TIRANË - Në vazhdën e takimeve të ditës së parë të punës së tij, Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço zhvilloi një takim edhe me drejtues të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, konkretisht me nënkryetarin e KLD, Elvis Çefa dhe kryeinspektoren e këtij institucioni, Marsida Xhaferllari.

Takimi u bazua në diskutimet rreth sistemit gjyqësor dhe çështjeve më të mprehta të tij, që kanë nevojë për ndërhyrje. Konkretisht, u trajtua çështja e koordinimit të projekteve të përbashkëta në sistemin e drejtësisë, me fokus sidomos në sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve, shkruan ATA.

Gjithashtu, një pjesë e rëndësishme e takimit ishte edhe konsultimi mbi koordinimin e inspektoriateve të KLD dhe Ministrisë së Drejtësisë për kontrollin e gjyqtarëve dhe kryerjen e reformave të mëtejshme.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)