Dossier/ Dëshmia e ish-nënkryetarit të Gjykatës së Lartë: Enveri u prish me Tukun e Bedriun për foton e Spiro Kolekës

Dossier/ Dëshmia e ish-nënkryetarit të Gjykatës së Lartë: Enveri u prish me Tukun e Bedriun për foton e Spiro Kolekës

Publikohet historia e panjohur të konflikteve që lindën në mesin e viteve ’50-të në mes Enver Hoxhës dhe dy bashkëpunëtorëve më të ngushtë të tij, gjeneral-leitnant, Tuk Jakovës, njërit prej themelueseve të Partisë Komuniste të Shqipërisë, që kishte mbajtur postet dhe funksionet më të larta në Parti e qeveri pas Enver Hoxhës, dhe gjeneral-major, Bedri Spahiut, ish-anëtar i Byrosë Politike, Prokuror i Përgjithshëm i Republikës dhe Ministër i Arsimit e Kulturës, konflikte që erdhën pas vizitës që kishte bërë Tuk Jakova në Shtëpinë Muze të mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste të Shqipërisë, ku ai u revoltua pasi aty ishte vënë fotoja e Spiro Kolekës, që nuk kishte qenë pjesëmarrës në atë mbledhje në 8 nëntorin e vitit 1941.

Dëshmitë e rralla të kolonel Mustafa Qilimit, ish-nënkryetar i Gjykatës së Lartë të Republikës, lidhur me konfliktet që lindën pas asaj ngjarjeje në mes Enverit dhe Tukut e Bedriut, pasi ata të dy e akuzuan rëndë “Komandantin” në mbledhjet e Byrosë dhe Pleniumit, si dhe hakmarrja e Enverit më pas ndaj dy ish-bashkëpunëtorëve më të ngushtë, ku me porosi të tij, Haki Toska i tha Aranit Çelës që ata duheshin dënuar me vdekje. Si u bë e mundur që t’u falej jeta atyre, pasi mosaprovimit të atij urdhri nga vetë Mustafa Qilimi dhe kolegu i tij, Loni Dimoshi, dy nënkryetarët e Gjykatës së Lartë, gjë e cila e detyroi Enverin të “zbutej” pak dhe të porosiste Aranit Çelën, që t’i dënonin Tukun me 25 vjet dhe Bedriun me 20.

Pas pjesës të para të intervistës ku ish nënkryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, Mustafa Qilimi, dëshmoi mbi intrigat e organeve të Sigurimit të Shtetit, Hetuesisë dhe Prokurorisë, të cilat zbatonin udhëzimet e porositë e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe personalisht vetë Enver Hoxhës lidhur me procesin e bujshëm për dënimin dhe pushkatimin e gjeneral-major Dali Ndreut dhe bashkëshortes së tij, ish-anëtare e Byrosë Politike, Liri Gegës, gjë e cila provokoi edhe protestën e Nikita Hrushovit që akuzoi Enverin se kishte pushkatuar Lirinë edhe pse ajo ishte shtatëzanë, në pjesën e dytë të kësaj interviste, sipas dëshmive të z. Qilimi do njihemi me një faqe tjetër të errët të Enver Hoxhës, atë që lidhet me burgosjen dhe eliminimin që Hoxha iu bëri, dy nga bashkëpunëtorëve më të ngushtë të tij, gjeneral-major Bedri Spahiut, ish-anëtar i Byrosë Politike, sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së, Prokuror i Përgjithshëm i Republikës dhe Ministër i Arsimit e Kulturës, si dhe gjeneral-leitnant, Tuk Jakovës, ish-themelues i Partisë Komuniste, anëtar i Byrosë Politike, sekretar Organizativ i PKSH-së, President i Sindikatave të Shqipërisë dhe zv/kryeministri qeverisë së drejtuar nga Enver Hoxha.

Zoti Qilimi, gjatë asaj periudhe 10 vjeçare që keni qenë në Gjykatën e Lartë, a ka pasur ndonjë rast tjetër që është ndërhyrë nga Komiteti Qendror i PPSH, ose personalisht nga Enver Hoxha, për dënimin e ndonjë funksionari të lartë partiak apo shtetëror?

Përveç rastit të Dali Ndreut dhe Liri Gegës, përgjatë një dekade që unë kam shërbyer në atë gjykatë, ka pasur dhe një rast tjetër ku kemi pasur presione dhe ndërhyrje nga Komitetit Qendror dhe vetë Enver Hoxha, për të dënuar dy nga bashkëpunëtorët më të afërt të tij në Parti dhe qeveri. Këta ishin, gjeneral-leitnat Tuk Jakova, dhe gjeneral-major Bedri Spahiu, të cilët deri në atë kohë kishin mbajtur funksione të larta, si: Sekretarë të Komitetit Qendror, Zv Kryeministër, dhe Ministra. Përveç këtyre posteve, Tuku dhe Bedriu, kishin dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në Luftë, dhe Tuk Jakova, ishte i pari person që mbas luftës iu dha titulli “Hero i Popullit”.

Ku e ka zanafillën prishja e marrëdhënieve të Enverit me Tukun dhe Bedriun?

Nuk e di me saktësi se kur ka filluar prishja e marrdhënieve të Enverit me Tukun dhe Bedriun, por acarimi i hapur mes tyre ka filluar aty nga viti 1956, pas Konferencës së Tiranës, kur Tuk Jakova, bëri një vizitë në shtëpinë ku ishte themeluar Partia. Gjatë kësaj vizite së bashku me të ishin dhe Abdyl Këllezi dhe, gjeneral-major Hito Çako. Kur vizituan dhomën muze, ku ishte mbajtur mbledhja themeluese e 8 Nëntorit 1941, karriget ku ishin ulur dikur të gjithë pjesëmarrësit e asaj mbledhjeje, ishin hequr, dhe në muret e asaj dhome ishin vënë fotografitë e anëtarëve të Byrosë Politike të asaj kohe. Tuk Jakova si njeri i drejtë dhe shumë i ndershëm që ishte, u indinjua nga ai veprim që ishte bërë, duke e quajtur atë falsifikim dhe mashtrim historik. Ai iu drejtua Abdylit dhe Hitos duke iu thënë: “Çfarë do në këtë dhomë të mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare, portreti i Spiro Kolekës, kur ai në këtë kohë ka qenë anëtar i Grupit të Zjarrit në Korçë”?!

Nga kjo pakënaqësi e Tukut që e shprehu në sy të Këllezit dhe Çakos, vajti fjala lart tek Enver Hoxha?

Jo, ata ishin shokë të afërt të Tukut, dhe nuk u ndjenë asnjëherë për këtë problem, që Tuku do ta vazhdonte vetë. Sapo u kthye në vilën e tij pas asaj vizite që bëri tek Shtëpia e Partisë, ai mori në telefon Bedri Spahiun që asokohe ishte Ministër i Arsimit, dhe ai iu ankua Bedriut për problemin e heqjes së emrave të mbledhjes themeluese të PKSH-së. Bedriu e sqaroi Tukun se ai nuk dinte gjë për këtë problem, pasi prej disa kohësh, muzetë nuk ishin më në varësinë e Ministrisë së Arsimit. Ato kishin kaluar në kompetencën e Drejtorisë së Propagandës në Komitetin Qendror të PPSH-së, ku drejtoreshë ishte Nexhmije Hoxha. Por Bedriu i sugjeroi Tukut se atë problem mund ta ngrinte në mbledhjen e Byrosë, ku Tuku ishte vetë anëtar.

E ngriti Tuku atë problem në Byronë Politike?

Tuku, e ngriti atë problem në mbledhjen më të afërt të Byrosë Politike. Gjatë diskutimit të tij në këtë mbledhje, ai kishte shkruar disa pika në një paketë cigaresh, për ato që do diskutonte. Përveç problemit të heqjes së emrave të pjesëmarrësve të mbledhjes themeluese të PKSH-së, Tuk Jakova shkoi më larg duke akuzuar vetë Enver Hoxhën, për disa probleme me shumë rëndësi që deri atëherë nuk kishte guxuar njeri që t’i bënte publike në ndonjë mbledhje byroje.

Konkretisht, për çfarë e akuzoi Tuku, Enver Hoxhën?

Tuku, në fillim të diskutimit të tij, pasi shtroi problemin e heqjes së emrave, iu drejtua Enverit me një lumë akuzash duke i thënë: “Ti Enver Hoxha, nuk je zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i PKSH-së, në 8 Nëntor 1941, por këtë gjë e ke sajuar ti, për të ngritur kultin tënd. Në Parti, ne kemi pasur kult individi dhe ende kemi, por e kemi kaluar shpejt atë vetëm me një qarkore”. Po kështu pas këtyre akuzave Tuku i propozoi Enverit dhe Byrosë Politike, që ata duhet të ndaleshin dhe të diskutonin rishikimin e marrëdhënieve me jugosllavët, sipas premtimeve që i kishin dhënë Hrushovit.

Si reagoi Enver Hoxha pas akuzave që i bëri Tuku, dhe cilat ishin premtimet që i kishin bërë Hrushovit?

Pas akuzave që iu bënë Enverit në mbledhjen e Byrosë, ai iu drejtua Tukut, duke thënë se ato probleme ai duhet t’i ngrinte në mbledhjen e Pleniumit të Komitetit Qendror dhe për to duhet të përgatitej tamam dhe jo t’i mbante në një paketë cigaresh, sepse ishte jo serioze, dhe për këto problem të gjykonte dhe të vendoste Partia. Propozimi i Enverit u mbështet nga Byroja Politike, e cila vendosi që ato probleme të shtroheshin në Komitetin Qendror. Kurse për sa i përket problemit të premtimeve që ata i kishin dhënë Hrushovit, konsistonte në rishikimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë. Pas vdekjes së Stalinit, Hrushovi ndoqi një politikë liberale ndaj saj, (Jugosllavisë) dhe i kërkoi Enverit po të njëjtën gjë dhe ai premtoi që këtë gjë do ta shtronte në Byronë Politike dhe Komitetin Qëndror.

A e ngriti Enveri këtë problem në Byronë Politike?

Enveri nuk e ngriti asnjëherë në Byronë Politike këtë problem, pra atë të rishikimit të marrëdhënieve me Jugosllavinë, sipas porosisë së Hrushovit. Lidhur me këtë gjë Tuku i shkroi një letër të gjatë Hrushovit të cilën, ia dërgoi me anë të ambasadorit sovjetik në Tiranë. Por siç duket, letrën origjinale, ambasadori rus, i’a dërgoi Enver Hoxhës.

Këtë letër, Tuku e shkruajti pas vizitës që bëri në Shtëpinë e Partisë, apo përpara saj?

Jo, letra që Tuku i bëri Hrushovit, është shumë kohë më pas vizitës që ai bëri tek Shtëpia e Partisë. Pas asaj letre që Tuku, deshi t’i dërgonte Hrushovit, por që përfundoi tek Enver Hoxha, ai tentoi përsëri që t’i çonte një letër atij. Letra e dytë bënte fjalë për politikat që ndiqte Enver Hoxha dhe ajo, u bë shkak që marrëdhëniet e tyre të acaroheshin dhe të përfundonin me ato akuza që Tuku ia adresoi në Byronë Politike. Pra Tuku ishte i mbushur kur ia adresoi Enverit ato akuza në Byronë Politike.

A i ngriti Tuku në Komitetin Qendror akuzat ndaj Enver Hoxhës?

Pas mbledhjes së Byrosë, Tuku i ngriti ato probleme e akuza edhe në Pleniumin e Komitetit Qendror të PPSH-së. Pas fjalëve të tij, u ngritën disa anëtarë të Komitetit Qendror dhe i dolën në mbrojtje Enverit, duke folur kundër Tukut.

Kush ishin ata?

I pari që u ngrit kundër tij ishte Pirro Kondi. Në pushimin e drekës së këtij Pleniumi, disa nga anëtarët e Byrosë Politike shkuan dhe i shtrënguan dorën Tukut. Njëri prej tyre ishte vetë Ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, i cili i tha: “Kurajo shoku Tuk, Partia është me ty”. Po atë ditë kur antarët e Byrosë Politike po shkonin në pushimin e drekës, Bedri Spahiu, hipi në makinën e Manush Myftiut dhe i tha atij për ato probleme që Tuku i ngriti. Manushi kishte dijeni për këto probleme shumë më përpara dhe i tregoi për punën e telefonatës që i kishte bërë Tuku në lidhje me heqjen e emrave në Shtëpinë e Partisë. Pasi Bedriu zbriti nga makina, Manushi shkoi drejt e tek Enver Hoxha dhe ia tregoi të gjitha ato që i kishte thënë ai.

Ç’ndodhi me rifillimin e mbledhjes…?

Kur rifilloi përsëri mbledhja e Pleniumit pas pushimit të drekës, Enver Hoxha u ngrit dhe pyeti: nëse Tuk Jakova i kishte biseduar me ndonjë antar të Komitetit Qendror ato probleme, dhe a kishte njeri dijeni për ato gjëra. Pas kësaj fjale të Enverit, Bedri Spahiu që kishte dijeni, nuk foli fare. Atëherë, Enveri iu drejtua Bedriut duke i thënë: “Po ti Bedri Spahiu, a ke biseduar gjë me shokun Tuk për këto probleme”? Akoma pa marrë përgjigje nga Bedriu, Enveri filloi të kritikonte atë, duke i thënë se pse nuk e kishte njoftuar Partinë për këto probleme?!

Si iu përgjigj Bedriu?

Atëherë Bedriu iu çua Enverit, duke i thënë: “Ti Enver, po gjen rastin për të më kritikuar mua, ato nuk janë fjalët e mia por fjalët e Tukut, dhe unë nuk i’u heq asnjë presje atyre. Ti je një autoritar, dhe është e vërtetë që ti nuk je zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm në 1941-in. Ti ke ushqyer vetë kultin e individit dhe dhe nuk je gjë tjetër veçse një gjarpër i rrezikshëm”. Pas fjalëve të Bedriut, Enveri, u përpoq që ta zbuste disi gjëndjen dhe në pushimin e mbledhjes, i’u afrua Bedri Spahiut duke i futur krahun dhe i tha: “Bedri mos harro kurrë fjalët e Koçi Xoxes që na akuzonte, kur thoshte dyshja Spahiu-Hoxha”. Enveri donte ta zbuste Bedriun pas atyre akuzave që ai i bëri në atë mbledhje, por Bedriu nuk u tërhoq.

Nga i dini ju këto gjëra, pra rreth atij debate që u bë në Byronë Politike?

Të gjitha këto dolën në gjyqin ndaj tyre.

Si rrodhën më pas ngjarjet me Tukun dhe Bedriun?

Mbas asaj mbledhjeje, Tuku me Bedriun u përjashtuan të dy nga Komiteti Qendror i PPSH-së, si dhe u shkarkuan nga të gjitha funksionet që kishin. Tukun fillimisht e dërguan në Berat, si përgjegjës në një zdrukthëtari, kurse Bedriun në Elbasan, në një ndërmarrje grumbullimi. Më pare, ata të dy i kishin përjashtuar edhe nga Partia. Aty në Elbasan u organizua dhe gracka e tyre për t’i arrestuar. Tukun nga Berati e dërguan për t’u furnizuar me dërrasa në Elbasan. Aty i thanë se ato do t’i merrte të nesërmen, pasi nuk i kishin gati. Tuku atë natë shkoi për të fjetur tek shtëpia e Bedriut së bashku me familjen dhe aty i arrestuan si “Grup Armiqësor”.

Ju morët pjesë në gjyqin e tyre?

Po, në gjykimin e tyre në prillin e vitit 1957, u ngarkua Aranit Çela që ishte Kryetar i Gjykatës së Lartë, unë si nënkryetar, dhe Loni Dimoshi.

A ju dhanë porosi apo udhëzime nga “lart” për dënimin e tyre?

Para gjyqit Aranitin e thirrën në Komitetin Qendror të PPSH-së dhe Haki Toska i tha: “Dënojini me vdekje Tukun dhe Bedriun, pasi ne nuk do t’i pushkatojmë, pasi do t’i fali Partia”.

Araniti ua tha juve këto porosi?

Po na i tregoi, sepse edhe ne duhet të ishim në të njëjtin qëndrim me të dhe kur na i tha Araniti fjalët e Hakiut, unë dhe Loni, ngulëm këmbë që nuk kishte fakte për t’i dënuar ata me vdekje. “E hëngrëm njiherë atë gjë me Lirinë dhe Daliun”, i thamë ne Aranitit.

Si iu përgjigj Araniti?

Pas fjalëve tona, Araniti që ishte dhe vetë i lëkundur, shkoi përsëri në Komitetin Qendror tek Haki Toska dhe i tha: “Unë e zbatoj porosinë e Partisë për dënimin e Tukut dhe Bedriut, por kam kundër dy anëtarët e tjerë”. Hakiu nuk dinte ç’të thoshte dhe së bashku me Aranitin, shkuan në Durrës ku Enveri ishte me pushime. Siç na tregonte Araniti, Enveri i priti në takim ata të dy ata dhe ftoi edhe Mehmetin, Hysniun, e Beqirin. Edhe vetë Enveri ishte i lëkundur dhe pranoi propozimet tona për të mos i dënuar ata të dy me vdekje, pasi nuk kishte fakte. Enveri i tha Aranitit: “Mirë, mirë, mos i dënoni me vdekje, por Bedriun meqë nuk ka bërë autokritikë, dënojeni më shumë”. Dhe me kaq u mbyll ai takim disa minutash dhe Araniti erdhi urgjent në Tiranë.

Ju e zbatuat porosinë e Enverit për dënimin e tyre?

Po patjetër që e zbatuam, pasi nuk kishim rrugë tjetër. Sipas porosisë, Tukun e dënuam me 20 vjet burg, ndërsa Bedriun me 25 vjet.

Po gjatë procesit gjyqësor, a i qëndruan ata akuzave që kishin bërë për Enver Hoxhën?

Bedri Spahiu i qëndroi të gjitha atyre që kishte thënë për Enverin, dhe kur ju kërkua fjala e fundit në gjyq, ai tha: “Ky gjyq është formal, se dënimin tonë e ka dhënë Enver Hoxha”. Po kështu, burrërisht qëndroi në gjyq edhe Tuku, i cili njihej për respektin që gëzonte, sidomos pas përpjekjes së armatosur që bëri me bandën e armatosur në Milot, që i doli përpara makinës së tij për ta vrarë. Dhe pas atij dënimi dihet tashmë historia e tyre: Bedriu e vuajti të gjithë dënimin, ndërsa Tuku vdiq në burg në 26 gusht të vitit 1959, në rrethana shumë të dyshimta.

A ka pasur ndonjë rast tjetër kur Komiteti Qendror dhe vetë Enver Hoxha kanë ndërhyrë për të dënuar ndonjë me vdekje?

Gjatë atyre dhjetë vjetëve që kam qenë në Gjykatën e Lartë, unë nuk di që të ketë pasur ndonjë rast tjetër. Por këto dy raste, ku kam qenë vetë prezent dhe të gjitha këto gjëra që u kam deklaruar publikisht juve si gazetar, ua them me përgjegjësi morale dhe ligjore, pasi ato janë një njollë e rëndë në historinë e Gjykatës së Lartë shqiptare.

Po juve personalisht ju kanë thirrur në Komitetin Qendror për t’ju porositur që të dënoni ndonjë njeri?

Jo vetëm mua, por mesa di unë përveç këtyre dy rasteve, asnjë koleg tjetër për aq kohë sa kam qënë unë nuk është thirrur në Komitetin Qendror për porosi të tilla.

Po ju personalisht, a keni pasur probleme me regjimin komunist?

Jo vetëm që kam pasur, por jam arrestuar dhe në procesin hetimor më janë bërë akuza shumë më të rënda se këto që ne i bëmë, Dali Ndreut, Liri Gegës, Tukut e Bedri Spahiut, sipas porosive udhëzimeve që na vinin nga Enver Hoxha, kam kaluar tmerre, pasi…/Memorie.al

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën