Drafti në Kuvend/Kurse e arsim 
profesional edhe nё zonat rurale

Drafti në Kuvend/Kurse e arsim <br />profesional edhe nё zonat rurale
Në Kuvendin e Shqipërisë, qeveria ka depozitar një ligj të ri për arsimin profesional. Nisma e synon të krijojë dhe të zhvillojë një sistem të njësuar të arsimit profesional që t’iu përgjigjet ndryshimeve social-ekonomike dhe teknologjike, në përputhje të plotë me nevojat e tregut vendas e global të punës. Projektligji gjithashtu ka si qëllim përmirësimin e kuadrit ligjor ekzistues, për përshtatjen e tij me programin e ri të qeverisë, nё bazё tё tё cilit do tё riorientohen tёrёsisht arsimi dhe formimi profesional, drejt nevojave reale tё tregut dhe kthimi i shtetit nё financues e mbёshtetёs kryesor tё aftësimit profesional. Sistemi mbi tё cilin do tё mbështetet reforma bazohet nё eksperiencën e sistemit dual gjerman, qё karakterizohet nga njё ndërthurje e mësimit teorik me punё praktike.

Zonat rurale  
Për herë të parë, arsimi profesional nuk do të kufizohet vetëm në zonat e mëdha urbane, por do të shtrihet në zona rurale. Kurset dhe arsimi profesional do tё zgjerohen nё zonat rurale për t’i dhёnё nxitjen e nevojshme industrisë agropёrpunuese. Ligji parashikon gjithashtu se arsimi dhe formimi profesional publik do të financohen nga buxheti i shtetit, nga të ardhurat e gjeneruara nga vetë ofruesit publikë të AFP-së, nga kontributet vullnetare të punëdhënësve dhe punëmarrësve, nga kontributet e donatorëve dhe nga sponsorizimet. Të ardhurat e gjeneruara nga ofruesit e arsimit dhe formimit profesional publik administrohen në masën 100 për qind nga vetë institucioni i arsimit dhe formimit profesional.

Ndryshimi i sistemit
Sistemi ka pësuar ndryshime thelbësore. Ai përbëhet nga arsimi profesional i mesëm me disa nivele shkollimi, arsimi profesional pas të mesëm (post sekondar), formimi profesional si dhe arsimimi i të rriturve. Struktura e re e arsimit profesional bazohet në strukturën e kualifikimeve profesionale, të parashikuara nga Korniza Shqiptare e Kualifikimeve (KSHK), e cila ka si qëllim zhvillimin, njohjen dhe dhënien e kualifikimeve në Shqipëri, bazuar në standardet e njohurive, të shprehive dhe kompetencave që duhet të arrijnë nxënësit, studentët dhe kursantët. Për administrimin, funksionimin dhe mbarëvajtjen përmbajtjesore të sistemit të arsimit profesionale do të ketë dy institucione kryesore: Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive veç detyrave të tjera të përcaktuara nga ligje të tjera, janë përgjegjëse për të gjitha aspektet e menaxhimit që lidhen me ofruesit publikë të AFP-së si dhe Agjencia Kombëtare e AFP-së dhe Kualifikimeve, e cila është përgjegjëse për krijimin e sistemit kombëtar të kualifikimeve profesionale dhe zhvillimin e vazhduar profesional të mësuesve.
 
Pjesë nga projektligji për arsimin profesional
 
Neni 9
Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive
1. Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, veç detyrave të tjera të përcaktuara nga ligje të tjera, është përgjegjëse për aspektet e menaxhimit që lidhen me ofruesit publikë të AFP.
2. Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive është e ngarkuar me mbajtjen e një regjistri me certifikatat përfundimtare dhe me suplementet e certifikatave të lëshuara nga ofruesit e AFP-së dhe kryerjen e studimeve për gjurmimin e të diplomuarve të AFP-së.
 
3. Organizimi, funksionimi dhe kompetencat e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
Neni 10
Kompetencat e Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve
1. Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve është institucioni publik përgjegjës për krijimin e sistemit të unifikuar të kualifikimeve profesionale të njohura në nivel kombëtar bazuar në Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve, si dhe për kualifikimin e trajnimin e vazhduar të mësuesve/instruktorëve të arsimit profesional.
2. Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve ka këto kompetenca:
a) Harton dhe mirëmban Listën Kombëtare të Profesioneve;
b) Harton dhe mirëmban Katalogun Kombëtar të Kualifikimeve Profesionale për nivelet 2-5 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve;
c) Harton programet kombëtare dhe materiale mbështetëse për kualifikimet profesionale të niveleve 2-5 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve;
ç) Harton programet e kurseve të unifikuara të formimit profesional publik;
d) Monitoron kualifikimin e vazhduar tё personelit mёsimdhёnёs të kulturës profesionale tё ofruesve tё AFP-së;
dh) Harton standardet, kriteret dhe procedurat e akredimit të ofruesve të AFP-së;
e) Akrediton ofruesit e AFP-së për kualifikimet profesionale të niveleve 2-5 të KSHK-së;
ë) Përcakton kriteret e vlerësimit dhe certifikimit për nxënësit në sistemin e AFP-së.
3. Organizimi dhe veprimtaria e Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
Neni 12
Ofruesit e AFP-së
1. AFP-ja ofrohet nga institucionet publike dhe private.
2. Institucionet ofruese të AFP-së janë:
a) shkollat e mesme profesionale;
b) qendrat shumëfunksionale të AFP-së;
c) qendrat e formimit profesional;
ç) institucionet e specializuara të AFP-së për grupet e veçanta;
d) shoqëritë tregtare;
dh) institucionet e tjera të licencuara dhe/ose të akredituara ose individët.
3. Ofruesit e AFP-së ofrojnë shërbimet e mëposhtme:
a) Programe të arsimit dhe formimit profesional për të rinjtë dhe të rriturit;
b) Trajnim sipas kërkesës për kompanitë;
c) Trajnim për aftësitë bazë, trajnim për kompetencat specifike kyçe;
ç) Njohjen e të nxënit të mëparshëm;
d) Shërbime të tjera që lidhen me profilin e ofruesit.
4. Mënyra e organizimit dhe veprimtaria e institucioneve të AFP-së rregullohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për AFP-në.
 
Neni 24
Sistemi i sigurimit të cilësisë
1. Sigurimi i cilësisë është një proces i vazhdueshëm që synon të përmirësojë efikasitetin dhe efektivitetin e sistemit të AFP-së. Ai përfshin licencimin, akreditimin dhe inspektimin e ofruesve të AFP-së, vetëvlerësimin, monitorimin dhe raportimin nga ofruesit e AFP-së, si dhe një vlerësim në intervale të caktuara të të gjithë sistemit të AFP së nëpërmjet institucionit përkatës për AFP-në.
2. Procedurat për sigurimin e cilësisë së kualifikimeve në Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve rregullohen me ligjin për KSHK-në.
 
Neni 25
Akreditimi
1. Akreditimi është një procedurë sistematike, së cilës i nënshtrohen ofruesit publikë të AFP-së. Ofruesit jopublikë të AFP-së i nënshtrohen një procesi akreditimi vetëm në rast se ofrojnë formim profesional për kualifikimet të cilat shoqërohen me certifikatë të njohur nga ministria përgjegjëse për AFP-në dhe/ose kur aplikojnë për fonde publike.
2. Standardet, kriteret dhe procedurat e akreditimit të ofruesve të AFP-së hartohen nga Agjencia Kombëtare e AFP-së dhe Kualifikimeve dhe miratohen nga ministria përgjegjëse për AFP-në.
 
Neni 26
Inspektimi
1. Inspektimi i ofruesve të AFP-së kryhet nga ministria përgjegjëse për AFP-në.
2. Inspektimi i aspekteve të kulturës së përgjithshme realizohet nga struktura përkatëse përgjegjëse për arsimin e përgjithshëm.
3. Dokumentacioni, procedura dhe kriteret për kryerjen e inspektimeve shtetërore të sistemit të AFP-së rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse krijohen kaq shumë parti të reja në Shqipëri?

Kreshnik Spahiu: Pse krijohen kaq shumë parti të reja në Shqipëri?