Pas më shumë se një dekade pa asnjë anëtar të ri, Bashkimi Evropian ndodhet përballë një prej dilemave më të mëdha të viteve të fundit: të zgjerohet shpejt përballë sfidave gjeopolitike apo të frenojë procesin nga frika se nuk është ende gati për anëtarë të rinj. Në një analizë të publikuar së fundmi, Financial Times shkruan se lufta në Ukrainë, rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe rritja e tensioneve globale kanë rikthyer zgjerimin në qendër të agjendës së Brukselit. Megjithatë, sipas prestigjiozes britanike, BE-ja po përballet me një paradoks: vendet kandidate kërkojnë përshpejtimin e anëtarësimit, ndërsa vetë blloku po diskuton nëse duhet të ndryshojë rregullat e lojës dhe nëse është realisht i përgatitur për një valë të re zgjerimi.

Artikulli i plotë

Prej 13 vitesh, Bashkimi Evropian nuk ka pranuar asnjë anëtar të ri. Por, mes paqëndrueshmërisë gjeopolitike dhe garës gjithnjë e më të fortë mes fuqive të mëdha, po shtohet presioni që dyert e bllokut të hapen sërish.

Megjithatë, edhe pse Brukseli kërkon të japë një mesazh uniteti, sigurie dhe qëllimi të përbashkët përballë provokimeve të Donald Trump, ai vazhdon të përballet me pasiguri të mëdha sa i takon zgjerimit të mundshëm të BE-së.

Ndërsa drejtuesit e vendeve kandidate kërkojnë përparim më të shpejtë në procesin e anëtarësimit, nën presionin e votuesve gjithnjë e më të paduruar dhe të pakënaqur, liderët e vendeve anëtare të BE-së shqetësohen se struktura e bllokut, por edhe elektorati skeptik në vendet e tyre, nuk janë gati të përballojnë pranimin e anëtarëve të rinj.

Shenjat dukeshin premtuese. Pas tronditjes që solli pushtimi rus i Ukrainës, zgjerimi i Bashkimit Evropian nisi të shihej jo vetëm si një projekt politik, por edhe si një çështje sigurie. Pas një dekade thuajse të bllokuar, procesi mori ritëm, duke rritur shpresat se brenda dy viteve të ardhshme BE-ja mund të ketë një anëtar të ri.

Mali i Zi, që kryeson listën e vendeve kandidate, ka përfunduar më shumë se gjysmën e reformave të nevojshme për anëtarësim. Qeveritë e vendeve të BE-së kanë nisur hartimin e legjislacionit formal për pranimin e tij, ndërsa vendit i janë parashikuar miliarda euro në projektbuxhetin e ardhshëm të përbashkët të bllokut.

Edhe Ukraina dhe Moldavia, të dyja nën kërcënimin e Moskës, kanë nisur negociatat formale për anëtarësim, ndërsa Shqipëria ka filluar të përmbushë një nga një reformat e kërkuara.

“Ne kemi një rrugë të qartë drejt Bashkimit Evropian”, tha për Financial Times kryeministri Edi Rama. “Shqipëria është në momentin më të mirë në shumë drejtime.”

Kaosi gjeopolitik “ka krijuar presion që Evropa të mendojë seriozisht se çfarë përfaqëson dhe të bëjë një ofertë të besueshme e të dobishme për vendet që synojnë anëtarësimin”, thotë Ilir Deda, analist në Institutin për Shkencat Humane në Vjenë.

Për të theksuar vullnetin e përbashkët të Bashkimit Evropian për të pranuar anëtarë të rinj, presidentët e Komisionit Evropian dhe të Këshillit Evropian, që përfaqësojnë pushtetin administrativ dhe atë politik të bllokut, e cilësuan në qershor zgjerimin si “një nga historitë më të suksesshme të BE-së”.

“Oferta e Bashkimit Evropian për paqe, stabilitet dhe mundësi është e pakrahasueshme”, thanë Ursula von der Leyen dhe António Costa në një deklaratë të përbashkët. “Zgjerimi është një zgjedhje strategjike.”

Megjithatë, vendet që synojnë anëtarësimin kanë nisur të pyesin veten nëse drejtuesit e Bashkimit Evropian po premtojnë diçka që në fund mund të mos realizohet.

Brukseli po shqyrton ndryshime të gjera në procesin e anëtarësimit, të cilat do të parashikonin një integrim më gradual të vendeve kandidate, ndërsa ato avancojnë me reformat. Brenda BE-së kjo shihet si një mënyrë për t’u zgjeruar me përgjegjësi dhe për të ndërtuar besim, por disa vende kandidate e shohin si një rrugë drejt një sistemi me disa nivele anëtarësimi, që mund ta ngadalësojë edhe më shumë procesin.

Shumë vende kandidate tashmë po shmangin reforma të vështira ose jo popullore, pasi nuk kanë besim te premtimet e Brukselit për përfitimet që do të marrin. Nga ana tjetër, Brukseli i kritikon ato për mosmiratimin e legjislacionit të nevojshëm.

Përveç Malit të Zi dhe Shqipërisë, vendet e tjera kandidate në Ballkanin Perëndimor – Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Kosova – kanë bërë pak përparim vitet e fundit, ndërsa në disa raste kanë shënuar edhe prapakthim.

Disa zyrtarë shqetësohen se ekziston një shkëputje mes retorikës pro-zgjerimit të Ursula von der Leyen dhe António Costa dhe realitetit në terren, duke qenë se edhe Mali i Zi mbetet ende disa vite larg anëtarësimit të plotë.

Megjithatë, po forcohet bindja se Bashkimi Evropian duhet të tregojë se është serioz për pranimin e anëtarëve të rinj. “Tani ose kurrë”, thotë Ilir Deda. Sipas tij, dështimi për të vepruar do të kishte “ndikim katastrofik, jo vetëm për vendet kandidate, por edhe për vetë BE-në. Besueshmëria e Bashkimit Evropian do të dëmtohej si brenda ashtu edhe në nivel global. Ky skenar duhet shmangur me çdo kusht.”

I ashtuquajturi zgjerimi “Big Bang” i vitit 2004, kur në Bashkimin Evropian u anëtarësuan 10 vende të reja, mes tyre Polonia dhe Hungaria, shënoi kalimin e bllokut nga një bërthamë e fokusuar te Evropa Perëndimore drejt zgjerimit në lindje pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Megjithatë, në dekadën pas anëtarësimit të Kroacisë në vitin 2013, Bashkimi Evropian u tkurr në vend që të zgjerohej, pas largimit të Mbretërisë së Bashkuar. Në vitin 2014, presidenti i atëhershëm i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, deklaroi se Brukseli do të “bënte një pauzë nga zgjerimi”, për të përthithur integrimin e anëtarëve më të rinj.

Kjo qasje ndryshoi me forcimin e Kinës si superfuqi, më pas me pushtimin rus të Ukrainës dhe rikthimin në pushtet të Donald Trump, si edhe me qëndrimin e tij të paparashikueshëm ndaj Evropës. Vendet e BE-së e kuptuan rëndësinë gjeopolitike të afrimit të vendeve të ashtuquajtura “zona gri” nën flamurin e përbashkët blu me yje të verdhë të Bashkimit Evropian.

Në këtë drejtim ka pasur përparim konkret. Që nga dhjetori i vitit 2024, vendet kandidate kanë mbyllur së bashku 18 kapituj në proceset e tyre të përafrimit me legjislacionin e BE-së. Për krahasim, gjatë dekadës së mëparshme ishin mbyllur vetëm katër kapituj.

Mali i Zi ka përfunduar më shumë se gjysmën e 33 kapitujve të negociatave. Ukraina dhe Moldavia hapën kapitujt e parë në qershor, ndërsa Shqipëria nisi mbylljen e kapitujve të saj të parë.

Islanda, e cila aplikoi për anëtarësim në vitin 2009, por e tërhoqi kërkesën në vitin 2015, po zhvillon këtë muaj një referendum për të vendosur nëse do ta rinisë procesin e anëtarësimit. Edhe Norvegjia po shqyrton mundësinë e zhvillimit të një konsultimi të tretë publik për një aplikim të mundshëm në Bashkimin Evropian.

Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, thotë se dikur pranimi i anëtarëve të rinj shihej kryesisht si një shkëmbim ekonomik, ku vendet kandidate hapnin tregjet e tyre për anëtarët ekzistues, ndërsa në këmbim përfitonin investime që nxisnin rritjen e ekonomisë. Sipas saj, sot zgjerimi ka marrë edhe një dimension të fortë të sigurisë dhe mbrojtjes.

Për breza me radhë, siguria e Evropës është mbështetur te NATO, por qëndrimi i luhatshëm i Donald Trump ndaj aleancës ka bërë që shumë kryeqytete evropiane të vënë në pikëpyetje besueshmërinë e partneritetit transatlantik. Edhe pse pak besojnë se klauzola e mbrojtjes së ndërsjellë të Bashkimit Evropian është e krahasueshme me nenin 5 të NATO-s, blloku po e paraqet veten si një strukturë alternative për koordinimin e politikave të sigurisë. Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Turqia, që janë vende kandidate, janë tashmë anëtare të NATO-s.

“Zgjerimi nuk ka të bëjë vetëm me afrimin e vendeve kandidate me ne... sot ai është edhe një politikë sigurie. Gjithnjë e më shumë bëhet fjalë për mënyrën se si ne evropianët mund të punojmë së bashku në realitetin e ri ku jetojmë”, thotë Marta Kos.

Sipas saj, zgjerimi synon “të riformësojë arkitekturën politike dhe të sigurisë së Evropës, për të krijuar një Evropë të aftë të konkurrojë me fuqitë e tjera të mëdha globale”.

Kjo duket më qartë se kudo në Ukrainë, forcat e armatosura të së cilës janë ndër më të mëdhatë, më të pajisurat dhe pa dyshim më të kaliturat nga lufta në Evropë. Vendet anëtare të Bashkimit Evropian duan që Kievi dhe ushtria e tij e fuqishme të jenë pjesë e kampit të tyre, jo të mbeten të pakënaqur në periferi.

Por këto përfitime shoqërohen edhe me sfida të mëdha. Zyrtarë të BE-së pranojnë se shqetësimet për korrupsionin, pavarësinë e gjyqësorit dhe respektimin e vlerave themelore të bllokut janë aq të mëdha, sa Ukraina nuk do ta kishte marrë statusin për të nisur procesin formal të anëtarësimit pa pushtimin rus.

Ky kontrast, së bashku me kërkesën e Kievit për një anëtarësim të përshpejtuar vitin e ardhshëm, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Rusinë, e ka detyruar Brukselin të mendojë seriozisht nëse procesi i zgjerimit duhet të ndryshojë për t’iu përshtatur realitetit të ri politik.

Sipas një zyrtari të lartë të BE-së të përfshirë në negociatat me Kievin, objektivi i shpallur për anëtarësim më 1 janar 2027 ishte “një thirrje për ndihmë”. “(Presidenti Volodymyr) Zelensky e dinte se ishte e pamundur. Por ai kishte nevojë të dërgonte një sinjal të qartë si për ne, ashtu edhe për qytetarët ukrainas, se vazhdimi i procesit të zakonshëm të anëtarësimit nuk do të ishte i mjaftueshëm”, tha ai.

Edhe një diplomat i lartë i BE-së e cilëson Ukrainën si një dilemë të ndërlikuar. “Nuk mund të pranosh në Bashkimin Evropian një vend me 40 milionë banorë, që renditet në vendin e 104-t në indeksin global të korrupsionit. Kjo do ta vinte në lojë të gjithë projektin”, tha ai. “Por nga ana tjetër, nuk mund ta lësh Ukrainën në mëshirë të fatit. Të gjithë e kuptojnë se Ukraina do të ketë nevojë për diçka nga ne, që pritja e gjatë për anëtarësimin e plotë të jetë më e pranueshme.”

Për vendet e Ballkanit Perëndimor, procesi i zakonshëm i anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk mjafton më.

Në gjashtë vendet e rajonit, historia e zgjerimit të BE-së është shoqëruar me zhgënjim, pakënaqësi dhe shpresa të përsëritura që janë shuar, ndërsa nuk mungon as rivaliteti mes vendeve.

Zyrtarët e Brukselit shprehen të irrituar nga mungesa e përparimit në përmbushjen e kritereve të vendosura prej kohësh për anëtarësim, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, parandalimin e pastrimit të parave dhe rregullat për prokurimet publike. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit kanë listën e tyre të rasteve kur, sipas tyre, Brukseli nuk i ka mbajtur premtimet.

Serbia, që dikur shihej si favoritja për anëtarësim, e pa procesin të ngadalësohej për shkak të shqetësimeve mbi sundimin e ligjit dhe afrimin e saj me Rusinë, përfshirë refuzimin e Beogradit për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Moskës. Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina nuk janë ende vende kandidate zyrtare, ndërsa pesë shtete anëtare të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Edhe Shqipëria, gjatë pesë viteve të fundit, ka avancuar me ritëm të ndërprerë në procesin e saj të anëtarësimit.

Megjithatë, politikanë si në Bashkimin Evropian, ashtu edhe në Ballkan, shpresojnë që përparimi i Malit të Zi drejt anëtarësimit të tregojë se procesi mund të ecë përpara dhe të shërbejë si model për vendet e tjera.

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, shprehet optimist. “Zgjerimi është më pranë se kurrë”, tha ai në korrik, pasi vendi mbylli kapitujt për politikën e konkurrencës dhe bashkimin doganor të BE-së. “Ne nuk po i përmbushim standardet e BE-së vetëm formalisht, por po i bëjmë pjesë të modelit të zhvillimit të vendit tonë.”

Edhe kryeministri i Irlandës, Micheál Martin, beson se Mali i Zi mund t’i mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave deri në fund të vitit, gjatë presidencës së radhës së Irlandës në Këshillin e BE-së, duke lënë më pas vetëm procesin e ratifikimit nga shtetet anëtare.

“Ne besojmë se mund ta çojmë Malin e Zi në një pikë ku t’i themi Evropës: ‘Tani topi është në fushën tuaj. A do ta pranoni Malin e Zi apo jo?’”, tha për Financial Times kryeministri i Irlandës, Micheál Martin. “Nëse arrijmë ta fusim Malin e Zi në BE, do të ishte një sinjal konkret për të gjithë të tjerët se ky proces funksionon. Do të ishte një moment i rëndësishëm nëse kjo do të ndodhte.”

Por historia e Ballkanit, e shoqëruar me nacionalizëm të rrënjosur dhe rivalitet mes vendeve, mbetet një shqetësim për Brukselin. Një kufi i Bashkimit Evropian që do të kalonte përmes Ballkanit do të ndante komunitete me të njëjtën përkatësi etnike, duke forcuar dhe ndoshta duke i bërë të përhershme këto ndarje.

“Nuk mund t’ia shpjegosh askujt në Beograd se Mali i Zi apo Shqipëria janë përpara nesh. Askush nuk do ta besonte, sepse njerëzit e dinë situatën”, tha për Financial Times presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, duke përmendur pjesën më të madhe të Prodhimit të Brendshëm Bruto të rajonit që, sipas tij, i takon Serbisë, eksportet më të larta drejt BE-së dhe standardin më të mirë të jetesës.

“Ne jemi i vetmi vend relativisht i industrializuar, me potencialin dhe kapacitetet më të mëdha. Jemi i vetmi vend që ka kapacitete të rëndësishme ushtarake dhe një industri të rëndësishme të mbrojtjes”, tha Vuçiç.

“Ne punojmë çdo ditë me evropianët për të gjitha këto reforma, nga zbatimi i rekomandimeve te çështjet që lidhen me agjencitë rregullatore, ligjet kundër korrupsionit dhe gjithçka tjetër”, tha Vuçiç. “Edhe nëse dikush në Bruksel mund të thotë diçka ndryshe, kjo nuk e ndryshon realitetin.”

Pavarësisht shpresës dhe pritshmërive të vendeve kandidate, pyetja kryesore mbetet: a është vetë Bashkimi Evropian gati të pranojë anëtarë të rinj, pavarësisht nëse këto vende janë gati për t’u anëtarësuar?

“Ndikimi më i madh që ka pasur Ukraina në debatin për zgjerimin është se ka treguar qartë sa të papërgatitur jemi ne për anëtarë të rinj”, thotë një zyrtar i lartë i BE-së. “Edhe ne kemi nevojë për një angazhim për reforma të brendshme.”

Ndërsa retorika në favor të zgjerimit është forcuar, disa kryeqytete evropiane kanë nisur të shqyrtojnë mënyra për të ndryshuar procesin e anëtarësimit, madje edhe rezultatin përfundimtar të tij.

Franca dhe Gjermania kanë paraqitur propozime fillestare për një model integrimi gradual, ku vendet kandidate do të përfitonin pjesë-pjesë nga të drejtat e anëtarësimit në këmbim të përmbushjes së reformave, në vend të sistemit aktual, ku të gjitha përfitimet vijnë vetëm pas përfundimit të plotë të procesit.

“Ne duhet të ndryshojmë”, thotë komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos. “Vazhdojmë të përdorim një metodologji që, pak a shumë, është e njëjta me atë të përdorur 40 vjet më parë, kur Spanja dhe Portugalia u anëtarësuan në Bashkimin Evropian.”

Në dritën e propozimeve të Francës dhe Gjermanisë, të cilat u pritën me rezervë nga shumica e vendeve anëtare, Brukseli pritet të publikojë propozimet e veta për reformimin e procesit të zgjerimit. Ato do të përfshijnë një vlerësim teknik mbi ndikimin që do të kishte shtimi i anëtarëve të rinj në funksionimin dhe politikat e BE-së, si edhe propozime për integrim gradual.

“Procesi i zgjerimit po ecën me një ritëm që nuk e kemi parë në 15 vitet e fundit”, tha Kos. “Kjo kërkon lidership dhe ndërtimin e besimit me të gjitha 27 shtetet anëtare.”

Në vendet kandidate, qëndrimet ndaj një anëtarësimi të ndërmjetëm janë të ndara. Kievi ka refuzuar në përgjithësi çdo zgjidhje që nuk çon në anëtarësim të plotë, ndërsa Beogradi ka sinjalizuar se është i hapur ndaj një modeli të tillë.

“Na jepni kufij të hapur, na jepni tregun e përbashkët, nuk na duhet asgjë tjetër. Dhe për ta arritur këtë, ne jemi gati të harmonizojmë politikat tona me ato evropiane, por duhet të marrim edhe diçka nga Evropa”, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiç. “Jo të na thuhet se duhet të përmbushim gjithçka dhe pastaj do të vendoset nëse do të na jepet apo jo diçka.”

Për Ballkanin, një vendim politik për zgjerimin e përbashkët të rajonit, në vend të një qasjeje që bazohet vetëm te meritat individuale, do të ndihmonte në uljen e tensioneve mes vendeve dhe do të përmbushte vizionin fillestar të Bashkimit Evropian për bashkimin e kontinentit në paqe. Analistët vlerësojnë gjithashtu se përfitimet konkrete gjatë zbatimit të reformave do ta bënin procesin të dukej i pakthyeshëm dhe do të zbehte argumentet se anëtarësimi është vetëm një iluzion.

“Qytetarët nuk kanë besuar se integrimi në Bashkimin Evropian është një mundësi reale, pavarësisht diskutimeve se Mali i Zi do të anëtarësohet”, thotë Ilir Deda. “Kjo energji e re nga Franca dhe Gjermania, që përcakton se çfarë duhet të bëjë secili vend, sjell përfitime të mëdha.”

“Situata në Bosnjë, Kosovë dhe Serbi mund të ndryshojë me një ofertë të re për zgjerimin”, shton ai. “Do të krijohej një ndjenjë përkatësie. Njerëzit nuk do të kishin më arsye të rreshtoheshin pas nacionalistëve, nëse e kuptojnë se kjo mund t’i izolojë vendet e tyre dhe t’i lërë jashtë kësaj mundësie.”

Megjithatë, brenda Bashkimit Evropian ka shqetësime se çdo model që ofron më pak se anëtarësim të plotë pas përafrimit të plotë me legjislacionin e BE-së mund të dëmtojë vlerat themelore të bllokut dhe parimin e tij të anëtarësimit të bazuar te meritat.

“Në debatin mes qasjes së bazuar te meritat dhe ideve më të fundit për një formë asociimi, ne do të vazhdojmë të mbështetemi te qasja e bazuar te meritat, sepse kjo është zgjidhja konkrete që kemi sot”, tha kryeministri i Irlandës, Micheál Martin, duke theksuar se nuk ka “unanimitet apo konsensus” për një model alternativ.

Ai shtoi se Irlanda është e gatshme “të lehtësojë dhe të mbështesë debatin”, por nuk do të lejojë që kjo të pengojë përfundimin e negociatave që Mali i Zi ka nisur.

Disa zyrtarë druhen gjithashtu se diskutimet për ndryshimin e procesit të zgjerimit mund të vonojnë aplikimet që janë aktualisht në zhvillim, pikërisht në një moment kur procesi po ecën me ritmin më të shpejtë të më shumë se një dekade.

“Nuk mendoj se kjo duket, për momentin, si një ide e besueshme dhe e zbatueshme”, tha Dimitar Keranov, studiues në German Marshall Fund në Berlin. “Do të sjellë vonesa, sepse sapo të nisësh zbatimin ose prezantimin e proceseve të reja, gjithçka do të shoqërohet me pasiguri. Çdo reformë e re duhet fillimisht të testohet.”

Sipas tij, procesi aktual “po bën pikërisht atë që duhet të bëjë: shpërblen ata që kanë bërë detyrat e tyre”. “Zgjerimi nuk është një dhuratë. Është një provim”, shtoi ai.

Shumë zyrtarë dhe analistë, brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian, i shohin muajt e mbetur të vitit 2026 si periudhën më vendimtare për zgjerimin në një brez të tërë. Nëse Mali i Zi arrin të mbyllë kapitujt e mbetur të negociatave dhe, njëkohësisht, shtetet anëtare bien dakord për reforma të brendshme që do ta bëjnë një BE më të madhe të funksionojë pa probleme, atëherë mund të krijohet një Bashkim Evropian më i gjerë dhe me peshë më të madhe gjeopolitike.

Por nëse Brukseli përfshihet në mosmarrëveshje të brendshme për mënyrën se si duhet të zhvillohet zgjerimi dhe çfarë forme duhet të marrë ai, durimi i vendeve që presin jashtë dyerve të BE-së mund të marrë fund.

Sipas Micheál Martin, një situatë e tillë do t'u shërbente vetëm kundërshtarëve të Evropës. “Në fund të fundit, nëse Evropa nuk është proaktive në Ballkanin Perëndimor ose në vendet fqinje, të tjerët do të jenë”, tha ai. “Të tjerët do të manipulojnë dhe do ta shtrembërojnë situatën.”/FinancialTimes