Një grup aktivistësh protestuan këtë të enjte para SPAK, duke kërkuar rihapjen e hetimeve për masakrën e Peshkëpisë, e shënuar më 10 Prill 1994, për të cilën akuzohet si i përfshirë edhe Fredi Beleri.

“Drejtësi për Peshkëpinë, Fatmir Shehu dhe Arsen Gjini “, “Jam gati të dëshmoj”, “SPAK! Të rihapen hetimet e masakrës së Peshkëpisë, që u mbyllën në mënyrë të turpshme nga gjyqtarë që ngelën jashtë nga vettingu”, “Ligji i luftës është i grekëve, dëshmorët të shqiptarëve”, “2 ushtarakë të vrarë, 3 të plagosur asnjë i ndëshkuar”, ishin disa nga pankartat që shfaqën para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme.

Njëri nga dëshmitarët tha para mediave se ka marrë edhe kërcënime por nuk ka frikë të dëshmojë. Ai kërkoi që drejtësia të rihapë dosjen dhe jo të heshtë siç ka bërë këto tre dekada, duke kërkuar të hetojë edhe rolin e Fredi Belerit, që sipas të cilit u kap me armë, por sot është eurodeputet.

“Kam qenë ushtar i asaj nate. Sot e 31 vjet drejtësia hesht akoma. Kur erdhi eurodeputeti Fredi Beleri, i cili është i kapur me armë. Sot është eurodeputet. Dikur kandidat për bashkinë Himarë dhe drejtësia akoma hesht. Nuk e di se sa duhet të presim si ushtar i asaj nate. Mos vallë duhet të bëmë vetëgjykim dhe vetëdrejtësi? Atë natë ka ndodhur një tmerr i vërtetë që nuk më hiqet nga mendja. Edhe brez pas brezi do ta lë edhe trashëgimi femijëve të mi atë natë. Ishte ora 12 e natës, erdhën bandat greke në bashkëpunim me bandën shqiptare, të cilët na terrorizuan, na vranë komandantin dhe ushtarin, duke na thënë se kemi këtu që në 1914 dhe s’e kemi harruar këtë vend. Duam drejtësi, kush fshihet pas. Pse mbyllet çështja, pse nuk rihapet. Kërkojmë rihapjen e çështjes së Peshkëpisë. Pse drejtësia hesht? Nga kush fshihet dhe ka frikë? Unë si dëshmitar i asaj nate asnjëherë nuk jam...vetëm dikur që na pyeti prokuroria në fillimet e ngjarjes. Më pas çështja mbyllet. Kur armët iu kapën Fredi Belerit. Faktet janë të sakta nga vetë shteti grek. Çfarë faktesh të tjera duan më? Kam qenë edhe në Shqipëri, edhe në emigrim në Greqi. Kam marrë edhe kërcënime. Nuk trembem. Ka edhe shumë dëshmitarë të tjerë por kanë frikë të flasin. Kush e dha urdhërin që ne të ishim pa fishekë atë natë? Pa armë. Ne dimë deri diku, ka të tjerë më lart që dinë më mirë. Ne s’kishim armë kur kemi vajtur ushtarë atje. Më pas na i dhanë.”, u shpreh dëshmitari.
 

Fredi Beleri është një ndër të akuzuarit për masakrën e Peshkëpisë, ngjarje e ndodhur më 10 Prill 1994, ku 7 persona të armatosur dhe me uniforma ushtrie sulmuan një repart ushtarak shqiptar në rrethin e Gjirokastrës e ku ranë dëshmorë ushtarët Fatmir Shehu dhe Arsen Gjini. Çështja u mbyll nga SPAK në 2021 për mungesë provash.