Drejt Punës/ Jorgji: Kur profesioni
‘dado’ vlerësohet edhe në Shqipëri

Drejt Punës/ Jorgji: Kur profesioni<br />‘dado’ vlerësohet edhe në Shqipëri
TIRANE- Të qenit dado ose kujdestar fëmijësh, është kthyer në një profesion, madje shumë të kërkuar përsa i përket situatës në Shqipëri. Edhe pse herë pas herë hasim dilemat e prindërve, zgjidhja më e mirë për të mbajtur punën është të punësojnë dado ose të dërgojmë fëmijën në çerdhe apo kopsht.

Rasti që ne ju sjellim është ai i Mirelës, e cila për disa vite me radhë ka pasur mundësinë të punoj si dado në Greqi, por sot ndodhet në Tiranë për të marrë dhe kualifikimin e duhur. “Kujdestari i Fëmijëve është një profesion që po gjen dita ditës terren edhe në vendin tonë. Unë vij nga një vend që këtij profesioni i jep një mundësi të madhe punësimi”, tregon Mirela. Ashtu siç shikojmë edhe në Qendrën e Kurseve Profesionale, ofertat e punësimit për dado (kujdestar fëmijësh) janë gjithnjë në rritje, prandaj dhe ky profesion ka zënë këndin e tij.

Qendra e kurseve profesionale, e ofron specializimin në këtë drejtim dhe një kursant që ndjek mësimet përgjatë dy muajve në fund të këtij kursi profesional është i aftë të përkujdeset për fëmijët nga mosha 1-6 vjeç në mjedise shtëpiake por edhe në institucione të përkujdesjes së fëmijëve, si çerdhe, kopshte etj.

Kur profesioni ‘dado’ të përkthehet në të ardhura
Sot, tregu përballet jo vetëm me vështirësit e punësimit, por edhe me anën financiare. Shpesh herë nuk jemi të kënaqur me pagën, sepse këtë na ofron dhe tregu i punës. Me Mirelën, ka ndodhur e kundërta, ajo për kohën që ka ushtruar profesionin e dados është ndjerë e vlerësuar.

“Nuk është primare ana ekonomike, është ana njerëzore, por duke e lidhur me kohën dhe realitetin detyrimisht dhe ana ekonomike zë vendin kryesor. Në Greqi, ku kam jetuar isha mëse e kënaqur sepse vlerësohej dhe si punë të ishe një bebisiter”, pohon Mirela. 

Kualifikimi
Është mjaft e vështirë për prindërit që të gjejnë persona të specializuar në këtë drejtim. Ndaj shkollimi është mjaft i nevojshme për këtë degë dhe kurset për tu bërë kujdestar fëmijësh janë zgjidhje e mirë. “Normal që edhe shkalla e kualifikimit luan rol në këtë prizëm, por që do doja që ti jepej akoma më shumë vlerësim edhe në Shqipëri sepse çdo gjë është e lidhur, është zinxhirë”, thekson Mirela duke u treguar optimiste për mënyrën se si po trajnohet pranë qendrës së kurseve profesionale.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 16 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Një letër për studentin e gazetarisë në kohën e marrëzisë

Një letër për studentin e gazetarisë në kohën e marrëzisë