Kryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri tha gjatë mbledhjes se bashkë me opozitën, kanë vendosur të dalin në një draft të përbashkët. Ai u shpreh se shëndeti financiar i partive dhe konsolidimi i tyre lidhet drejtpërdrejt me forcimin e demokracisë.

“Me opozitën kemi vendosur të dalim në një draft të përbashkët që ky ligj të mos ketë inate partizane, por rregulla të gjithëpranuara. Shëndeti financiar i partive, është një nga gjërat më të rëndësishme në një demokraci. Sa më të konsoliduara partitë, aq më e konsoliduar demokracia. Duhet transparencë për burimet financiare dhe të parandalojmë financime nga interesa biznesi të lidhura me pushtetit, interesa të shteteve të tjera apo nga krimi”, tha Gjiknuri.

Ndërsa bashkëkryetari Oerd Bylykbashi mbështeti rëndësinë e transparencës për shmangien e korrupsionit dhe ndikimin e faktorëve kriminalë e të huaj.

“Ndryshimet janë bërë në kohë të ndara. Dua të theksoj, pa hyrë në detaje, se funksionimi i partive politike është çështje thelbësore dhe kushtetuese, po aq sa transparenca e financimeve. Partitë janë organizma që shërbejnë për pluralizmin demokratik. Kjo është kërkesë kushtetuese dhe besoj se të gjithë ndajmë mendimin se transparenca është një formë e mirë për të shmangur korrupsionin dhe influencat e faktorëve kriminalë apo të huaj", tha ai.


Lajmi kryesor:

‘Zgjedhorja’, Gonzato: Parakusht për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, vija dalluese mes shtetit e partisë duhet të jetë qartësisht e theksuar! Transparencë për financimin