Në draft raportin e PE për Shqipërinë, të cilin Report Tv e disponon, përshëndetet zbatimi i reformës në drejtësi, ku evidentohet edhe procesi i vettingut, për të cilin thuhet se ka kontribuar në rritjen e llogaridhënies dhe integritetit brenda sistemit gjyqësor. Por, në draft-raport thuhet se korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe rekomandohet që Shqipëria të konsolidojë më tej rezultatet konkrete në hetime, ndjekje penale, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivele të larta.

Pjesë nga draft-raporti i PE për Shqipërinë

Shteti i së drejtës, gjyqësori dhe lufta kundër korrupsionit

-Përshëndet vijimin e zbatimit të procesit të reformës në drejtësi, përfshirë procesin e rivlerësimit (vetting) të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili ka kontribuar në rritjen e llogaridhënies dhe integritetit brenda sistemit gjyqësor; megjithatë, vëren sfidat e vazhdueshme që lidhen me efikasitetin e gjyqësorit, stokun e lartë të çështjeve të prapambetura, qëndrueshmërinë e praktikës gjyqësore dhe përpjekjet për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm;

-Bën thirrje për forcimin e mëtejshëm të organeve të qeverisjes së sistemit gjyqësor, duke garantuar pavarësinë, transparencën dhe kapacitetin e tyre profesional, si dhe për investime të qëndrueshme në infrastrukturën e gjykatave dhe digjitalizimin e sistemit;

-Thekson se korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe se, pavarësisht progresit në kuadrin ligjor dhe institucional, Shqipëria duhet të konsolidojë më tej rezultatet konkrete në hetime, ndjekje penale dhe vendime përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivele të larta;

-Këmbëngul se korrupsioni duhet adresuar në të gjitha nivelet, në mënyrë që të forcohet besimi i qytetarëve në institucionet shtetërore dhe të krijohet një mjedis biznesi i parashikueshëm;

-Nënvizon rëndësinë e luftës efektive kundër krimit të organizuar, përfshirë rrjetet e pastrimit të parave dhe trafikut të drogës, dhe bën thirrje për intensifikimin e bashkëpunimit me agjencitë e BE-së si Europol dhe Eurojust;


Lajmi kryesor:

Draft-raporti i PE për Shqipërinë: Progres në rrugën drejt BE! Korrupsioni shqetësim serioz, duhet adresuar në të gjitha nivelet