Drejtësia europiane e padrejtësia
e ligjit ndaj mjekut shqiptar?!  

Mjekësia është një konglomerat shkencash, e cila në sajë të dedikimit të plejadave të tëra të mjekëve, evolucionit dhe progresit teknologjik ka bërë të mundur përmirësimin e shëndetit të njeriut, zgjatjen dhe rritjen e cilësisë së jetës në nivele të paimagjinueshme deri disa vite më parë, dhe kjo e vlefshme jo vetëm për vendet e zhvilluara por edhe në vendet në zhvillim sikurse është edhe Shqipëria.

Për shkak të këtij progresi të jashtëzakonshem teknologjik dhe shkencor, qenia njerëzore arrin të luftoje me sukses një numër të madh sëmundjesh duke realizuar shërimin e plotë prej tyre ose të paktën mbajtjen nën kontroll të sëmundjes duke bëre të mundur rritjen e jetëgjatësisë.

Sigurisht që mjekësia nuk është gjithmone e sukseshme, dhe në raste të caktuara trajtimi mjeksor nuk ka rezultatet e duhura, dhe pikërisht këto janë ato raste të cilat na bëjne të mendojme se ç’duhet bërë më shumë, ose çfarë nuk u bë në mënyrën e duhur, apo ku gabuam?! Po cilat janë këto dështime dhe kush është origjina e tyre? Janë mjekët të papërgjegjshëm apo të paaftë, apo është pikërisht shkenca mjeksore e cila lë vend për keqinterpretime? “Kush” dhe “si” do të jetë pergjegjës për këto dështime?

Në këto raste kush është viktima: pacientet dhe familjarët e tyre apo mjekët të cilët do të përballen me përgjegjesi kriminale sipas ligjit aktual shqiptar? Tashmë në vendin tonë janë të shpeshta rastet kur mjekët trajtohen si kriminele, arrestohen dhe persekutohen, figura e tyre përdhoset dhe reputacioni i tyre perçudnohet, dhe ky fenomen po shkon në rritje dhe dukshëm është i shoqëruar me një “kenaqesi” groteske dhe të pajustifikuar të njerëzve të rëndomtë dhe opinionit publik, duke justifikuar kështu “korrupsionion” e ideuar dhe anatemuar ne mass media dhe shpesh herë në linearitet me interesa të caktuara politike të cilët për një çerek shekulli e panë sistemin shëndetësor si një aneks ku “nuk ia vlente të investohej”. 

Sigurisht, që shkencat mjekesore nuk u zbuluan sot, por njeriu që në lashtësi ka tentuar të mjekojë dhe të shëroje vetveten, pavarësisht mundësive dhe njohjeve të kufizuara mbi sëmundjet. Në këtë kontekst figura e mjekut është tepër e rëndësishme në shoqërine njerëzore dhe roli i mjekut në organizimin social është i njohur që në lashtësi dhe në hapat e para të civilizimit.

Njerëzit janë të frikësuar nga sëmundjet dhe mundësitë e trajtimit të tyre, janë të frikësuar nga enigma e dhembjes dhe e vdekjes pasi nuk kane dijet e nevojshme, dhe ndërkohe shëndeti i pacientit ishte një domen i mjekëve. Me zhvillimin dhe progresin, edhe ky raport në dukje i thjështëe dhe i bazuar në një “besim reciprok” ka pësuar modifikime te caktuara, duke përfshirë të drejtën e pacientit për të qënë i informuar mbi metodën e mjekimit dhe rezultatet e pritshme dhe duke e involvuar pacientin gjithmonë e më shumë në trajtimin e tij shëndetësor.

Pikërisht ky zhvillim dhe progres, një realitet i ri socio-ekonomik ka sjellë qe manaxhimi i shendetit të pacientit të mos jetë vetëm pronë e kastës mjeksore por njëkohesisht të ketë një involvim të rëndësishëm të pacientit, familjarëve, kodeve etike dhe sigurisht legjislacionit përkatës.

Të drejtat themelore të njeriut janë të përcaktuara më së miri nga Organizata e Kombeve të Bashkuara apo Organizata Botërore e Shëndëtesisë. Që në vitin 1948 është përcaktuar që: e drejta për të patur standartet më larta të mundshme shëndetësore është një e drejtë themelore e çdo njeriu pavaresisht racës, besimit, kahjes politike apo pozicionit social. Deklarata e Organizates Botërore të Shëndetesise për të Drejtat e Pacienteve në Evropë, Amsterdam 1994, do të përcaktonte që: “pacientet kanë të drejtën e konfidencialitetit për të pranuar dhe vlerësuar tipin e trajtimit mjeksor si dhe të jenë të informuar mbi procedurat mjeksore dhe rrezikun e tyre të mundshëm”.

Mbrojtja e të drejtave të pacienteve përcaktohet gjithashtu në Kartën e Kombeve të Bashkuara (1945), Deklarat Universale e te Drejtave te Njeriut (1948),  Konventa Europiane e te Drejtave te Njeriut (1950), Karta Europiane Sociale (1961), Marrëveshja Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike (1966) dhe ne fund Karta Europiane e te Drejtave te Pacienteve (2002), e cila përcakton në mënyre përfundimtare kornizën e plotë të të drejtave të pacienteve.

Përfshirja e paevitueshme e mjekëve në jetën e pacienteve e bën të domosdoshëm një mbrojtje ligjore ndaj gabimeve mjekësore. E drejta kryesore, e drejta për të jetuar kërkon që mjekët dhe stafi mjekësor në radhe të parë të respektoje jeten e pacienteve.

Gjithesesi gabimi dhe neglizhenca mjeksore mund te cojne ne deme te rendesishme te shendetit të pacientit dhe deri ne vdekjen e tij. Shaku i trete i vdekjes se pacienteve ne spitalet amerikane është pikerisht gabimi mjekesor më afërsisht 250000 raste, i dyti semundjet tumorale me afersisht 580000 dhe semundjet karidovaskulare me 610000 vdekje ne vit në vendin e parë. Por pa dyshim qe gabimi mjekesor është një konstelacion eventesh, ngjarjesh, pakujdesish, paaftesish, neglizhence, mungese teknologjie, mungese edukimi ne vazhdim, probleme protokollesh, mjekësi e prapambetur, sharlatanizem, papergjegjshmeri, mungese vizioni, financim i ulur, mungese tradite dhe eksperiencë, sistem jo adeguat etj, ku çdo element duhet të diferencohet me kujdes dhe të përcaktohet rëndesa dhe rëndësia e tij përpara marrjes së çdo vendimi të metejshëm.

Në të gjitha rastet, duhet kuptuar që mjeku nuk është një kriminel ordiner i cili kur del nga shtëpia dhe shkon në punë është duke menduar se çfare krimi do të kryej, perkundrazi është një profesionist që dëshiron të bëj më të mirën në funksion të kapacitetit te dijeve dhe mundësive të tij, dhe për rrjedhojë çdo persekutim ashtu sikurse ka ndodhur rëndom dhe mund të ndodh edhe në të ardhmen duhet të minimizohet.

Në këtë mënyrë ne jo vetëm do ti japim mjekut pozicionin e duhur por do ti ofrojmë shoqërisë sonë, fëmijëve tanë modelet korrekte të klasifikimit të shoqërise aq të rëdësishme në një sistem demokratik dhe kapitalist. Pikërisht në vitin 1995, në një liber të titulluar “Parimet e etikes dhe te drejtes mjeksore”, une do të shkruaja që e drejta dhe ligji mjekësor janë tepër të rëndësishme jo vetëm për pacientin por pa dyshim edhe për mjekun, duke i krijuar këtij të fundit mundesitë dhe hapësirat per te kryer aktivitetin e tij profesional sa më korrekt.    

Kodi Penal Shqiptar ka të përcaktuara të gjitha rastet dhe mundesitë e akteve kriminale të cilat rrezikojne jetën e njerit. Persa i perket mjekesise keto janë mjekimi i pakujdesshem, infektimi me HIV, trafikimi i organeve te transplantuara, falsifikimi i dokumenteve mjekesore, mos mbajtja konfidenciale e informacionit mbi pacientin, aborti i paligjshem etj.

Një nga aktet e dënueshme që kanë prodhuar nje konfuzion dhe keqinterpretim në sistemin tonë shendetesor është pikërisht termi “Mjekim i Pakujdesshem”. Sipas nenit 96 te Kodit Penal Shqiptar, mjekim i pakujdesshem dënohet me gjobë deri në 5 vjet heqje lirie. Në mënyre paradoksale termi merret vetëm me trajtimin “mjekimin” e pacientit duke lënë mënjanë gjithë procesin paraprak sikurse është vënia e diagnozës së semundjes.

Duke perdorur termin “pakujdesi”, ligjevenesi ne menyre paradoksale ben njehesimin e “neglizhences ne trajtimi” me malpraktiken mjekesore, gabimet mjeksore te pavullnetshme apo jo? Mjekët janë te detyruar që në ushtrimin e profesionit të tyrë të aplikojne rregullat dhe protokollet e aprovuara te shkencave mjeksore.

Veprimi i tyre do të konsiderohej nje gabim mjeksor  nese nuk jane aplikuar ose ka shmangie nga këto protokolle, por edhe në kete rast kjo duhet të konsiderohet si një paaftësi dhe kurrsesi nje “neglizhence ne trajtimin mjeksor” dhe si e tille duhet te trajtohet nga trupa profesionale përkatëse në kuadër të legjislacionit administrativ, kodeve profesionale dhe deontologjike te cilat rregullojne profesionin e mjekut apo infermierit.

Pikerisht sipas ketij nocioni te sanksionuar ne Kodin Penal Shqiptar, mjeku do te denohej jo vetëm për aktet e neglizhences (të cilat janë të përcaktuara si dhe të dënueshme edhe në kodet penale te çdo vendi te Komunitetit Europian) por edhe për gabimet mjeksore të cilat sipas doktrinës të kodeve penale europiane, mjekët dhe stafi mjeksor nuk dënohet penalisht dhe nuk ka përgjegjësi kriminale por mund të dënohet vetëm nga pikepamja administrative dhe profesionale. 

Kriteri baze i jurisprudences për të vlerësuar fajësine penale te sjelljes së mjekut është identifikimi i neglizhences se tij e shprehur si nje shmangje, mosinvolvim ose si sjellje pasive ne te gjitha stadet e diagnozes dhe trajtimit sikurse jane psh, mjeku qe është roje nuk i pergjigjet thirrjes per trajtim te te semurit, kirurgu i cili le garzat apo instrumentat ne plagen operatore, apo kur operon gjymtyren e shendoshe, kur nuk kontrollon ilacet e skaduara etj. Mjekët mund të neglizhojnë detyrat e tyre duke mos marrë masat përkatëse në raste të caktuara ne te cilat ata nuk jane realisht tea trajnuar. Si rrjedhoje pakujdesia e treguar nga personeli mjeksor e njehësuar me neglizhencën si pasojë e mbivlerësimit të vetes sjell pasoja shumë të rrezikshme për pacientin. 

Mjekët dhe stafi mjekësor janë të përjashtuar nga çdo përgjegjësi penale kur objektivisht nuk ka qenë e mundur të parashikohej apo të shmangej rreziku i cili çon në përfundimin letal të pacientit. Në kodin shqiptar termi “mjekim i pakujdesshem” e përfshin konceptin e neglizhencës por shtrihet më tej, duke kuptuar gabimin mjekësor nga paaftësia apo pakujdesia.

Pakujdesia nënkupton kur mjeku kryen një akt mjekësor pa marrë të gjitha masat që eksperienca sugjeron që është e nevojshme apo kur ka një sjellje të papergjegjshme duke mos marrë në konsideratë të gjitha mundesitë e rrezikut.

Pakujdesia është kur kirurgu ndërmerr një procedurë kirurgjikale edhe kur e di që nuk është në një gjendje të mirë fizike ai vetë, ose kur nuk ka mjetet e duhura, ose kur kryen një kirurgji të veçantë për të cilen ai nuk është trajnuar.

Paaftësia konsiston kur mjeku involvohet në procedura të caktuara për të cilat ai ka një mungese njohurish, praktike, eksperience, intuite psh kur mjeku ka pak ose aspak aftësi për të përdorur një instrument të caktuar të cilin ai supozohet që duhet ta njohë në mënyre perfekte. Pra është e kuptueshme që termi “mjekim i pakujdesshem” i parashikuar në kodin penal shqiptar parashikon neglizhencen, pakujdesinë, paaftesinë dhe për rrjedhoje do të përfshinte çdo gabim mjekesor duke shtypur të drejtat e mjekut dhe të stafeve mjekësore, të përcaktuara edhe këto në çdo konvente europiane dhe ndërkombetare si dhe duke shkelur kodet profesionale.

Si mund të minimizohet një fenomen i tillë. Përgjigja është rritja e financimit per shendetesinë, edukimi dhe civilizimi i popullates, reduktimi i papunësise, zhvillimi i programeve informative dhe kulturale, përmiresimi i kushteve të punës, teknologji të reja, sistemin e kontrollit, akreditimit, edukimi në vazhdim, edukimi mjekesor, venia ne dispozicion e gjithe informacionit shkencor me te avancuar për mjekët, rritja e ndjeshme e të ardhurave të mjekëve etj. 

Shqipëria mbetet nga vendet e fundit ne Evropë që ka të përfshirë këtë terminologji penale kundrejt kastes mjeksore, duke përbëre edhe bastionin e fundit ligjor të cenimit të të drejtave të njeriut dhe të profesionit në kontinent. Më lejoni të bëj një panoramë të shkurtër te legjislacioneve europiane në lidhje me këtë çështje:

1.   Kodi penal i Republikës së Kosovës, shtet më i ri i kontinentit, në nenin 260 ka të përfshirë termin “trajtim mjekësor i papergjegjshem”. Ky nen aktivizohet atëhere kur vërtetohet që mjeku ka bërë një veprim të paligjshëm, ose trajtim të papershtatshem dhe të papergjegjshëm, ose kur nuk përdor kushtet higjenike të caktuara, gjë që çon në cenimin e jetës së pacientit ose deri në vdekjen e tij.
2.   Në Francë, neglizhenca mjekesore ka një konotacion akoma dhe më të thellë kriminal dhe pikërisht në Kodin e tyre penal konsiderohet si një “délit” ‘rastet e neglizhences, ose mos kryerja e detyrimeve të kujdesit ndaj pacientit të përcaktuara në një rregullore’.
3.   Legjislacioni italian është edhe legjislacioni me agresiv ndaj trajtimit të mjekëve, por që përsëri është shumë më mirë e percaktuar përgjegjesia penale e mjekut. Pikërisht në nenin 43 të Kodit penal Italian mjeku ngarkohet penalisht kur verifikohet “demi individual nga neglizhenca” i cili përcaktohet si “një ngjarje e cila edhe pse mund te ndodhë në menyre jo te vullnetshme, ajo ndodh për shkak të neglizhencës, pakujdesisë, si dhe paaftesisë për të perndjekur ligjet rregullat dhe disiplinat” dhë në keto kushte kur ekzistojne të dhënat mjeku mund të dënohet për “veprim neglizhent” sipas neneve 589 dhe 590 “omicidio colposo”. Por edhe në legjislacionin Italian janë shume mirë dhe gjatë të përcaktuara se cilat raste duhet dhe mundet të konsiderohen neglizhencë dhe kerkojne ndjekje penale dhe cilat raste jane pakujdesi dhe paaftësi dhe dënohen administrativisht.
4.   Në Greqi, në rastet e një “veprimi neglizhent të gabuar” e cila shkakton vdekjen ose dëmtim të rëndë përben një “veprim kriminal” dhe si i tillë përndiqet nga kodi penal grek ose ligje te tjera, dhe pala e dëmtuar mund të procedoje në gjykate duke kërkuar dënimin penal si dhe atë të kompensimit.
5.   Në Britanine e Madhe, mjekët janë shumë më të protektuar veçanerisht nga një traditë e gjatë e organizmit të tyre tepër të fuqishëm “General Medical Council” dhe neglizhenca mjekësore mund të konsiderohet si kriminale atëherë kur është prezent një neglizhence shumë e madh “gross”. Sado e madhe të jetë neglizhenca kur pacienti arrin të mbijetojë, mjeku nuk ngarkohet penalisht.
6.   Ne Austri, vetem involvimi neglizhent i mjekut është i dënueshëm penalisht sipas kodit penal austriak, seksioni 222, Vrasja neglizhente ose sipas seksionin 229, Demi nga neglizhenca.
7.   Në Slloveni, neni 178 i Kodit penal “Mos dhënia e ndihmës mjekesore” nga ana e mjekut dhe neglizhenca e konsideron si një akt kriminal.
8.   Në Spanjë, Kodi penal, neni 142.0 (vrasja nga neglizhenca) si dhe neni 152.3 (dëmtimi nga neglizhenca) parashikojnë neglizhencën e trajtimit mjekësor si kriminale.
9.   Në Gjermani, seksioni 229E  në kodin penal (trajtimi i gabuar dhe dëmtimi i personit, si dhe seksioni 230E (neglizhenca e pavetedijshme) parashikojne neglizhencën në trajtimin mjekesor. Në rastet e përfundimit letal te pacientit kur përcaktohet sjellja neglizhente e mjekut sipas seksionit 222 te  Strafgesetzbuch [StGB] [PenalCode], ka dy mënyra dënimi ku e para konsiderohet si një dëmtim i pacientit nga neglizhenca (fahrldssige Karperver-letzung) dhe dënohet nga seksioni 229 i StGB. Dhe se dyti, ligji gjerman parashikon dënim të rende kur pacienti nuk ka qenë i informuar për proceduren dhe mund të denohet sipas seksionit 223 të StGB(Kdrperverletzung). Në të gjitha rastet e tjera të gabimeve mjekesore, mjeku paraqitet në një gjykate profesionale (Berufsgerichte) dhe konsiderohet si një çështje administrative.
10.  Në Lituani neni 132 i kodit penal “Vrasja nga neglizhenca” dhe neni 137 “Dëmi i rëndë në shëndetin e njeriut shkaktuar nga neglizhenca”, konsiderohen si nje çështje penale. Edhe Estonia dhe Letonia kane një kuadër ligjor shume të ngjashëm.
11.  Ne Rumani, neni 298 i Kodit penal i titulluar Neglizhenca Profesionale e konsideron edhe neglizhencen e trajtimit mjeksor si nje veper penale.
12.  Në Hungari, neni 218 parashikon vepër penale kur mjeku kryen akte mjekësore pa aprovimin e pacienteve. Gjithashtu neglizhenca parashikohet ne nenit 4, Kapitulli III.
13.  Ne Poloni, sipas ligjit përkatës (Ustawa zawodach lekarza i lekarza dentysty) nenet 430 dhe 474 parashikojne format e kompensimit ne rastet e gabimeve mjekësore. Vetëm në rastet kur neglizhenca ne trajtimin mjekësor (niedbalstwo) identifikohet atëhere ajo dënohet sipas nenit 162 të Kodit Penal Polak.
14.  Në Finladë, seksioni 5 i kodit penal parashikon “neglizhencen e madhe” si nje akt penal të dënueshëm dhe gjithë gabimet e tjera mjeksore të dënueshme administrativisht
Vende të tjera sikurse Portugalia, Danimarka, Norvegjia, Irlanda, Bulgaria Suedia, Zvicra etj kanë të parashikuar neglizhencen profesionale ne kodet e tyre penale pa u futur në detaje në profesionin e mjekut.

Kroacia mbetet i vetmi vend i Komunitetit Europian ku neni 240 i Kodit të saj penal i referohet “Malpraktikes mjekesor”, kjo e trashëguar nga periudha e Jugosllavisë. Në paragrafin e parë përcaktohen rastet kur mjekët dënohen kur nuk kanë zbatuar rregulloret përkatëse, paragrafi i dyte kur nuk janë të pajisur me dokumentacionin përkatëse dhe paragrafi i tretë i ketij neni parashikon dënimin me një vit heqje lirie ne rastet e identifikimit të neglizhences ne trajtimin mjekësor.

Pra edhe në rastin e Kroacisë, edhe pse i ka lënë më shume vend për shpjegime në Kodin penal, përsëri rastet e kriminalizimit të mjekut janë shumë mirë të percaktuara dhe nuk lihen aspak evazive per të kuptuar gabimin mjekësor. Vendi tjetër qe ka një legjislacion të ngjashem si i Kroacisë, por me të percaktuar se ky i yni ne lidhje me këtë pikë është Serbia.

Pavarësisht nje legjislacioni të sakte europian përsëri rastet e perndjekjes dhe dënimit penal të mjekeve në Komunitetin Europian janë tepër të rralla. Në Britaninë e Madhe në periudhen 1809-1981, ishin vetem 15 raste të denoncuara (James A. Filkins, With No Evil Intent: The Criminal Prosecution of Physicians for Medical Negligence, J. Legal Med. 2001) dhe ne periudhen 1981-2007 vetëm 30 raste (Diane E. Hoffmann, Physicians Who Break the Law, 2009). Dënimet e mjekëve sipas kodit penal në vendet e Komunitetit Europian janë shumë të rralla, ndërkohe që në vendin tonë vetëm gjatë vitit të fundit janë mbi 15 raste të tilla në një popullatë me me pak se 3 milion banorë dhe disa mijera mjeke aktive. Mendoj që kjo duhet të na bëjë të mendojmë dhe të reflektojmë. 

Cila ishte arsyeja që erdhëm në këtë pikë? Cila është arsyeja që mjekët trajtohen rëndomte dhe askush nuk thote asgjë, perkundrazi ngjarjet rrjedhin dhe përbëjnë vetëm një kuriozitet në mediat tona? Në radhë të parë një mentalitet i tejçuar nga e kaluara ku paaftësia konsiderohej sabotim apo krim. Vetëm në regjimet autokratike paaftësia dhe gabimi profesional konsiderohet vepër penale.

Po çfarë duhet të themi për çerek shekulli tranzicion që nuk po e kalojmë dot pikërisht prej paaftësisë? Një arsye tjetër qe ky nen vazhdon të qendrojë kështu prej çerek shekulli është se vetë drejtuesit e mjekësise shqiptare ishin “të zënë dhe të preokupuar” me problematika te tjera më të rëndësishme dhe e harruan nenin antiprofesional dhe antidemokratik 96 të Kodit Penal, ose në rastin më të keq nuk e dinin interpretimin apo kuptimin e tij. Një arsye tjetër është që një nen kaq evaziv dhe përgjithsues pa asnjë specifikim në konstruktin e tij, e bënte pozicionin e mjekut teper të cënueshem dhe delikat, dhe si i tillë mjeku nuk do të ngrihej kurrë të kerkonte të drejtat e tij legjitime dhe pozicionin e duhur dhe të merituar në shoqëri.

Edhe dje një mjek u keqtrajtua në urgjence. Edhe sot familjarët e nje pacienti keqtrajtuan një mjeke kardialoge. Kutia e Pandorës është duke u hapur, dhe ju që mendoni gabimisht që e keqja është fshehur tek mjekët, pikërisht Ju do të bëheni pre e së keqes dhe ligësisë të cilën Ju po e lini qëllimisht të pa ndeshkuar.  

Në konkluzion “mjekimi i pakujdesshem” nuk është një term korrekt për të perfaqësuar një akt penal dhe kriminal në kuadër të legjislacionit të Komunitetit Europian. Aktualisht jurisprudenca komunitare konsideron “neglizhencen ne trajtimin mjekesor” veçancerisht “neglizhençen e rëndë: si dhe “aktin mjekesor pa aprovim”, si akte te cilet mund të konsiderohen  çështje penale. Të gjitha gabimet e tjera mjekësore konsiderohen çështje të cilat meritojnë absolutisht vëmendje dhe ndjekje, por sipas legjislacionit civil dhe janë objekte të dënimeve me gjobë dhe dënimeve administrative. Në këtë këndvështrim neni 96 i Kodit Penal Shqiptar duhet që të ndryshoje dhe pikësëpari termi “mjekim i pakujdesshëm” duhet të zëvendësohet me “neglizhencë në trajtimin dhe diagnostikimin mjekesor” dhe duhet shoqëruar me një shtjellim të konceptit të neglizhencës mjeksore.

Neni 96 i konstruktuar siç është sot nuk bën gjë tjetër veçse indukton një mjekësi difensive dhe fataliste e cila do konsistonte në mos marrjen përsipër të procedurave komplekse, në mos implementimin e procedurave të reja dhe më të sofistikuara etj, duke sjellë një mjekësi në vend numëro, për më tepër nxit padrejtësisht persekutimin e mjekëve, rasteve të urrejtjes ndaj tyre, si dhe në rastin më të keq, vendosjen në konflikt me opinion publik.

Të gjithë duhet të kuptojmë që ky është një moment tepër kritik për profesionin e mjekut në Shqiperi dhe si i tille është një moment kritik për trajtimin mjekesor të të gjithe popullatës dhe duhet ta trajtojmë si të tillë me të gjithe energjine, forcën dhe dijet tona, duke u munduar pikësepari të përmiresojme dhe te rimodelojmë legjislacionin përkatës sipas normativave dhe standarteve europiane dhe duke mbështetur maksimalisht çdo iniciative në këtë drejtim.
 
Prof. Dr. EDVIN PRIFTI
Shef i Shërbimit Kardiokirurgji, QSUT

Termi
Në konkluzion “mjekimi i pakujdesshem” nuk është një term korrekt për të perfaqësuar një akt penal dhe kriminal në kuadër të legjislacionit të Komunitetit Europian.
 
Sugjerimi
Neni 96 i Kodit Penal Shqiptar duhet që të ndryshoje dhe pikësëpari termi “mjekim i pakujdesshëm” duhet të zëvendësohet me “neglizhencë në trajtimin dhe diagnostikimin mjekesor” dhe duhet shoqëruar me një shtjellim të konceptit të neglizhencës mjeksore.
 
Frenimi
Neni 96 i konstruktuar siç është sot nuk bën gjë tjetër veçse indukton një mjekësi difensive dhe fataliste e cila do konsistonte në mos marrjen përsipër të procedurave komplekse, në mos implementimin e procedurave të reja dhe më të sofistikuara.

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e qeverisë gjatë vitit 2024?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Durrës, gjendet i pajetë 82-vjeçari në banesën e tij, i moshuari kishte prerje thike në fyt! Policia nis hetimet, sekuestrohen pamje filmike

E rëndë në Durrës, gjendet i pajetë 82-vjeçari në banesën e tij, i moshuari kishte prerje thike në fyt! Policia nis hetimet, sekuestrohen pamje filmike