Islanda do të mbajë një referendum në muajt e ardhshëm për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Kryeministrja Kristrun Frostadottir tha në një konferencë për shtyp në Poloni, gjatë një takimi me Donald Tusk se vendi po punon për referendumin mbi rihapjen e mundshme të negociatave për t’u pranuar në union.

“Në muajt e ardhshëm do të kemi një referendum për hapjen e negociatave, negociatat e pranimit për Islandën që ndoshta të bashkohet me BE-në”, tha Frostadottir.

Kërcënimet e përsëritura nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për të aneksuar Groenlandën, e cila ndodhet midis Islandës dhe Shteteve të Bashkuara, e kanë bërë gjithashtu çështjen e anëtarësimit në BE më urgjente për Islandën.

Referendumi do të mbahet muajt e ardhshëm dhe rezultati do të vendosë nëse kombi ishullor do të ndjekë rrugën europiane të integrimit.

Qeveria e qendrës së majtë e Islandës, e cila erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të parakohshme në vitin 2024, kishte premtuar të mbante një referendum jo më vonë se vitin e ardhshëm për rifillimin e bisedimeve me Bashkimin Europian.

Frostadottir tha se rihapja e bisedimeve kishte të bënte me “hapjen e një mundësie” për Islandën dhe ndjekjen e një integrimi më të mirë për vendin në Evropë.

Islanda është tashmë pjesë e tregut të vetëm të bllokut, zonës së udhëtimit me kufij të hapur Shengen dhe Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë dhe është gjithashtu anëtare e NATO-s.

Rejkjaviku braktisi bisedimet e anëtarësimit në BE në vitin 2013 pas katër vitesh negociatash, por një rritje e kostos së jetesës dhe lufta në Ukrainë kanë ndihmuar në ringjalljen e interesit të kombit ishullor për t'u bashkuar me bllokun, tregojnë sondazhet e opinionit.