Gjyqi i 21 janarit vazhdon të mbajë të shtangur opinionin publik. Ndodhemi para një situate që as në shtetet e Afrikës Qendrore nuk mund të ndodhë. Nuk mjaftoi vetëm e vërteta, sa e thjeshtë aq dhe tronditëse, që Ndrea Prendi dhe Agim Llupo u shpallën të pafajshëm , ndonëse ekspertiza e FBI vërtetoi se Hekuran Deda është vrarë nga Komandanti i Gardës dhe Ziver Veizi është vrarë nga Llupo, një ekzekutim që gjithë mediat shqiptare e kanë transmetuar mijëra herë në ekranet e tyre. Nuk ka ndodhur vetëm kjo. Ajo që të trondit sërish në këtë proces farsë është mënyra sfiduese sesi Qeveria ka dashur të administrojë detajet. Dhe elefantët në dyqanin e qelqurinave do të kishin qenë më të kujdesshëm. Është vepruar në mënyrën më harbute, më sfiduese të mundshme. Nuk mjaftoi ideja e çmendur se për të hedhur poshtë ekspertizën e FBI u thirr një njeri me emrin Ndoc Çardaku. Nuk mjaftoi vetëm kaq, por pamjet që Prokuroria paraqiti në seancën e gjyqit tregojnë Ndocin i cili merr një ashkël dhe e vendos mbi këmishën e Ziver Veizit. Më pas dëgjohet zëri i tij që thotë më sillni një klemë për të hequr ashklën. Dhe gjithçka e regjistron vetë. Qëllimi është i qartë. Të manipulohen provat për të dëshmuar se plumbi ka pësuar rikoshetë dhe vrasja nuk është bërë me dashje. Një pakujdesi të tillë e kemi parë vetëm në rastin kur Dritan Prifti dorëzoi në Prokurori videon ku regjistrohej duke ndarë dhjetëra mijëra euro me vartësin e tij. Por rasti i Priftit dallon nga ai Ndocit në një pikë. Ndoci e ka bërë nga zelli për të shërbyer me idenë se duke i shërbyer Qeverisë i mjafton për të patur imunitet. Dhe kur ke imunitet kujdesi për të mos lënë gjurmë është i tepërt.
Gjithsesi këto sekuenca filmike janë transmetuar para dhjetëra vetëve në sallën e gjyqit, ndërkohë që Prokuroria i ka futur si elementë në rekursin që ka paraqitur në Apel. Në këto rrethana dy pyetje lindin për drejtësinë që duket se është kthyer e gjitha si klema e Ndocit në duart e Qeverisë. Përse gjykata nuk ua dorëzon videon e administruar si provë palëve në këtë gjyq? Dhe pyetja e dytë: përse Prokuroria nuk nis hetimet kundër Ndoc Çardakut me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe manipulimit të provave në një proces gjyqësor? E ka fare të thjeshtë sepse Ndoci është treguar kaq sfidues sa këtë vepër penale e ka kryer para një kamera që po e regjistronte.

(shqiptarja.com)