Drejt Punës/ Gerta, nga shkencat 
kompjuterike te prodhimi i sapunit

Drejt Punës/ Gerta, nga shkencat <br />kompjuterike te prodhimi i sapunit
Takojmë rrallë të rinj të cilët veç profesioneve që kanë zgjedhur i japin jetë edhe alternativave të reja të punësimit. Kështu ka ndodhur me Gerta Bahjan, studente në vitin e dytë për Shkencat Kompjuterike në Universitetin e Durrësit.

Ajo prej më shumë se 5 muajsh merret me menaxhimin dhe prodhimin e sapunit NaturAlb, një sfidë kjo jo vetëm e suksesshme, por edhe një mënyrë për të promovuar produktet e vendit tonë. Gerta thotë se ky sapun, i vetmi në llojin e tij në Shqipëri, përbëhet 100% nga vaji i ullirit në bazë, bashkë me esenca të bimëve mjekësore lokale, duke ofruar një eksperiencë unike shqiptare me produkte vendore të shëndetshme.
 
Një biznes social shqiptar që prodhon sapunë organik në mënyrë artizanale, një risi e paprekur më parë. Si lindi ideja për të sjellë një prodhim vendas siç është sapuni?
NaturAlb Soaps është një biznes social shqiptar që prodhon sapun organikë, me bazë 100% vaj ulliri dhe me esenca të ndryshme të bimëve aromatike dhe medicinale të vendit. Ideja për të ngritur një biznes të tillë ka ardhur nga dy të rinj, Frida Bahja me profesion Inxhiniere Mjedisi dhe Cagdas me profesion Inxhinier Kimist.

Duke parë produktet e kujdesit personal që ofroheshin në tregun shqiptar, ku pjesa më e madhe janë produkte që përmbajnë konservues dhe kimikate, që rrezikojnë shëndetin dhe mjedisin, ata besuan se me burimet natyrore që ofronte vendi dhe me bimët e shumta medicinale që gjenden në Shqipëri mund të krijonin një produkt organik të shëndetshëm, që konkurron në çmim produktet organike të importuara dhe krijon më shumë mundësi ekonomike për të rinjtë në zonat rurale.

Për më tepër ky produkt promovon vlerat dhe traditat e vendit tonë. Kjo ishte zanafilla e idesë, por më pas ajo u zhvillua në shumë faza të tjera si studim tregu, përmirësimi i karakteristikave të produktit, testim i produktit në treg deri në lidhjen e kontratave të para. Çfarë është interesante për këtë biznes është fakti që ai është një biznes social lokal. Synimi i tij kryesor është rritja e punësimit të të rinjve në zonat rurale si dhe mbështetja nga të ardhurat e një Qendre Rinore që vepron në fushën e fuqizimit të të rinjve.
 
Studioni për shkenca kompjuterike, por prej 5 muajsh menaxhoni dhe merreni me prodhimin e sapunit organik. Dy orientime të kundërta. Si qëndron ky raport?
Nuk është aspak e lehtë të jem e sinqertë. Menaxhimi, informatika dhe kimia janë komplet fusha të ndryshme. Por, ky angazhim i imi duket se po nxjerr në pah shumë cilësi që as unë vete nuk e dija se i kisha. Mendoj se çdo njeri mjafton të ketë dëshirën dhe pasionin në atë që bën dhe mund të arrijë të bëjë mrekulli. Nëse ke pasion, asgjë nuk duket e vështirë, përkundrazi të duket sikur po shpenzon kohën e lirë e jo sikur je në punë. Të tillë e kam ndjerë unë veten këto 5 muaj, kam mësuar shumë gjëra, jam rritur shumë nga ana profesionale dhe jam dashuruar ende më tepër pas kësaj pune.
 
Pse zgjodhët pikërisht një produkt vendas dhe jo importi?
Kjo është një pyetje qe na e drejtojnë shumë shpesh. Në fakt, në ekonominë e lirë të tregut, mundësitë për import janë të shumta. Zgjedhja për të prodhuar brenda Shqipërisë lidhet drejtpërdrejtë me misionin që ka vetë biznesi. Ai u krijua si një biznes social, si një mundësi për të ofruar zgjidhje të disa problematikave sociale që lidhen me të rinjtë. Padyshim, ky biznes nuk do të jetë në gjendje të influencojë ekonominë e vendit, por do të jap një ndihmë modeste midis shumë nismave të tjera.
 
Si është përqafuar kjo nismë. Keni patur reagime pozitive?
Me shumë kënaqësi! Nisma ka pasur mbështetje të formave të ndryshme nga individë dhe institucione. Ndër institucionet do të cilësojmë tri prej tyre: Qendra Rinore “Pa kufij”- ku vetë ky biznes social është ngritur me mbështetjen e organizatës. Mbështetja ka ardhur nga stafi dhe gjithë vullnetarët e saj në promovimin dhe ngritjen e hapave të para të biznesit. Yunus Social Business Albania- me programin “Bisness Açelerator”, ku ideja përgjatë 3 muajve u zhvillua deri sa arriti në fazën e testimit të produktit.

Në fund të këtij programi me trajnime, workshope, mentorimi dhe konsulencë, ideja e biznesit arriti në finale së bashku me 4 ide të tjera. Më pas, Yunus Social Business Albania mbështeti fazën e testimit të produktit në treg. Ky është një tregues i parë për suksesin e biznesit i cili na ndihmoj të përmirësojmë karakteristikat e produktit deri në arritjen e produktit final.

Partners Albania eshte nje tjeter institucion shume I rendesishem qe na ka mbeshtetur. Gjejme rastin ta falenderojme pasi ata na kane beret e mundur mbeshtetjen qe te hedhim hapat e pare konkret ne ngritjen e ketij biznesi. NaturAlb soaps mori pjese ne konkursin“ Green Ideas” te organizuar ne nivel kombetar. prej tyre dhe fitoi vendin e dyte Kjo fitore siguroi edhe me mbeshtetjen financiare nga Partners per te ndihmuar ne krijimin e nje biznesi te qendrueshem. Pertej pjeses monetare, edhe ngritja e kapaciteteve te stafit tone ne nje menaxhim me te mire te tij kane qene nje mbeshtetje shume e rendesishme per ne qe vazhon te na ofrohet ende nga Partners.
 
“NaturAlb” ka marrë jetë edhe si bashkëpunim me qendrën rinore ‘Pa kufij’. Cili ka qenë synimi?
Frida Bahja është një ndër themelueset e Qendrës Rinore “Pa kufij”, ashtu sikurse dhe një ndër themelueset e ‘NaturAlb Soaps’. Ishte vizioni i saj për të krijuar një model financiar të qëndrueshëm për organizatën në mënyrë që të vazhdonte programet e saj për fuqizimin e të rinjve. Kështu vetë biznesi u bë një motor shumë i rëndësishëm për t’i dhënë jetë organizatës dhe e anasjellta. Në thelb, të dyja këto nisma kontribuojnë në zgjidhjen e disa prej sfidave të të rinjve shqiptar, qofshin këta në zona urbane apo rurale.
 
Tregu shqiptar është mbipopulluar nga produktet e huaja. Mendoni se nisma të tilla dhe prodhime vendase duhet të kenë më tepër avantazh nga bizneset shqiptare?
Duke pasur parasysh të gjitha pasuritë natyrore që ka vendi ynë, unë mendoj se jemi privilegjuar nga nëna natyrë. Thjeshtë ne nuk e kuptojmë këtë gjë. Nga një bisedë me një biolog kuptova se para më shumë se 20 vjetësh, Shqipëria eksportonte mbi 200 lloje bimësh mjekësore, ndërsa sot gjysma e tyre janë zhdukur.

Nëse ne nuk i kushtojmë vëmendje prodhimeve vendase, atëherë rritet importi dhe të gjithë e dimë se ky është deficit financiar për ekonominë e vendit. Përse duhet të importojmë produkte që vendi ynë i prodhon dhe ndoshta edhe me cilësi më të mirë? Nisma të tilla si kjo e jona, janë si pika të shndritshme që të kujtojnë se ne kemi kapacitetin e duhur për ta bërë Shqipërinë një vend konkurrues të denjë në tregun global, sepse në fund çdo produkt autentik prezanton vlerat e vendit dhe krijon imazh. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 Tetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: 22 vatra të shuara në 24 orë, 5 aktive

Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: 22 vatra të shuara në 24 orë, 5 aktive