Kur kanë ngelur dhe pak ditë për të dorëzuar dosjet në Kuvend për një vend në Gjykatën Kushtetuese, interesi i kandidatëve rezulton i ulët. Report TV ka mësuar se që nga hapja e garës, i vetmi aplikant është Genc Gjonçaj, që mban dhe detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit.

Ai gjithashtu ka garuar edhe për një mandat kushtetues që emërohet nga Presidenti i Republikës.

Afati i fundit për të dorëzuar emrat në Kuvend është 30 dhjetori, dhe duhen të paktën 3 emra në fazën finale që gara të jetë e vlefshme.

Kuvendi do të zgjedhë mes 3 të parëve më të vlerësuar nga KED, gjyqtarin që për 9 vjet do të jetë anëtar i Gjykatës Kushtetuese, në karrigen e liruar nga Elsa Toska, dorëhequr në vitin 2024.

Ndërsa Presidenti i ka mbledhur aplikimet dhe i ka dorëzuar për verifikim në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Edhe ai do të ketë mundësi të dekretojë një gjyqtar për mandat të plotë, mes tre emrave me më shumë pikë nga KED.

Gjyqtari që do të emërojë Begaj, do të pasojë anëtaren Sonila Bejtja.

Largimi i Toskës, Zaçajt dhe Bejtes është pjesë e skemës së rifreskimin të Gjykatës Kushtetuese me tre anëtarë çdo tre vjet.