Drejtësisë për shkak të shqetësimeve të ngritura nga viktimat, tha të dielën zëvendësprokurori i përgjithshëm.
Imazhi ku shfaqej Trump u rikthye më vonë pas një rishikimi, u shpreh Todd Blanche. Ai hodhi poshtë kritikat se heqja kishte lidhje me presidentin e SHBA-së dhe tha se fotoja që e përfshinte atë tregonte gjithashtu imazhe të grave të paanonimizuara.
Të paktën 13 dosje nga mijëra të publikuara të premten në lidhje me shkelësin seksual të ndjerë Jeffrey Epstein, iishin zhdukur nga faqja e internetit pa shpjegim deri të shtunën.
Demokratët në Komitetin e Mbikëqyrjes të Dhomës së Përfaqësuesve ngritën dyshime mbi heqjen e imazheve. Në një postim në rrjetet sociale, ata e pyetën Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi: “Çfarë tjetër po mbulohet?”
Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së tha në një postim në X të dielën se imazhi i Trump ishte sinjalizuar nga Distrikti Jugor i Nju Jorkut “për veprime të mundshme të mëtejshme për të mbrojtur viktimat”.
Ai shtoi se imazhi ishte hequr përkohësisht për rishikim të mëtejshëm “nga një kujdes i shtuar”.
Pas rishikimit, u përcaktua se nuk ka prova që ndonjë viktimë e Epstein të paraqitet në fotografi dhe ajo është ripostuar pa asnjë ndryshim apo redaktim.
Sipas zyrtarëve amerikanë, fotografia është bërë në një nga shtëpitë e Epstein dhe tregon një koleksion fotografish të kornizuara mbi një dollap, shumë prej tyre me persona të famshëm.
Ka një sirtar të hapur të mbushur me fotografi të tjera, njëra prej të cilave tregon presidentin me Epstein, Zonjën e Parë Melania Trump dhe bashkëpunëtoren e dënuar të Epstein, Ghislaine Maxwell.
Blanche e quajti “qesharake” sugjerimin se fotografia u hoq për shkak të Trumpit. “Nuk ka të bëjë me Presidentin Trump,” i tha ai NBC News. “Ka dhjetëra fotografi të Presidentit Trump tashmë të publikuara, ku ai shihet me zotin Epstein. Pra, absurditeti që ne të heqim një foto, një foto të vetme, sepse në të ishte Presidenti Trump, është qesharak.”
Blanche përmendi një gjyqtar në Nju Jork, i cili “na ka urdhëruar të dëgjojmë çdo viktimë ose grup për të drejtat e viktimave nëse ata kanë shqetësime”, si arsye për heqjen e disa dosjeve të publikuara më parë.
“Ka pasur një numër fotografish që u hoqën pasi u publikuan të premten,” tha ai.
Trump ka mohuar vazhdimisht çdo keqbërje në lidhje me Epstein dhe nuk është akuzuar për asnjë krim nga viktimat e Epstein. Nuk ka asnjë pistë se këto fotografi nënkuptojnë ndonjë vepër penale.
Departamenti i Drejtësisë (DOJ) ishte tashmë nën kritika për mospublikimin e të gjitha dosjeve brenda afatit të së premtes, siç kërkohet nga ligji.
Dokumentet e Departamentit të Drejtësisë, të cilat përfshijnë fotografi, video dhe materiale hetimore të lidhura me Epstein, ishin të shumëpritura pasi Kongresi miratoi një ligj që detyronte publikimin e tyre të plotë deri të premten.
Kongresmeni Thomas Massie, një republikan nga Kentucky, i cili udhëhoqi përpjekjen për publikimin e dosjeve, tha se ishte i zhgënjyer me reagimin e administratës Trump dhe se fokusi i tij është sigurimi i drejtësisë për viktimat.
Ai tha se po përgatit akuza për “mospërfillje të brendshme” ndaj Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi.
“Ata po shpërfillin frymën dhe shkronjën e ligjit,” tha ai për CBS News. “Qëndrimi që kanë mbajtur është shumë shqetësues. Nuk do të jem i kënaqur derisa të mbijetuarit të jenë të kënaqur.”
Komente










