Dr.Besian Abazi: Shtatzënia dhe 
ndikimi i saj në shëndetin e gojës

Dr.Besian Abazi: Shtatzënia dhe <br />ndikimi i saj në shëndetin e gojës<br>
Shtatzënia është një etapë unike e jetës së femrës dhe karakterizohet nga një proces fiziologjik dinamik. Si e tillë, organizmi i femrës pëson ndryshime shumë të shpejta. Gjatë kësaj periudhe femrat kanë nevojë për mbështetje mjekësore, monitoruese, parandaluese, fizike dhe emocionale. Ato kanë aq shumë gjëra për të menduar gjatë kësaj periudhe sa që mund të lënë pas dore shëndetin e gojes, i cili mund të preket nga ndryshimet hormonale, ashtu sikurse gjithë organizmi. Por, nuk mund të ketë shëndet të plotë pa patur më parë edhe një shendet te mire te gojes.

Ekziston një legjende se gjatë shtatzënisë femrat nuk duhet të shkojnë tek dentisti dhe të mos trajtojnë problemet e gojës sepse mund të jetë e rrezikshme për beben. Në të vërtetë, kjo ide është e gabuar dhe mund të ketë pasoja tek nëna në një moment të dytë. Vetëm një pjesë e vogël e procedurave dentare nuk mund të kryhet tek këta pacientë. Përvec përkujdesjes së gojës që duhet të kenë femrat shtatzënë, edukimi i tyre për masat parandaluese është shumë i rëndësishëm edhe për të porsalindurit e tyre. Studimet tregojnë se shumë foshnje dhe fëmijë marrin bakteret shkaktare të kariesit nga mamate e tyre. Pikërisht, informimi dhe edukimi i nënave në pritje të foshnjes është faktor kyc në shëndetin e gojës së tyre dhe të foshnjeve në të ardhmen.

Problemet më të shpeshta që hasen nga këta pacientë, në shumicën e rasteve përbëjnë një përkeqësim të patologjive ekzistente se sa fillime të reja. Problemi më i shpeshtë është “gingiviti i shtatzënise”. Kjo përbën një inflamacion ose një “acarim” në dukje të mishrave të dhëmbëve që prek rreth 40% të fermave gjatë shtatzënisë. Mund të preken 1-2 dhëmbë por edhe më shumë. Shpesh herë, kjo situatë mund të përkeqësohet duke qënë se furcimi i dhëmbëve bëhet edhe më i veshtirë si pasojë e gjakrrjedhjes nga mishrat. Si e tillë, femrat shtatzënë tremben dhe hezitojnë të furcojne apo të perdorin fillin dentar. Situatë e cila përkeqësohet akoma më shumë dhe sigurisht, një konsultë me mjekun stomatolog do të ishte e nevojshme në këtë pikë. Një patologji tjetër është granuloma piogjenike.

Ky term përfshin një strukturë në forme polipi apo sferike e cila mund të vihet re kryesisht në mishin e dhëmbëve ndërmjet dy dhëmbëve. Mund të shfaqet në cdo periudhë të shtatzënisë, por në shumicën e rasteve haset në shtatzëninë e parë gjatë tremujorit të parë dhe të dytë. Megjithëse përfshihet si patologji e lidhur ngushtë me shtatzëninë, frekuenca e shfaqjes së tyre është e ulet dhe varion nga 0% deri në 9.6%. Gjithësesi, në rastet kur ajo shfaqet nevojitet një vizitë specialistike pranë mjekut stomatolog për të qënë të sigurtë. Nënat e reja duhet të kenë parasysh se kjo përben një situatë pa rrezik. Në shumicën e rasteve ajo zhduket vetë, ose mund të hiqet nëpërmjet një ndërhyrje kirurgjikale të vogel nëpërmjet anestezisë lokale.

Një problem tjetër që haset në këto femra është edhe erozioni dentar. Erozioni shakton gërryerjen e dhëmbëve si pasojë e acidit që bartet nga të vjellat që mund të ketë femra shtatzënë. Zakonisht preken sipërfaqet e brendshme të dhëmbëve frontalë. Për të parandaluar këtë efekt, keshillohet që menjhere pas të vjellës të shpelahet goja me një gotë me ujë me një lugë të vogël bikarbonat natriumi (sodë buke) të tretur më parë në të. 
 
Si përfundim, mund të themi se goja ashtu si pjesët e tjera të organizmit, mund të preket nga ndryshimet hormonale që shfaqen gjatë shtatzënisë. Është shumë e rëndësishme që femrat shtatzënë të tregojnë vëmëndje dhe kujdes të vecantë ndaj shëndetit të dhëmbëve dhe gjithë gojës gjatë gjithë shtatzënisë. Gjithashtu, për çdo pyetje apo paqartesi, nuk duhet hezituar konsulta me dentistin e tyre apo me specialistin e patologjive orale. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media amerikane “CN Traveler”: Plazhet më të mira në Shqipëri

Media amerikane “CN Traveler”: Plazhet më të mira në Shqipëri