TIRANE- Grupi i ekspertëve të bujqësisë ka përfunduar përgatitjen e draftit që përcakton standardet dhe normat e proteinave që duhet të ketë mielli, dhe së shpejti ai pritet të miratohet në qeveri për të marrë edhe fuqi ligjore.
Prof.dr Abdyl Sinani, ekspert i ushqimit, pjesë e grupit hartues të draftit, thotë se, në draftin e përgatitur është ndjekur modeli i Francës dhe janë përcaktuar të gjithë treguesit që duhet të përmbajë mielli, duke i ndarë normat sipas mënnyrës së përdorimit.
Sipas tij Ministria e Ekonomisë tashmë duhet të vendosë një kufi me përqindje për importin në mënyrë që të mos dëmtohet industria vendase. Nga ana tjetër Sinani thekson se industria e prodhimit të miellit në vend është e standardeve evropiane dhe arrin ti zbatojë të gjitha normat.
Ky draft do ti japë zgjidhje ngërçit midis Ministrisë së Bujqësisë dhe prodhuesve vendas të miellit, lidhur me nivlin e proteinave dhe standardve të tjera. Është vendosur që niveli më i ulët i proteinave të jetë 9 për qind dhe më i larti 12.5 për qind. Vendi ynë konsumon rreth 600 mijë ton drithra në vit dhe 165 kg drithra për frymë. /ATSH/











