TIRANË-Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim kërkon nga politika shqiptare që të arrijë konsensusin për reformën zgjedhore brenda afatit që janë zotuar, 31 maj, pra për 5 ditët e ardhshme gjithçka të jetë e kopsitur. Deklaratën ambasadorja e SHBA-së e bëri pas takimit me Lulzim Bashën në selinë blu, që zgjati për më shumë se një orë, rreth 90 minuta. Kim tha se ky nuk është një afat që është vendosur nga SHBA, por e kanë vendosur vetë udhëheqësit politikë dhe tani të mbajnë premtimin.

"Sapo zhvilluam një takim me kryetarin e opozitës Luli Basha. Diskutimi ynë ishte i fokusuar për të ardhmen dhe jo për të shkuarën. Dhe veçanërisht folëm si udhëheqësit shqiptarë duhet të përmbushin pritjet e popullit shqiptar sikurse kanë premtuar për të përfunduar reformën zgjedhore deri në 31 maj. Ky nuk është afat kohor që e ka vendosur ambasada e SHBA apo ndonjë faktor tjetër i jashtëm, por një afat që e kanë vendosur vetë udhëheqësit mbi veten e tyre. Nga përkufizimi opozita ka një punë shumë të vështirë përpara tyre, por ndihem e inkurajuar nga diskutimi këtë pasdite dhe pres me kënaqësi rezultatet" tha Kim.

Lulzim Basha tha se ka qenë opozita që e ka vendosur këtë afat, pra 31 majin për shumicën dhe është e vendosur për të bërë gjithçka që të ketë përfunduar brenda kësaj date.

"Falenderoj ambasadoren Kim për mbështetjen që i ka dhënë dhe jep reformës zgjedhore. Organizimi i zgjedhjeve të lira është prioriteti absolut i PD-së, që t'u drejtohen një orë e më parë kutive të votimit të të zgjedhin të pandikuar nga paratë e krimit dhe korrupsionit, qeverinë e tyre. Do të bëjmë gjithcka që brenda 31 majit, një afat që ne ia kemi kërkuar dhe vendosur kësaj shumice, që reforma të ketë përfunduar dhe të garantojmë vullnetin politik për të zbatuar ligjin, që është problemi numër një në Shqipëri, që kjo krizë e thellë të marrë rrugë zgjidhje përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe njëkohësisht Shqipëria të ecë përpara, të hapë rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE" tha Basha.

Sot palët arritën konsensusin për tre pika të reformës zgjedhore, por puna më e vështirë mbetet përpara. Pavarësisht asaj që që tha Kim sot, Gjiknuri u shpreh se mund të afati mund të kalojë përtej 31 majit. Ashtu si takimet e fundit me kryeministrin, ambasadorja në selinë blu shkoi me mesazhe për politikën shqiptare, teksa në çantën e saj shkruhej "Ambicie. Respekt. Punë në grup’.

1590498941_yurikim.jpeg

Çanta e ambasadores me  mbishkrimin "Ambicie. Respekt. Punë në grup’.