MILANO, Itali - Tension në fushë, ofendime, zëra të ngritur në korridoret e 'San Siros', karton i kuq dhe kërkim falje në konferencën për mediet, kështu mund të përshkruhet me pak fjalë sherri mes trajnerëve të Milanit, Massimiliano Allegri dhe atij të Comos, Cesc Fabregas.

Në fushë Milani dhe Como barazuan 1-1 mbrëmjen e të mërkurës, por fokusi u zhvendos te përplasja e dy stafeve. Sipas asaj që u mësua nga 'Tuttomercato', një debat i nxehtë u zhvillua mes Allegrit dhe Fabregasit.

Arsyeja e sherrit ishte gjesti i Fabregas kundër Saelemaekers, me trajnerin e Comos që kërkoi një karton të dytë të verdhë për rivalin, por një prekje e lehtë (ose tërheqje) nga Fabregas ndali aksionin e belgut i cili protestoi.

Këtu u fut Allegri dhe stafi i Milanit, me tensionet që u ngritën në kulm. Në minutën e 80-të i kuqi shkoi për Max Allegrin, por tensionet vijuan pas 90 minutave.

Në fakt fjalët e sherrit në korridoret e stadiumit kanë qenë nga më të këqijat dhe siç zbulon 'Tuttomercato' Max Allegri ka ofenduar spanjollin Fabregas, një sherr që vijon që nga ndeshja e parë në Como.

"Je fëmijë, je idiot, je fëmijë që filloi të stërviste pardje", fjalë që Allegri i tha Fabregasit dhe që mund të dëgjoheshin qartë nga brenda dhomës së shtypit, përpara se disa anëtarë të të dy ekipeve t'i ndanin. Fakt është se ndeshja mes Milanit dhe Comos nuk përfundoi në fërshëllimën e arbitrit.

Për mediet Fabregas kërkoi falje për gjithë sjelljen.

“Kërkoj ndjesë, ishte vetëm një prekje e vogël dhe përgjigjia e Allegrit ishte e ekzagjeruar, por pranoj se nuk duhej ta kisha bërë. Ishte një sjellje josportive, siç tha Cristian Chivu ditën tjetër, duhet t’i mbajmë duart brenda vetes, veçanërisht nëse je trajner. Edhe unë do të isha zemëruar, kështu që mund të kërkoj vetëm falje dhe të them se shpresoj që kjo të mos ndodhë më kurrë në karrierën time", tregoi Fabregas.

Sherri nisi në momentin që trajneri Fabregas ndali Saelemaekers: