Burime nga prokuroria e Shkodrës thanë për gazetën Shqiptarja.com, se janë gjetur të tjera të dhëna dhe fakte që implikojnë Emiliano Shullazin, Edison Harizajn dhe Dritan Dajtin, (të tre personazhet gjenden prapa hekurave të burgut), se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen për implikim në vrasjen e Skerdilajd Konomit; vrasjen e Përjet Abazit, si dhe bashkëpunim për gjobvënie ndaj disa bizneseve në Tiranë.
HISTORIA
Në 9 shtator 2011, Vlora u trondit nga një krim makabër, i padëgjuar dhe i paparë ndonjëherë, që i mori jetën gjyqtarit 33 vjeçar të gjykatës së Vlorës Skerdilajd Konomit. Jo vetëm komuniteti i gjyqtarëve e juristëve, por gjithë Shqipëria mbajti zi për gjyqtarin e ri, në makinën e të cilit ishte vendosur eksploziv dhe që shpërtheu në Bulevardin qendror të qytetit të Vlorës, në sy të dhjetëra e dhjetëra qytetarëve kalimtarë, që ndërkohë ndjenin po ashtu dhe vuajtjet e gjyqtarit brenda makinës e askush nuk reagonte. Shteti mori masa dhe deklaroi se këtë ngjarje do ta zbardhte në kohën më të shpejtë të mundshme, por tani që kanë kaluar më shumë se 17 muaj, e vërteta e vrasjes së gjyqtarit ende nuk është bërë publike, ndërkohë që prokuroria dhe oficerët e policisë gjyqsore po përpiqen të vijnë drejt një piste të sigurt. Në fakt, u fol për çështjen e pronësisë, por nga urdhëruesit e vërtetë të kësaj vrasje deri tek ekzekutorët e saj në praktikë, askush nuk ka nxjerrë të dhëna të sakta. Burime nga prokuroria i thanë Shqiptarja.com, se forcat e ligjit janë duke ardhur në një pistë që implikon bashkëpunimin e emrave që më parë janë përfshirë në ngjarje të ndryshme.
VRASJA E BIZNESMENIT
Kur Përjet Abazi u vra, mediat shkruan e folën vetëm për pak gjëra. Fakti se ishte vëllai i deputetit të PS-së, Sadri Abazi, komplikoi edhe pistat e hetimit, nëse ishte një “hakmarrje” personale, apo ishte larje hesapesh politike.
Vrasja e Përjet Abazit ndodhi në 4 maj të vitit 2011. Persona të maskuar ekzekutuan në një kazino në Laç vëllain e deputetit të PS. Në atë kohë u fol se kamerat e sigurisë së një banke aty pranë kishin marrë pamje të qarta të vrasësve, dhe ndërkaq, nëpërmjet këtyre pamjeve, gjithçka do të zgjidhej. Tani po kalojnë thuajse dy vjet nga vrasja, dhe prokurorët, duket se kanë ardhur në disa konkluzione konkrete që i çojnë në të njëjtin drejtim. Abazi ishte vendosur në kazino duke luajtur dhe në mbrëmjen e 4 majit, rreth orës 20.30 minuta, ai u qëllua me armë automatike. Dyshimet për vrasjet shkuan që nga klientët e kazinosë, deri tek borxhlinjtë. Madje, policia deklaroi se ishte afër zbardhjes së krimit. Por edhe pse po kalojnë gati dy vjet, asgjë nuk është zbardhur, duke bërë të qartë se ekzekutorët kanë qenë profesionistë.
Ndërkohë, burime nga prokuroria e krimeve të rënda thanë se në kuadër të zbardhjes së vrasjeve të bujshme, forcat e ligjit po bëjnë çështë e mundur të arrijnë në të dhëna konkrete për të arritur edhe tek autorët konkretë. Për shkak të hetimeve, oficerët e policisë gjyqësore nuk zbardhin më shumë të dhëna, por thonë se janë afër zbardhjes së vërtetë të ngjarjeve që implikojnë njerëzit e botës së krimit.
(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)