Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar i ka mbyllur përfundimisht dyert për mediat, duke shënuar një akt të paprecedentë në marrëdhëniet e gjyqësorit me mediat në historinë e vendit përgjatë 35 viteve demokraci. Një rregullore e Brendshme “Për sigurinë, rendin, solemnitetin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” e hartuar nga kryetari në detyrë, Erion Bani dhe e miratuar së fundmi për të hyrë në fuqi më 1 shtator, ka shuar edhe ato pak hapësira lirie informimi që kishin mbetur ende.
Në shkelje flagrante të së drejtës së informimit, Rregullorja e kthen gazetarin në një burokrat që duhet të mbushë çdo ditë formularë për të kërkuar leje që të ndjekë seancat, ndërsa kur gjendet brenda sallës së gjyqit, trajtohet thjesht si një spektator, pa as më të voglën mundësi për të ushtruar lirisht profesionin. Edhe i vetmi mjet pune, deri më tani i lejuar, telefoni celular, i përdorur ekskluzivisht për komunikimin e informacionit në redaksi, përmes mesazheve me tekst, tani bëhet i ndaluar. Një rikthim në epokën e gurit.
Më shumë se sa një përpjekje për një marrëdhënie të drejtë me mediat, akti i GJKKO-së duket si një hakmarrje e drejtpërdrejtë ndaj tyre, pasi dy muaj më parë ngritën publikisht zërin ndaj kufizimeve gjithnjë e në rritje, edhe të atyre të drejtave që ua njihte një udhëzim, edhe ai jo pak problematik, i Këshillit të Lartë Gjyqësor i vitit 2023. Me Rregulloren e re, GJKKO praktikisht e ka hedhur në kosh edhe këtë udhëzim.
Deri më tani gazetarët ishin të lirë të ndiqnin çdo proces. Mjaft të ishin në sallë pa hyrë trupi gjykues. Me rregulloren e re, do duhet që të bëhet paraprakisht një kërkesë me shkrim, të paktën 24 orë përpara seancës. Por mund të ndodhë që në sallë mos të ketë hapësirë, për të gjithë gazetarët e interesuar. GJKKO parashikon që në një situatë të tillë, hyn vetëm një pjesë. Ndësa të tjerët, do të duhet të marrin informacionet nga kolegët e tyre. Kjo në fakt është një praktikë që përdoret edhe jashtë, por vetëm për rastin e kamerave.
Vetëm kaq do të mjaftonte për të kuptuar se qëllimi i kësaj Rregulloreje, nuk ka patur as synimin më të vogël për të respektuar të drejtën e informimit, si një e drejtë kushtetuese, por vetëm ta kufizojë atë. Se si një gazetar do të duhet të mbështetet te shënimet e marra vetëm me laps e letër, nga një koleg i tij, kjo është thjesht një shpikje e cila jo vetëm pengon gazetarin, por dhe cënon cilësinë e informacionit, i cili, si në gojëdhënat e lashta, do duhet të kalojë nga një koleg të tjetri.
Në sallë nuk lejohen as tabletat, e as laptopët. Një kufizim që shtrihet dhe për të pandehurit dhe avokatët, nëse kryesuesi i trupit gjykues “çmon se përdorimi i tyre cënon sigurinë, rendin solemnitetin dhe administrimin e rregullt të drejtësisë”. Dhe kjo në një kohë kur vetë dosjet e SPAK, arrijnë në dhjetra mijëra faqe.
Për të kaluar te prania e kamerave. GJKKO-ja citon parimin e publicitetit të gjykimit, por thotë në nenin 78 se “fotografimi, regjistrimi ose transmetimi audioviziv i seancave gjyqësore nuk përbën element të domosdoshëm të këtij parimi dhe autorizohet vetëm në kushtet e parashikuara nga kjo rregullore”. Një përkufizim që nuk përpiqet as të fshehë qasjen kufizuese ndaj medias dhe rolit të saj.
Ligji është i qartë kur shprehet se “seancat gjyqësore publike janë të hapura për publikun dhe median”, duke e parashikuar këtë si rregull, dhe kufizimin si një përjashtim nga rregulli. Në të kundërtën, kjo Rregullore ofron në fakt vetëm ndalime, aq sa është dhe në kontradiktë me përcaktimet e saj. Ndërsa duhet që gjykata të marrë 24 orë përpara kërkesën me shkrim, në Nenin 78 pika 3 thuhet se “ekipet filmike nuk lejohen të hyjnë në sallën e gjykimit me kamera ose pajisje të tjera regjistrimi deri në momentin kur trupi gjykues shprehet mbi kërkesën për regjistrimin ose transmetimin e seancës”. Një përkufizim që qartazi nënkupton se ato duhet të jenë të pranishme në momentin kur njoftohet ky vendim në sallë, siç parashikon dhe udhëzimi i KLGJ-së: “Kërkesa pranohet ose refuzohet plotësisht ose pjesërisht, vetëm në çelje të seancës gjyqësore, kur të pranishëm në sallë janë edhe përfaqësuesit e medias që bën kërkesën. Kjo pjesë e seancës është e regjistrueshme dhe transmetohet pa asnjë kufizim”. Por, ndryshe nga sa parashikon KLGJ-ja dhe nga praktika e deritanishme, me urdhrin e ri nuk lejohet më as filmimi i minutave të para të seancës.
Por më tej në Nenin 95, pika 3 e Rregullores së GJKKO-së, ka një tjetër parashikim: “Vendimi mbi kërkesën merret nga trupi gjykues dhe i njoftohet përfaqësuesit të medias përpara fillimit të seancës, nëpërmjet nëpunësit përgjegjës për marrëdhëniet me median”. Një vendim i një trupi gjykues, njoftohet në sallë, dhe ai duhet të jetë I arsyetuar. Ndërkohë që GJKKO-ja vendos ta bëjë me korrier, përmes një nëpunësi, pa përcaktuar madje as edhe formën, nëse do të njoftohet gojarisht nga nëpunësi, apo me shkrim.
Rregullorja e stërgjatë e GJKKO-së, nuk ka asnjë parashikim për rastin kur prania e medias dhe e kamerave, kërkohet nga të pandehurit. Kjo duket një e drejtë e cila iu është mohuar apriori.
Rregullorja ka një kapitull të veçantë që titullohet “Media, Publiku dhe Transparenca”, por në fakt fjala ‘Transparencë’ mbetet vetëm në titull, ‘Publiku’ mbetet një nocion abstrakt, ndërsa ‘Media’ është e ndëshkuara e madhe.
E drejta për informim është një nga liritë dhe të drejtat e parashikuara në kushtetutë. Dhe Kushtetuta parashikon që të drejtat dhe liritë kufizohen vetëm me ligj. Ligjet janë produkt vetëm i parlamentit, dhe një akt i një Gjykate, qoftë dhe e Posaçme, nuk mund të dalë mbi to. Në praktikën ligjore, Rregullorja 124 faqëshe e GJKKO-së nuk do duhet të gjejë zbatim, duke nisur nga vetë anëtarët e kësaj gjykate.











Komente
Komento