Drejt Punës/ Suela Demaj:
Nga skicat te stilimi, sfida ime

Drejt Punës/ Suela Demaj:<br />Nga skicat te stilimi, sfida ime
Stilimi është një nga profesionet që ka marrë zhvillim së fundmi në vendin tonë. Këtë e tregojnë shumë të rinj të cilët zgjedhin këtë profesion për të ardhmen si dhe shumë klientë që i drejtohen atelieve e jo dyqaneve për të pasur rroba e stil të personalizuar.

Dukja është një ndër gjërat më të rëndësishme për shumë njerëz, gjë që bën që shpenzimet për të tilla produkte e shërbime, të arrijnë shifra të larta, duke u bërë kështu prioritet për ta. Por, stilimi është një koncept i ri në një shoqëri si e jona, ku deri pak kohë më parë njihej vetëm rrobaqepësia. Për të na treguar nisjen e këtij evolucioni në Shqipëri, stilistja dhe njëkohësisht Instruktore pranë Drejtorisë Rajonale Profesionale, në kursin e rrobaqepësisë, Suela Demaj na rrëfen hap pas hapi sfidën e saj profesionale përballë vështirësive në tregun Shqiptarë.

Evolucioni nga rrobaqepësia tek stilimi
Profesionistë të kësaj fushe, qoftë ata që quhen stilistë e qoftë rrobaqepësit, shprehen se intensiteti dhe hapat e punës janë pothuajse të njëjtë. Ndryshimi mes koncepteve është se stilisti merret më tepër dhe i kushton më tepër rëndësi ideimit të veshjes. Kjo bëhet duke njohur e kuptuar natyrën e klientit që kërkon një veshje të personalizuar për vete. Mënyra e jetesës, profesioni, karakteri e personaliteti janë shumë të rëndësishme e përcaktuese për krijimin e një veshjeje. Ky është procesi i parë i stilimit, më pas skicimi, prerja e në fund qepja e cila realizohet nga rrobaqepësit. Por, në vendin tonë stilistët janë shumë të paktë, të cilët kanë firmën e tyre në çdo veshje që stilojnë. Pasi të jesh stilist do të thotë që të kesh markën tënde, copën tënde, aksesorët e tu të veshjes e realizimin e saj. Të gjithë këto komponentë e bëjnë të kompletuar figurën e stilistit. Suela Demaj, stiliste e re, pohon se ky profesion ka tepër vështirësi, pasi edhe tregu nuk ofron tepër mundësi. Sipas saj, kjo punë ka vështirësi që në momentin e nisjes së një veshjeje, deri në çdo hallkë të realizimit të saj. Ndërsa, kënaqësia më e madhe është kur puna përfundon e klienti sheh të realizuar idenë e tij. Suksesin e profesionit ajo ia dedikon vetëm punës së palodhur dhe dëshiron që një ditë të hapë atelien e vetë.
 
Si të ka lindur pasioni për stilimin?
Pasioni lindi rastësisht! Kam mbaruar Liceun Artistik për pikturë, specialiteti stilim tekstil. Aty fillova me skicat e para të veshjeve dhe duke parë dokumentarë të stilistëve me famë botërore siç është Cristian Dior, etj, vendosa të vazhdoj dhe shkollën e lartë për stiliste.
 
Cilët janë faktorët që e bëjnë të vështirë gjetjen e një pune stabël në treg?
Tregu i punës sot, është jo i vështirë po shumë. Janë disa faktorë që ndikojnë; Së pari, tregu blerës, mungojnë materialet e duhura, nuk mund t’i gjejmë në tregun tonë. Besoj se në të ardhmen do të ketë lëvizje tregu përsa i përket fushës së stilimit.
 
Të kesh stilin e personalizuar është shumë e vështirë. Mendoni se stilimi është një profesion që po gjen treg në Shqipëri?
Është fakt i padiskutuar, por çdo person mundohet ta personalizojë stilin e tij, pastaj varet dhe nga karakteret. Patjetër që, stilimi sapo ka bërë hapin e parë si profesion në Shqipëri, siç theksuam dhe më lart, tregu është i varfër por, tani hapi drejt këtij profesioni ka marrë rrugën e vet.
 
Nga rrobaqepës tek stilimi, ka ndryshuar koncepti. Ju si stiliste si e shikoni këtë evolucion?
Akoma nuk ka ndryshuar koncepti rrobaqepësi-atelie sepse këtë e vërejmë ne si stilistë te klientët që hasim çdo ditë në punën tonë. Kjo vjen nga mos pasja e informacionit rreth fushës tonë, madje janë shumë faktorë që akoma nuk po e ndryshojnë këtë koncept.
 
Ku qëndron sekreti i suksesit të një stilisti?
Sekreti është punë dhe vetëm punë, sa më shumë përkushtim aq më i suksesshëm je në këtë orientim.
 
Po vështirësia më e madhe?
Vështirësia që hasim që në momentin e parë sapo nisim një veshje për të realizuar dhe deri në përfundimin e saj. Suksesi shikohet në fund, kur veshja është realizuar ashtu siç duhet dhe klienti ngelet i kënaqur. Kjo është dhe kënaqësia më e madhe e punës tonë.
 
Keni menduar që një ditë të hapni një atelie tuajën, ku veshjet të mbajnë firmën tuaj?
Çdokush që mbaron shkollën në këtë fushë mendon të hap një atelie të veten. Sigurisht që dhe unë e kam menduar por, kjo kërkon një eksperiencë disa vjeçare që të ndihesh gati.
 
Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Për momentin jam e kënaqur me punën që bëj si instruktore sepse është bukur të mësosh të tjerët por, planet e mija në të ardhmen janë të hap një atelie të timen. Shpresoj që emri im të bëhet një markë në të ardhmen.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka qenë Vettingu i gjyqtarëve e prokurorëve proces i besueshëm?



×

Lajmi i fundit

Deputetët e Partisë Demokratike italiane vizitë blitz në Gjadër ku do ngrihet qendra e emigrantëve: Asgjë në 70 mijë metra katrorë

Deputetët e Partisë Demokratike italiane vizitë blitz në Gjadër ku do ngrihet qendra e emigrantëve: Asgjë në 70 mijë metra katrorë