Analisti Arben Meçe është shprehur se dosja ndaj gjyqtares Irena Gjoka (lidhur me një dënim të pretenduar të saj në Greqi) është prodhuar nga eurodeputeti Fredi Beleri, me qëllim ‘goditjen’ e gjyqtares.

Në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, Meçe tha se dokumenti i falsifikuar nga Beleri më pas iu dha kryedemokratit Sali Berisha për ta bërë publik dhe për ta dorëzuar në institucionet e drejtësisë në Shqipëri.

Sipas Meçes, në të gjitha arkivat e Greqisë, nëse kërkon, nuk gjendet një dosje e tillë dhe sipas tij, gjyqi i pretenduar ndaj Irena Gjokës në Janinë nuk është bërë kurrë.

“Gjyqi thotë ‘çështja po bëhet në mungesë’. Gjithë maskarallëku fsheh detaje në data ktu. Në kronologji vërtetohet diçka tjetër. Nëse sot vete në Greqi dhe kërkon këtë gjyq në regjistrat grekë, nuk ekziston. I gjithë ky dokumentacion është dokumentacion i manipuluar nga linja e Belerit në Greqi. Ky gjyq nuk është bërë kurrë. Nëse Irana Gjoka ndalohet për t’u futur në kufij, nuk përbën detyrim ligjor për t’u paraqitur në kartelën e pastërtisë. Vetëm nëse do të ishte dënuar. Ky është një dokument i prodhuar nga një dosje që nuk dihet kush është. I është ndryshuar vetëm emri. Beleri në momentin kur Gjoka ishte në kulmin e procedimit gjyqësor ndaj Belerit, prodhon këtë dosje në Greqi dhe ja jep Sali Berishës”, tha Meçe.

Nga ana tjetër, avokatja Sonila Velo, duke iu referuar vendimit të GJKKO-së që ktheu në SPAK çështjen e gjyqtares për plotësim hetimesh, tha se nga ky proces figura e Irena Gjokës mund të pastrohet totalisht.

“Irena Gjoka është një gjyqtare e GJKKO-së dhe duke qenë se është në këto strukturat e posaçme, është bërë një filtrim i hollësishëm. Duke qenë se jemi në një çështje që vazhdon ende nën hetim, nuk mendoj se është e përshtatshme për të dhënë një mendim, përsa kohë nuk kemi një vendim të formës së prerë. Mbase pas vendimit të sotëm, mbase mund të pastrohet totalisht figura e Irena Gjokës, duke u bërë një hetim më i thellë. Sepse e gjithë kjo histori nisi si çështje politike”, tha Velo.

Ndërsa avokati Përparim Caca evidentoi disa ‘të meta’ gjatë hetimit të zhvilluar për gjyqtaren Irena Gjoka. Një prej këtyre ‘të metave’, sipas tij ishte mos-marrja në pyetje e kallëzuesve të gjyqtares Irena Gjoka (Adriana Kalaja, në emër të PD). Në përfundim Caca e cilësoi hetimin ndaj Gjokës të cunguar dhe të paplotë.

“Unë prisja që KLGJ të delegonte një gjyqtar tjetër në këtë gjykatë. Duke pasur parasysh që po flasim për një gjyqtare brenda së njëjtës gjykatë. Me të gjitha detyrat e lëna prokurorisë, kemi të bëjmë me rreth 20 detyra që do të jenë në pjesën arsyetuese të vendimit, se ku do të duhet të hetojë organi i Prokurorisë. Së pari nuk janë pyetur kallëzuesit, një e metë proceduriale shumë e rëndësishme përsa i përket hetimit. Edhe përsa i përket korrespodencave që kanë qenë në lidhje me KLGJ-në dhe ILD-në, në lidhje me dënimin, por edhe me aspekte të tjera, faktikisht e bëjnë një hetim të cunguar dhe të paplotë. Afati 6-mujor jo më kot është lënë pak i madh, sepse ka goxha pjesë proceduriale për t’u përmbushur. Pasi zakonisht jo më shumë se 2-3 muaj... SPAK edhe mund të ankimojë, por vazhdon agonia. Sot thjeshtë është shpallur vendimi dhe të gjitha detyrat e lëna për plotësim të hetimeve do të jenë në pjesën arsyetuese të vendimit, që nuk e kemi në rastin konkret”, tha mes të tjerash Caca.

Një tjetër këndvështrim kishte ish-prokurori Ervin Karanxha për çështjen. Ai e shikon problemin te organet e vettingut, të cilat sipas tij nuk kanë bërë asnjë lloj verifikimi. Nëse organet e vettingut do të kishin verifikuar më herët figurën e Irena Gjokës, sot nuk do të ekzistonte ky debat mbi pastërtinë e figurës së gjyqtares.

“Unë problemin më të madh e shoh te organet e vettingut. Që të kishte dalë me një vendim përfundimtar, s’kishim pse i hynim këtij debati. Për çfarë i kanë marrë ato rroga nga 6-7 milionë lekë në muaj, badyguardë dhe roje. Në fund fare na del që nuk është bërë asgjë. Sepse topi është hedhur në fushën e SPAK nga organet e vettingut, që nuk kanë bërë asnjë lloj verifikimi”, tha mes të tjerash Karanxha.

Gjykata e Posaçme ka vendosur sot të kthejë në SPAK çështjen e gjyqtares Irena Gjoka për plotësim hetimesh. Më herët SPAK kishte kërkuar pushimin e procedimit penal me argumentin se procesi është zhvilluar në mungesë dhe nuk është vërtetuar nëse Irena Gjoka ka qenë në dijeni të dënimit, duke shtuar se ndjekja penale lidhur me këtë fakt rezulton e shuar për shkak të parashkrimit.