Një pjesë e të ardhurave që arkëton buxheti i shtetit do të shkojnë si kontribut në arkën e Bashkimit Evropian. Ministria e Financave ka hartuar projektligjin për detyrimin financiar që do të ketë vendi ndaj Bashkimit Evropian pas anëtarësimit. Në draft edhe pse nuk thuhet vlera e faturës, përcaktohet mënyra se si do të llogaritet, planifikohet, financohet dhe transferohet kontributi kombëtar i vendit në buxhetin e BE-së.
Kontributi që Shqipëria do të duhet të japë në buxhetin e Bashkimit Evropian do të lidhet me sistemin e ashtuquajtur të “Burimeve të Veta”. Projektligji parashikon përllogaritjen e kontributit mbi disa kategori, përfshirë të ardhurat nga detyrimet doganore, burimin e bazuar në TVSH, të ardhurat kombëtare bruto, si dhe mbetjet e paketimeve plastike që nuk riciklohen.
Gjithashtu do të krijohen edhe struktura të nevojshme që administrata shqiptare të jetë e përgatitur për përmbushjen e këtyre detyrimeve në momentin e anëtarësimit.
Ministria përgjegjëse për financat do të ketë rolin e autoritetit kombëtar koordinues. Ajo do të bashkërendojë institucionet përgjegjëse për mbledhjen dhe verifikimin e të dhënave, do të kryejë përllogaritjet dhe do të sigurojë planifikimin e pagesave nga buxheti i shtetit drejt buxhetit të Bashkimit Evropian.
Në proces do të përfshihen edhe INSTAT, Administrata Doganore, Administrata Tatimore dhe institucioni përgjegjës për mjedisin. Secili prej tyre do të ketë përgjegjësi për prodhimin dhe raportimin e të dhënave që shërbejnë për llogaritjen e kontributit, nga të dhënat për të Ardhurat Kombëtare Bruto dhe TVSH-ja, deri te detyrimet doganore dhe mbetjet plastike që nuk riciklohen.
Detyrimi për të vënë në dispozicion kontributin kombëtar në buxhetin e BE-së do të lindë nga data e anëtarësimit të vendit në Union.
Megjithatë, edhe në periudhën para anëtarësimit priten kosto që lidhen me forcimin e kapaciteteve institucionale, harmonizimin e metodologjive, koordinimin ndërinstitucional dhe zhvillimin e sistemeve të informacionit.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
-
Evropa nuk ka pronare pa certifikata pronesie ose "ish pronare" qe ju vidhet toka nga halabaket. Pa rend, pa prone dhe pa drejtesi nuk ka sistem, nuk ka rregulla dhe nuk futesh as ne afrike e jo me ne Bashkimin Evropian.
Përgjigju










Komente
Komento