Nuk është thjesht një dokumentar lufte, por një portret intim i rezistencës njerëzore, ku arti shndërrohet në akt mbijetese. Mes rrënojave, tymit dhe pasigurisë së përditshme, lindin figura delikate prej porcelani: të brishta, por të pathyeshme.
Me regji nga Slava Leontyev dhe Brendan Bellomo, filmi 90 minutësh ndjek tre artistë në Kharkiv, të cilët, ndërsa qyteti i tyre bombardohet, zgjedhin të qëndrojnë. Ata krijojnë, mësojnë, filmojnë dhe dokumentojnë realitetin përreth, duke dëshmuar se kultura dhe identiteti nuk mund të zhduken me forcë. Përmes skenave që ndërthurin jetën e përditshme me tensionin e luftës, dokumentari sjell kontrastin mes bukurisë së artit dhe brutalitetit të konfliktit.
Fitues i Çmimit të Madh të Jurisë në Sundance dhe i nominuar për Academy Awards 2025, dokumentari sjell një perspektivë njerëzore të luftës.
“Filmi i sotëm është një kujtesë e rëndësishme. Lufta nuk është luftë vetëm në fushën e betejës. Lufta do të thotë gjithashtu sulme brutale kundër civilëve, kundër infrastrukturës civile dhe energjetike. Në kohë si kjo, arti bëhet një formë rezistence. Ai ruan njerëzimin kur armiku përpiqet ta shkatërrojë atë. Ai regjistron të vërtetën për brezat e ardhshëm. Dhe ndihmon botën ta shohë Ukrainën jo vetëm përmes statistikave të luftës, por edhe përmes fateve njerëzore.”, tha Volodymyr Shkurov, ambasadori i Ukrainës në Shqipëri.
“Filmi flet për luftën dhe shkatërrimin, por zbulon gjithashtu forcën dhe qëndrueshmërinë e popullit ukrainas. Tregon se si edhe ironia mund të jetë një armë përballë agresionit. Shpresoj ta shijoni këtë shfaqje.”, u shpreh Silvio Gonzato, Ambasador i BE-së në Shqipëri.
“Porcelain War” nuk është vetëm një dokumentar për luftën, por është një histori mbi dinjitetin, krijimtarinë dhe fuqinë për të mbetur njeri edhe në kohët më të errëta, si një mesazh solidariteti dhe shprese.
Komente












