Një nga dramat më të forta që trajton drejtësinë, fajin dhe përgjegjësinë njerëzore vjen në skenë para publikut shqiptar. “Drejtësi në Nuremberg” është shfaqja me regji nga Arben Kumbaro, e cila ka patur premierën në Teatrin Kombëtar dhe është shfaqur këtë fundjavë para publikut. E bazuar në gjyqet historike ndaj nazistëve pas Luftës së Dytë Botërore, vepra nuk ndalet vetëm te historia, por i flet drejtpërdrejt realitetit të sotëm.
Për regjisorin Kumbaro kanë qenë pikërisht zhvillimet e fundit në botë, që e shtynë të sillte për publikun këtë shfaqje. Sipas tij, ngjarjet aktuale krijojnë paralelizma të fortë me periudhat e errëta të historisë.
“Ka gjashtë apo shtatë vjet që ka një rikthim të së djathtës ekstreme në Europë. Ka gjithmonë e më tepër thirrje për luftë dhe konflikte sociale. Një personazh në fund të pjesës thotë se po lind një rend i ri botëror, dhe këtë frazë e lexojmë çdo ditë në gazeta”, shprehet Kumbaro.
Regjisori thekson se drama synon të nxisë reflektim jo vetëm për krimet e nazizmit, por edhe për mënyrën se si shoqëritë përballen me të shkuarën e tyre.
“Ka shumë momente të ngjashme me historinë e para 50 viteve të Luftës së Dytë Botërore dhe të pasluftës. Ky ishte ngacmimi kryesor për t’i folur realitetit. Por ka edhe një reflektim më të thellë për historinë tonë me komunizmin. Asnjëherë nuk kemi qenë të bindur se kemi mbajtur qëndrim të drejtë moral ndaj asaj periudhe dhe i jemi borxhlinj këtij populli për drejtësi”, shton ai.
Në skenë, aktorët Myzafer Zifla, Alfred Trebicka, Indrit Çobani, Viktor Zhusti, Neritan Liçaj, Sokol Angjeli, Donald Shehu e të tjerë sjellin historinë e një gjyqi, ku përballen njerëz të akuzuar për krime çnjerëzore të kryera në emër të ligjit. Në një kohë kur konfliktet dhe tensionet globale janë gjithnjë e më të dukshme, Kumbaro thotë se arti duhet të reagojë.
“Gjërat po ndodhin shumë shpejt sot në botë. Çdo ditë dëgjojmë lajme për luftëra, për bomba, për masakra e gjenocid. Ne po flasim për një gjenocid atje, por në fakt historia na kujton se këto tragjedi mund të përsëriten nëse nuk reflektojmë”.
“Drejtësi në Nuremberg”, një dramë që shtron pyetje të forta mbi fajin dhe drejtësinë, do të rikthehet për publikun në skenën e Teatrit Kombëtar në datat 12 deri më 15 mars.
Komente












