Drejt punës/Florjan Ndoj: Si u 
kualifikova si tatuator profesionist

Drejt punës/Florjan Ndoj: Si u <br />kualifikova si tatuator profesionist
Florjan Ndoj është një djalë i ri, i cili prej gjashtë vitesh i ka dhënë jetë ëndrrës së tij për të ushtruar profesionin e tatuatorit. Pasioni në këtë fushë i ka lindur që fëmijë, teksa ka spikatur talenti i tij për pikturë. Ai shprehet se më pas, me kalimin e kohës, çdokush që ka një talent, arrin të kuptojë pikat e forta të tij dhe pozicionohet në një drejtim specifik të fushës, pasi arti është shumë i gjerë e përfshin shumë degë.

Edhe pse ka gjashtë vite në këtë profesion, Florjani thotë se është ende shumë i ri, por në kaq vite ai ka mundur të marrë rezultate pozitive për shkak të dëshirës e përkushtimit me të cilin punon. Ndër cilësitë kryesore që një tatuator duhet të ketë, sipas Florjanit, është përgjegjshmëria, por kjo cilësi duhet ndërthurur me trajnime e kurset e shumta të cilat perfeksionojnë anën profesionale. Ai ndihet i kënaqur që falë pasionit që ka në punën e tij, ka arritur që brenda gjashtë viteve të ketë një punë stabël. Një tjetër avantazh i tatuatorit të ri është edhe fakti se krahas kurseve që ka ndjekur në vendin tonë gjithashtu ka qenë pjesëmarrës në shumë shkolla të Europës, ku ka mësuar shumë rreth këtij profesioni. Mbi të gjitha Florjani thekson rëndësinë e madhe që ka besimi i klientit kur i drejtohet personit që do t’i bëjë tatuazhin. Pasi, klienti kur shkon për të bërë një tatuazh ka vendosur që të gdhendë përjetë në lëkurën e tij diçka që ka shumë rëndësi për të. Prandaj tatuatori me punë e profesionalizëm duhet të justifikojë besimin që klientët kanë tek dora krijuese dhe shpirti i tij i artistit.
 
Si ka nisur pasioni të merresh me tattoo?
Normalisht duhet të kesh pasion që të bësh këtë punë. Që në fëmijëri kisha dorë të vizatoja, por më kalimin e kohës arrin ta ndash atë pjesën e artit, pasi arti ka shumë degë të ndryshme. Dhe ja ku jam sot, nuk është se jam një tattuator shumë i vjetër, jam i ri në këtë zanat, afërsisht 6 vjet që merrem me këtë punë.
 
Pasioni dhe përgjegjësia në një punë janë dy gjëra të kundërta. Si keni mundur t'i balanconi?
Në radhë të parë duhet të jesh i përgjegjshëm për atë që bën sidomos në këtë fushë, por me pak përkushtim dhe trajnime të ndryshme ndaj këtij orientimi bëhesh profesionist. Në fakt, e mira s’ka fund, por unë falë pasionit që kam pasur, sot kam një punë stabël që po e ushtroj.
 
Pra, ju po thoni se të jesh një tattuator në radhë të parë duhet të ndjekësh trajnime dhe kurse?
Sigurisht që duhet të ndjekësh kurset dhe trajnimet me bazë tattoon, pasi përgatitja profesionale duhet të jetë maksimale. Veç kursit kam bërë trajnime të ndryshme në disa shkolla tattoosh në Europë, në mënyrë që të përvetësojmë sa më shumë dije në këtë fushë profesionale.
 
Cilat janë tiparet që e diferencojnë një tattoator profesionist me një fillestar?
Ky është një profesion që nuk bëhet sa për të kaluar radhën. Çdokush që vjen për të bërë një tatuazh ka besim te dora krijuese dhe shpirti pasionant prej artisti. Kjo është një punë që duhet të krijosh besim tek klienti. Ti i skalit në lëkurë një mesazh të përjetshëm. 

Redaksia 

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Vuani nga rënia e flokëve? Ushqimet që duhet të konsumoni

Vuani nga rënia e flokëve? Ushqimet që duhet të konsumoni