Propozimi i PS për reformën territoriale ruan krahinat dhe identitetin e bashkive, shprehet Ardit Bido përmes një reagimi në rrjetet sociale ku shihet duke nënshkruar pr.ligjin e ri. Konkretisht, ai u referohet bashkive Sarandë, Delvinë, Konispol, Himarë e Finiq për të cilat ka përsëritur vazhdimisht rëndësinë e ruajtjes së identitetit të tyre.

Më tej, u kthen përgjigje partive të vogla të opozitës si dhe PD që përhapën frikë në opinionin publik, teksa thekson se kjo “nuk pi ujë” kur qytetarët përfaqësohen në parlament.

“Saranda, Delvina, Konispoli, Himara dhe Finiqi mbeten bashki më vete.

Si një prej nismëtarëve të projektligjit për reformën territoriale, sot hodha firmën për një ndarje që respekton historinë, identitetin dhe vullnetin e qytetarëve. Partizat oportuniste, bashkë me PD-në, duhet të japin llogari për helmin që përhapën në opinionin publik.

Saranda, qendra bashkëkohore e jugut; Delvina, qendra historike e tij; Konispoli, bashkia e mbetur e Çamërisë; Himara, qendra e Labërisë bregdetare; dhe Finiqi, përfaqësimi dinjitoz i minoritetit, do të mbeten bashki më vete. Lumi i Vlorës i takon Vlorës. Prandaj, me kërkesën e banorëve, Selenica do të bashkohet me Vlorën.

Sot marrin përgjigje kasandrat politike të Partisë Demokratike dhe partizat oportuniste, që përhapën frikë se Çamëria e Konispolit, Labëria e Delvinës, Mirdita apo Skrapari do të zhdukeshin. Nuk zhduket asnjë krahinë, nuk fshihet asnjë identitet dhe nuk braktiset asnjë komunitet. Helmatisja e opinionit publik nuk pi ujë aty ku qytetarët kanë zë dhe përfaqësues në Parlament që u dalin zot”, shprehet Bido.


Lajmi kryesor:

Reforma territoriale, Report Tv siguron draftin e PS! Shkrihen 15 bashki, nga 61 të shkojnë në 46! Mbeten 12 qarqe! Qyteti nivel i ri qeverisës, Rinasi i shtohet Tiranës (TABELAT)