Tirana rikthehet te tri pikët, teksa bardheblutë mundën 3-2 Kukësin në "Air Albania" për javën e 13-të të Superligës. Ndeshja nisi me një minutë heshtje në nder të Dwamenas, ndërsa 90 minutat e lojës i kishin të gjitha. Pesë gola, karton i kuq, përmbysje dhe ripërmbysje, ndërsa në fund edhe sherr mes lojtarëve.
Duhej minuta e 15-të e ndeshjes që Ardit Deliu të kalonte në epërsi bardheblutë me një gol të bukur, ndërsa fraksioni i parë u mbyll me avantazhin minimal të bardhebluve.
Në pjesën e dytë ishte Kukësi që mori frenat e lojës dhe barazoi me Beshiraj në të 53 minutë, kjo pas asistit të Salami. Dhjetë minutat e fundit të sfidës ishin një dramë e vërtetë. Miqtë e Stavri Nicës shënuan golin e avantazhit 1-2 me Momoh, sërish pas asistit të Salami.
Vetëm në fundin e ndeshjes dhe konkretisht në të 87 minutë Përgjoni vendosi ekuilibrat në 2-2 pas pasimit të Patrick, i rikthyer pas një kohe të gjatë nga dëmtimi. Kur u duk se skuadrat do ndanin pikët, Kaina në minutën e 90-të vendosi që tri pikët të shkonin te Tirana, që fitoi 3-2. Te goli i fitores sërish Patrick kyç me pasimin final.
Vendimtar në këtë duel edhe kartoni i kuq për Nikolin Dukën në të 61 minutë, që la Kukësin me dhjetë futbollistë. Në fund të duelit nerva mes lojtarëve, me de la Torre që u përplas me vendasit, ndërsa situata u qetësua pas disa sekondave.
Pas barazimit 1-1 me Skënderbeun në Korçë, Tirana ia del që të sigurojë tri pikë mes dramës dhe rikthimi në "Air Albania" ka qenë i duhuri për skuadrën e Julian Ahmataj, që e sheh veten në vendin e tretë me 21 pikë, duke iu afruar kryesuesve të Egnatias dhe Partizanit që kanë 27-të pikë. Nga ana tjetër Kukësi tregoi se di të luajë futboll të bukur, por mbetet me 14 pikë në vendin e gjashtë.
Lajmi kryesor: