Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj në ditën e 15-të para kryeministrisë tha në ‘Sot Live në Shqipëri se në protestën që partia demokratike do të zhvillojë sot të jetë përtej logove të partisë.

Lapaj theksoi se gjatë protestave partitë duhet lënë në seli në mënyrë që të protestojmë si qytetarë, teksa nga ana tjetër mbetet i distancuar nga protesat e organizuar nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

“Jemi këtu dhe pardje kemi organizuar një protestë të madhe. Nëse PD vjen me flamujt e partisë sigurisht që do të bëj protestën e vetë, unë s’jam zot i qytetit dhe as njeriu që vendos ku bëhen protestat, respektoj çdo protestë. Por uroj që demokratët të jenë në shesh përtej logove dhe flamujve partiakë sepse do të krijonte një bashkim më të madh të qytetarëve. Ne këtu jemi pa logo. Besoj fortë që ne duhet të bashkohemi para autokracisë së Edi Ramës. Partitë duhet t’i lëmë në seli dhe t’i bëjmë gati kur të jenë zgjedhjet dhe në qytet të dalim si qytetarë. Këtu i vetmi flamur që duhet të ngrihet është flamuri kombëtar, pasi Shqipëria ka nevojë të rrëzojë regjimin e Ramës”, tha Lapaj.

Më tej Lapaj nënvizoi se në protestën e të shtunës, para kryeministrisë u mblodhën 2000 mijë qytetarë nga të gjitha vendet e Shqipërisë. Ai theksoi se kjo nuk është koha për të rritur partinë, por koha për të shpëtuar Shqipërinë.

“Të shtunën ishin 2000 qytetarë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë. Pas 10 apo 15 ditësh do të jenë akoma më shumë. Do të qëndroj këtu deri sa të kem fuqi. Do të bëj maksimumin tim brenda ligjeve dhe kushtetutës së këtij vendi. Qytetarët nuk mund të shohin nga qielli dhe të presin mrekulli, duhet të organizohen. E nisa si individ u bëmë 10, 100 dhe 2 mijë. Këtu në shesh është një protestë që nisi me një simbolikë individuale me mesazhin që çdo njeri duhet të vijë këtu për hallin e vetë. Kjo nuk është koha për të rritur partinë por për të shpëtuar Shqipërinë”, theksoi Lapaj.

Në fund të fjalës së tij Lapaj komentoi edhe për deklaratën e aktorit Viktor Zhusti pas publikimit të një fotoje nga kreu i lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’. Sipas Zhustit, fotoja që Lapaj publikoi me të u përdor si "shashkë progandistike" për mitingje politike.

“Zhustin e takova edhe e gjeta me aktivistët. Bëmë një foto për kujtim. I thashë nuk e postoj do e mbaj për veten time, por ai më tha nëse nuk e poston mos e bëj. Për këtë kanë qenë dëshmitarë të paktën 20 persona. Reagimi i tij është bërë tre ditë më vonë. E publikova në shenjë respekti dhe reagimi i tij është i pavend. Fakti që një aktor shqetësohet për një foto, tregon gjendjen e mjerë ku është Shqipëria, kjo më trishton. Postimi që bëri dje nuk ishte i duhuri”, përfundoi Lapaj.