Drejt Punës/ Pervizi: Me ide dhe 
përpjekje, i largohesh papunësisë

Drejt Punës/ Pervizi: Me ide dhe <br />përpjekje, i largohesh papunësisë
TIRANE- Vështirësitë që shoqërojnë çdo student pas mbarimit të shkollës, stresi psikologjik nëse do të arrijnë të ushtrojnë profesionin e tyre, problemet ekonomike me të cilat përballen, u bënë shtysa dhe rruga që e çoi drejt suksesit 25-vjeçaren Vjena Pervizi. Pasi mbaroi studimet e larta në Fakultetin e Ekonomisë, u përball me sfidën e një të sapodiplomuari: Papunësinë. Përballë kësaj sfide të vazhdueshme, ajo vendosi të mos nënshtrohej duke qëndruar duarkryq, por nisi një rrugë, ku më vonë zbuloi pasionin e saj; punimet artizanale të realizuara me dorë.

Vjena tregon se kjo punë ku ndërthuret arti, pasioni, e bukura dhe talenti është tepër frymëzuese për të dhe për gjithë të rinjtë e angazhuar së bashku me të. Pavarësisht lodhjes, rezultati i punëve të dorës, e bukura në këto punë është ajo që mbizotëron dhe fshin gjurmët e lodhjes fizike. Punimet tradicionale ngjallin interes te njerëzit, të cilët i preferojnë, megjithatë, 25-vjeçarja shpreh bindjen se me kalimin e kohës këtyre veprave do t’u njihet më shumë vlera në treg, pasi janë të bukura, kanë fantazi, traditë e mbi të gjitha janë funksionale.

Historia e saj është dëshmi dhe shembull sesi një mendje kreative, edhe pse e profilizuar në një shkollë të caktuar, mund të arrijë suksesin në fushën që dëshiron dhe ka pasion. Sigurisht, arritja e suksesit nuk është fundi i pritshmërive të Vjenës. Ajo synon që të rrisë shoqatën ku punon, duke e promovuar e duke e bërë atë edhe më të njohur e kështu duke krijuar mundësi punësimi për të gjithë ata të rinj e të reja që dëshirojnë të shprehin talentin dhe kreativitetin e tyre.
 
Si i kujton fillimet tuaja. Kush ta ka mësuar zanatin e mbulesave dhe qëndisjen e poçave?
Ne jemi tri shoqe ndër vite dhe kalonim pothuajse çdo ditë bashkë. Ishim diplomuar dhe akoma nuk kishim gjetur punë në profilin tonë. Kishim ëndrra pafund dhe arti ishte pjesë e tyre. Të frymëzuara nga mamaja e Sarës dhe me ndihmën e saj, plot dëshirë e pasion, morëm këtë nismë. 
        
E bën për pasion apo ngaqë nuk munde të gjesh punë në profilin tënd e pe si një alternativë të mirë punësimi?
Nisi si nevojë, si rrugë zgjidhje për papunësinë. Dita ditës të shtyra dhe nga njëra-tjetra, zbuluam pasionin. Sot, edhe pse jam e punësuar, shoqata ‘TAK’ vazhdon të jetë parësore për mua. Qëllimi i saj ka rëndësi jo vetëm për ne, por dhe për shumë njerëz të talentuar rreth këtyre fushave dhe që nuk kanë mundësi promovimi.
 
Sa e vështirë është të bësh këtë punë në ditët e sotme?
Nëse ke dëshirë asgjë nuk është e vështirë. Pavarësisht që puna e dorës do kohë, ide, përkushtim dhe ka edhe lodhje, kur shikon rezultatin në fund fiton kënaqësi. Ajo mbetet gjithmonë e bukur.
 
A ka interes apo treg mjaftueshëm për produktet tuaja?
Punimet që ne dhe anëtarët tanë bëjnë janë të bukura dhe mjaft interesante për njerëzit. Janë punime tradicionale, punime me fantazi, riciklime të sjella në versione moderne e funksionale, e shumë të tjera. Preferohen, por që shpresojmë që në vazhdim t’iu njihet vlera dhe rëndësia akoma më shumë.
 
Mendoni se kjo nismë ka perspektivë në një të ardhme. Cilët janë klientët që kanë përqafuar më shumë këtë iniciativë?
Qëllimi i shoqatës është i gjerë. Idea është në promovimin e të gjithë atyre njerëzve të talentuar, por që për fat të keq nuk u janë krijuar mundësitë për të shfaqur punët e tyre. Në mbledhjen e punimeve dhe pjesëmarrjen në panaire dhe evente të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Në këtë mënyrë nxitet vazhdimësia e punimeve me dorë dhe ‘artistët’ tanë kanë një motiv akoma më shumë pasi mund të shpërblehen për punën e tyre.
 
Pas një diplome në Ekonomik u drejtuat drejt zanateve.
Është ky një mesazh për të gjithë të rinjtë të cilët pas mbarimit të Universitetit të kenë një orientim?
Ka shumë të rinj të cilët janë të diplomuar, por tregu i punës ofron shumë pak dhe shumë prej tyre mbeten të papunë. Një zanat konkret, aq më tepër i orientuar drejt punimeve artizanale, drejt artit dhe kulturës, është sa i bukur aq edhe me vlerë. Punimet e dorës janë gjithmonë më të vlerësuarat. Me pak dëshirë dhe talent, arrihet shumë.
 
Cilat janë pritshmëritë tuaja në vazhdimësi?
E nisëm me punime të vogla, por mjaft të bukura dhe të preferuara nga njerëzit kryesisht për të bërë dhurata pasi janë të veçanta. Një kujtim i vogël, por më shumë kuptim. Interesi i njerëzve na shtyu që ta zgjerojmë aktivitetin tonë. Jemi të hapur për anëtarësime të gjithë atyre që kanë punime të tyre dhe duan që t’i ofrojnë në treg nëpërmjet pjesëmarrjeve tona nëpër panaire, ekspozita, festivale. Me përkushtimin dhe punën tonë, punën e anëtarëve të shoqatës dhe mbështetjes nga donatorë të ndryshëm, shpresojmë që të arrijmë sukses dhe të ofrojmë mundësi punësimi për të gjithë ato mendje kreative.


 Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 Tetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Horoskopi i muajit shtator 2024/ Çfarë surprizash ju presin në dashuri, punë dhe financa?

Horoskopi i muajit shtator 2024/ Çfarë surprizash ju presin në dashuri, punë dhe financa?