Njëzet e shtatë vendet anëtare të Bashkimit Evropian e lëshuan një deklaratë të përbashkët duke shprehur “shqetësimin më të thellë” pasi ministrat e Jashtëm të bllokut u mblodhën online për gati tre orë për të biseduar lidhur me sulmin amerikano-izraelit ndaj Iranit gjatë fundjavës dhe reagimin e mëpasshëm ushtarak të Teheranit ndaj disa vendeve në rajon.
Deklarata, e publikuar më 1 mars, pasqyron ndikimin e kufizuar të BE-së në rajon dhe rolin e saj të zbehur si aktore në politikën e jashtme.
Kriza ka vënë në pah përçarjet e brendshme në BE.
Kriza, siç pritej, shkaktoi një valë takimesh në Bruksel, edhe pasi postimit fillestar të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në X, ku ajo njoftonte se do t’i mblidhte fillimisht ekspertët e sigurisë në komisionin e saj të hënën, u prit me tallje në internet, ku u tha se madje as lufta nuk i bën evropianët ta flijojnë kohën e tyre të lirë.
Blloku do të përpiqet ta zhvillojë një takim ministror me Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit më vonë gjatë javës, ndërsa Qiproja, e cila mban presidencën e radhës të BE-së, thirri një takim të Mekanizmit të Integruar të Reagimit Politik ndaj Krizave për 3 mars, i cili ishte mbledhur më parë gjatë fazave të hershme të luftës në Ukrainë, shpërthimit të Covid-it dhe krizës së migracionit të vitit 2015.
Çështja kyçe do të jetë bashkërendimi i ndihmës konsullore për të kthyer qytetarët e BE-së nga rajoni i Lindjes së Mesme.
Vetë Qiproja u detyrua ta minimizojë kërcënimin e mundshëm ndaj Nikozisë pasi një dron iranian shënjestroi një bazë britanike në ishull.
Ajo lëshoi një deklaratë duke pretenduar se “nuk ka asnjë tregues që vendi ishte nën kërcënim”.
Çfarë tjetër mund të bëjë BE-ja?
Bashkimi Evropian ka vendosur tashmë të gjitha llojet e sanksioneve ndaj Iranit, përfshirë shpalljen e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) si organizatë terroriste rishtazi.
Shefja e politikës së jashtme, Kaja Kallas, dha idenë e zgjerimit të misionit detar të bllokut, Aspides.
Ky mision nisi dy vjet më parë për t’u përballur me sulmet e huthëve ndaj anijeve ndërkombëtare.
Megjithatë, misioni është thjesht mbrojtës dhe synon rritjen e mbikëqyrjes detare dhe shoqërimin e anijeve tregtare. Ai nuk do të ishte në gjendje, për shembull, të parandalonte bllokimin e Ngushticës së Hormuzit.
Në vend të kësaj, blloku duhet të përpiqet të qëndrojë në një linjë të përbashkët. Vende e E3-shës, Franca, Gjermania dhe Britania, e cila nuk është në BE, janë zotuar tashmë për t’i ndihmuar Shtetet e Bashkuara nëse është e nevojshme.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, tha se nuk është koha “t’u mbajmë leksione partnerëve dhe aleatëve tanë”, ndërsa në anën tjetër të spektrit, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, dënoi sulmet amerikano-izraelite dhe këmbënguli që deklarata e BE-së duhet të përmendë se “e drejta ndërkombëtare duhet të respektohet plotësisht”.
Paralelisht, Hungaria dhe Sllovakia shfrytëzuan diskutimin për Iranin dhe perspektivën e rritjes së çmimeve të naftës për të shtyrë rifillimin e rrjedhës së naftës përmes tubacionit Druzhba.
Këto dy vende pa dalje në det i kërkuan Komisionit Evropian të ushtrojë trysni më të madhe ndaj Ukrainës për ta riparuar infrastrukturën e epokës sovjetike, ndërsa kundërshtarët e Rusisë në Evropën Veriore dhe Lindore kundërshtuan duke theksuar se Kremlini do të përfitojë nga çmimet më të larta dhe kërkuan që ndalimi detar ndaj Moskës - i bllokuar nga Hungaria dhe Sllovakia - të miratohet me shpejtësi.
Me fjalë të tjera, BE-ja fatkeqësisht është shumë e përfshirë në interesat dhe përçarjet e saj të brendshme për të paraqitur diçka konkrete së shpejti/REL
Komente












