Drejt Punës/ Bahja: NaturALB Soaps 
 produkti autokton që promovon vlerat

Drejt Punës/ Bahja: NaturALB Soaps <br /> produkti autokton që promovon vlerat
Ajo është vetëm 26 vjeçe, por pasioni dhe përkushtimi për të promovuar vlerat e vendit, por edhe për të krijuar mundësi punësimi nuk e kanë penguar ti jap jetë një produkti autokton. Kjo është Frida Bahja, inxhinieria e mjedisit e cila prej disa muajsh ka ngritur një biznes social që prodhon sapun organik.

Në një intervistë për “Shqiptarja.Com” themeluesja e ‘NaturAlb Soaps’, na tregon vizionin e saj për të krijuar një model financiar të qëndrueshëm duke iu krijuar mundësi punësimi të rinjve, por edhe te rëndësia e produkteve natyral që Shqipëria e i trashëgon.

Në këtë rrëfim ajo thotë se sfidat e të rinjve shqiptarë nuk bazohen vetëm në dyert e Universiteteve, por te krijimi i mundësive të reja të punësimit përmes nismave të tilla. NaturALB Soaps është një biznes social shqiptar që prodhon sapunë organikë në mënyrë artizanale me esenca të ndryshme bimore, duke promovuar burimet natyrore të vendit dhe duke krijuar mundësi punësimi dhe të ardhura për të rinjtë në zonat rurale.
 
Përqafimi i një biznesi social nuk bazohet vetëm te fitimi, por edhe te benefitet që ai sjell te përdoruesit. Ku qëndron sekreti i këtij prodhimi vendas?
Sekreti i të gjithë gjërave është tek cilësia. Personalisht jam shumë e fiksuar pas cilësisë dhe nuk do ja lejoja vetes të prodhoja një produkt që nuk është cilësor. Nuk bëhet fjalë për të bërë përfitime siç edhe ju e thatë, bëhet fjalë për të sjellë ndryshime në mentalitet, në treg dhe në përfaqësim.

Në momentin e ideimit të këtij produkti qëllimet tona ishin; T’i ofronim tregut një produkt 100% natyral, pa kimikate, të biodegradueshëm i cili mbron shëndetin dhe mjedisin. Të prodhonim produkte për kujdesin personal, natyral, të shëndetshëm siç janë sapunët me bazë vaj ulliri, cilësi e parë. Akoma më tej, duke përfshirë në përbërje esencat vajore të bimëve mjekësore vendase, këto produkte të ofronin vlera edhe kurative. Të krijonim punësim te të rinjtë dhe të ardhura të qëndrueshme tek fermerët. Të promovonim vlerat e vendit tonë, pasuritë dhe resurset që ai ka.
 
Sa e vështirë është të prodhosh një produkt të tillë, duke pasur parasysh që eksportet kanë ‘mbytur’ tregun?
Është disi e vështirë të them të drejtën. Pasi janë produkte që njihen në tregun ndërkombëtar, njerëzit janë mësuar me to. Ka shumë faktorë që na bëjnë të mendohemi, por jo për të na ndalojnë. Unë besoj dhe jam shumë pozitive pasi ne si biznes kemi disa veçori të cilat na bëjnë të veçantë dhe të dallueshëm në treg. Duke nisur që nga qëllimi që kemi e deri tek cilësia.
 
Ku ndryshon ky sapun nga sapunët e tjerë?
Ne kemi punuar fort për të sjellë një sapun i cili nuk ka asnjë lloj kimikati në brendësi qofshin këto edhe ngjyrues të thjeshtë. Sapuni është 100% natyral, organik i prodhuar me cilësinë më të mirë të përbërësve të tij që janë vaji i ullirit dhe esencat vajore të bimëve mjekësore. Të dy këto përbërës, që janë baza e sapunit, janë të cilësisë së parë të blera në kompani të certifikuara bio për cilësinë.
 
Pse keni zgjedhur pikërisht esencat e bimëve mjekësore si përbërës në këtë sapun?
Bimët mjekësore janë të mirënjohura në mbarë botën për efektet e tyre kurative. Duke përforcuar idenë se produkti jonë duhet të jetë autentik shqiptar, bëmë këtë zgjedhje. E duke u kthyer te ideja e biznesit social, përdorimi i këtyre esencave nxit tregun e brendshëm për prodhim më të madh të tyre dhe fermerët në zona rurale për mbjelljen dhe kultivimin e tyre duke krijuar të ardhura.
 
Cilat janë ndikimet e ‘NaturAlb’?
Sapuni ‘NaturAlb’ është sapun për të gjithë. Ai mund të përdoret nga të gjithë anëtarët e familjes pavarësisht moshës, gjinisë, llojit të lëkurës, etj. Pra, është një sapun me vlera të gjithanshme. Lëkura jonë thith 80% të kimikateve që ne i vendosim. Acarimet e shpeshta nga produktet kozmetike, sidomos te femrat, vijnë si pasojë e ndjeshmërisë nga kimikatet që ato përmbajnë. Ky sapun duke qenë 100% natyral me përmbajtje të lartë të vajit të ullirit të cilësisë së parë, ka efekt pastrues dhe hidratues.

Ashtu si studimet kanë treguar, vaji ullirit është më i shëndetshmi për lëkurën. Gjithashtu, një përbërës i veçantë i shtuar, janë edhe gjethet e ullirit të cilat shërbejnë si scrub natyral për lëkurën. Disa cilësi shtesë ai i merr edhe në bazë të esencave pasi esenca të ndryshme japin veti shtesë të ndryshme si; livando ka efekt çlodhës, antistres. Sapuni me livando është këshilluar të përdoret sidomos në darkë për çlirim stresi dhe një gjumë më të qetë.
 
Vetëm pak ditë më parë ishit pjesë e Panairit të Gjelbërt, panair që ju dha mundësinë për të prezantuar një produkt autokton. Cili ishte impakti që ky produkt dha tek njerëzit?
Ajo ishte një ditë intensive. Kureshtja e kalimtarëve nuk mungoi në asnjë çast dhe shumë prej tyre e blenë. Unë ngela e surprizuar, por kanë qenë mbi 5 persona që e kishin provuar më parë sapunin dhe kishin ngelur shumë të kënaqur nga cilësia e tij duke e blerë sërish. Të tilla përshtypje pozitive mbi cilësinë kemi marrë nga shumë njerëz të cilët madje ishin ekspertë kimistë. Impakti ishte shumë pozitiv, shumë na përgëzuan për nismën e ndërmarrë për t’i dhënë tregut një produkt vendas, midis tyre edhe kryetari i bashkisë Erion Veliaj.
 
Sfida e konkurrencës ndaj një produkti vendas është e madhe. Mendoni se kjo nismë do të zgjerohet edhe më tej?
Ajo që na diferencon është cilësia dhe kështu do të jetë gjithmonë. Kemi dhënë shumë dashuri në ‘NaturAlb’ dhe mendoj se kemi gjithë elementët e duhur për tu zgjeruar më tej. Konkurrenca është e fortë dhe sfidat që na presin përpara janë të mëdha, por unë besoj te ky produkt dhe mendoj që është vetëm çështje kohe përpara se NaturAlb të arrijë në çdo familje shqiptare duke u bërë një produkt i domosdoshëm në përditshmërinë e tyre.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 Tetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Horoskopi i muajit shtator 2024/ Çfarë surprizash ju presin në dashuri, punë dhe financa?

Horoskopi i muajit shtator 2024/ Çfarë surprizash ju presin në dashuri, punë dhe financa?