Dramë për Dani Carvajal, mund të mos luajë më futboll! Mjeku: Shanset janë 50 përqind

Dramë për Dani Carvajal, mund të mos luajë më futboll! Mjeku: Shanset janë 50 përqind

Dani Carvajal

Kapiteni i Real Madrid, Dani Carvajal ka vetëm 50 përqind shanse për t’u rikuperuar nga lëndimi i rëndë i gjurit i pësuar në fundjavë.

Sezoni i tij përfundoi gjatë fitores 2-0 të Real Madridit ndaj Villarrealit të shtunën, pasi ai këputi ligamentin e kryqëzuar, ligamentin kolateral të jashtëm dhe tendinën popliteale.

Doktori Pablo Gelber, themelues dhe president i Komitetit të Lëndimeve Anësore të Gjurit të Shoqatës Evropiane të Gjurit, ka dhënë tani qëndrimin e tij për lëndimin e Carvajal, i cili e la mbrojtësin në lot.

Ai konfirmoi se do të duhen një minimum prej 12 muajsh për t’u rikuperuar dhe gjithashtu zbuloi se mbrojtësi i djathtë ka vetëm 50 deri në 60 përqind shanse për t’u rikthyer në nivelin e tij optimal.

Duke folur për Marca, Dr Gelber tha: “Nga të gjithë faktorët për t’u rikthyer në sport, koha që nga operacioni është ndoshta më pak e rëndësishme. Është një faktor i domosdoshëm, por aspak i mjaftueshëm. Në këtë rast, nuk do të flisja për më pak se 12 muaj shërim. Dhe një çështje tjetër është rikthimi në të njëjtin nivel sportiv, i cili duke folur me shifra të ftohta, nuk është më shumë se 50 apo 60 përqind.

Një faktor negativ është se futbollistët priren të kenë këmbë varus, siç i quajmë teknikisht. Në thelb i referohet të kesh këmbë të përkulura, siç kishte për shembull Rivaldo në një mënyrë shumë të theksuar.

Ky fakt është një faktor negativ për rikuperimin e suksesshëm të këtyre lëndimeve, sepse i vë në stres të madh ligamentet që po rindërtohen, duke i shtrirë ato në nivele që e bëjnë operacionin të dështojë.

Nga ana tjetër, gjendja mendore në lëndime të tilla të rënda është e një rëndësie jetike, sepse zhgënjimi, frika dhe mendimet negative mund të dëmtojnë shërimin optimal”, tha doktori.

Real Madrid mori vendimin për të rinovuar kontratën me Carvajal deri në vitin 2026 pas lëndimit që do ta mbajë atë jashtë për pjesën tjetër të sezonit. Që në moshën 10-vjeçare, ose më saktë në vitin 2002, Dani ka qenë pjesë e Real Madrid dhe tanimë mban shiritin e kapitenit në krah.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë