Drejtësia, Komisioni mbyllet pa
vendim, PD s'i bindet Venecias

Drejtësia, Komisioni mbyllet pa<br />vendim, PD s'i bindet Venecias
TIRANË –  Pas rreth katër orë diskutimesh, komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi ka mbyllur punimet pa një vendim. Palët debatuan për nivelin e diskutimit të draftit, ku opozita kërkoi format politik, ndryshe nga mazhoranca që insiston se çështja u takon ende ekspertëve.  

Mbledhja e parë e komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi pas konkluzioneve paraprake të Komisionit të Venecias bashkon në qëndrim të gjitha palët për realizimin e kësaj reforme, por i ndan ata për rrugën që duhet ndjekur për këtë proces. Ndërsa PD insiston për një dialog politik për të paktën 11 çështje të cilat kërkojnë zgjidhje e ku të paktën për 7 prej tyre Venecia kërkon zgjidhje politike. Edhe LSI shprehet për një tryezë të nivelit të lartë politik dhe për caktimin e një axhende të përbashkët të punës për këtë çështje. Për socialistët problematikat e ngritura nga drafti paraprak kërkojnë diskutim teknik, duke e konsideruar të panevojshëm diskutimin politik. Kryetari socialist i komisionit ad hoc, Fatmir Xhafa, tha se debati mund të kalojë në nivel politik, pasi drafti dhe rekomandimet e Venecias të kenë kaluar në tryezën e ekspertëve dhe për çështjet politike, sipas tij, të kërkohen diskutime të nivelit politik.  

Fatmir Xhafa: Projekti i reformës, në përputhje me standardet europiane 
Kryetari i Komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafa, u shpreh se projekti i reformës është në përputhje me standardet europiane.

Sipas tij, Kuvendi vendosi që në fillim rrugën e konsensusit, duke shmangur qeverinë nga hartimi i projektit, duke ia lënë atë ligjvënësit. "Projekti i reformës në drejtësi është koherent dhe në përputhje me standardet europiane. Ju e pranoni dhe të gjithë e pranojmë rolin e Venecias në këtë proces, prandaj të shkojmë drejt një projekti kushtetues të përbashkët. Kuvendi i Shqipërisë që kur e nisi këtë proces, e nisi mbi këtë koncept, është ekspertiza që ndërton projektin, ndërsa politika gjykon projektin. Pra, për arsye të njohura, Kuvendi tha se nuk do ta hartojë qeveria, por një grup ekspertësh vendas dhe ndërkombëtar. Në relacioni e Kuvendit është thënë e zeza mbi të bardhë. Ky është vendimi dhe relacioni i Kuvendit. Ka dy mënyra për të gjykuar një parlament, mbi një produkt qeveritar dhe nismë deputetësh. Kuvendi vendosi të zgjedhë variantin e parë, që të jetë një proces i brendshëm i parlamentit. Është ekspertiza dhe mbi ekspertizën është komisioni parlamentar", u shpreh Xhafa.
 xhafaj
Duke komentuar 11 kërkesat e Partisë Demokratike, Xhafa tha se ato janë pa sens, pasi bien ndesh edhe me qëndrimet e kryetarit demokrat, Basha, që projekti i reformës të jetë i fokusuar te ekspertiza ndërkombëtare. "Të sillni këtu 11 pika, se këto duhet të bien, nuk ka sens, bie ndesh edhe më deklarimet e udhëheqësve tuaj, që kanë thënë se ky duhet të jetë një proces i fokusuar te ekspertiza ndërkombëtare dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ne diskutojmë mbi nenet dhe mbi opinionin dhe kjo është e domosdoshme për të ndërtuar një metodologji të shëndetshme dhe të qëndrueshme. Kush e ka përjashtuar parlamentin nga dialogu politik? Është marrëzi të mendosh ndryshe. Në këtë parlament nuk mendoj se ka të marrë. Ne në këtë komision do të diskutojmë mbi projektin dhe jo mbi deklaratat politike", tha Xhafa.
 
Megjithatë, kryetari socialist i komisionit ad hoc të reformës u shpreh se edhe dialogu politik është i mundshëm në këtë proces, por pasi paketa kushtetuese të ketë kaluar edhe njëherë në tryezën e ekspertëve. "U shprehët për 11 ccështje dhe aty thoni se s'duhet të ketë 2 Prokurori dhe kjo bie ndesh me çka keni thënë te ndërkombëtart. thoni se SPAK-u s'duhet të jetë i pavarur. Venecia ka thënë që të shkëputet nga zyra e Prokurorit. Jam dakord se duhet të ketë një kontroll më të mirë mbi këtë strukturë. Çfarë duhet të bëjmë dhe cili do të ishte një proces normal parlamentar? Ne t'i marrim çështjet teknike dhe t'i diskutojmë me ekspertët. Që do të thotë se, zotërinjtë e OPDAT dhe EURALIUS, me dy apo tre ekspertë të nivelit të lartë, si dhe të nominojnë nga një ekspert apo dy nga grupet parlamentare dhe ata të jenë pjesë e një tavoline pune ku të diskutojnë projektin me sugjerime teknike. Pra, ekspertët të mblidhen dhe të zgjidhin çështjet teknike dhe ata të thonë se 1, 2, 3 çështje janë politike dhe të zgjidhen politikisht. Aty pastaj vjen diskutimi në këtë sallë ose jashtë kësaj dhe ulemi e diskutojmë, derisa të kemi një produkt konsensual. Hapat që duhet të hedhim është, të ulen ekspertët me 3-4 përfaqësuesit e ekspertizës ndërkombëtare", tha Xhafa.
 
Ai solli në vëmendje gjithashtu se Komisioni i Venecias në rekomandimet e dyta drejtuar Kuvendit, vlerëson ekspertët të cilët kanë hartuar reformën Kushtetuese në gjyqësor. "Në pikën 86, rekomandimi i Venecias në 89 pika, thotë se, përgëzon autoritetet shqiptare, sidomos ekspertët, për punën që kanë bërë në hartimin e reformës kushtetuese gjyqësore. Vlerëson gjithashtu edhe kontributin e ekspertëve të dy grupeve politike, PD e LSI, që kanë marrë pjesë në hartimin e ndryshimeve Kushtetuese", tha theksoi socialisti, Fatmir Xhafa. 

Halimi: Dialog politik, jemi kthyer në komision korrierësh
Deputeti i Partisë Demokratike Eduard Halimi kërkoi nisjen e një dialogu politik mes liderëve të forcave kryesore politike në vend. Ai tha se komisioni për reformimin e sistemit të drejtësisë është kthyer në komision korrierësh.

“Duhet të vendosim sa më shpejt për miratimin e paketës kushtetuese, duhet para së gjithash të fillojmë një dialog politik për të diskutuar çështjet politike që na ndajmë. Kjo është mbledhja e katërt këtij komisioni  dhe ajo që kanë parë shqiptarët është që ne jemi bërë një komision korrierësh. Një draft e bëjmë ne ja çojmë Venecias, ata neve, ne ekspertëve tanë, ju tuajve. Ne nuk mund të fshihemi pas ekspertëve”, tha Halimi.

halimi

Demokrati shtoi se për opozitën nuk është problem zgjedhje me 2/3 apo 3/5 e zyrtarëve për institucionet e drejtësisë. 

Ai solli në vëmendje se opozita konteston të paktën 10 pika të draftit të mazhorancës. "Nuk jemi dakord me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi – kritere selektive në zgjedhjen e anëtarëve. Për Gjykatën e Lartë themi gjyqtarin më të vjetër në detyrë, edhe për kushtetuesen...këto kritere janë selektive. Për hetimin penal nga prokuroria – Byroja e Hetimit – ne e kemi thënë që duhet të jetë brenda seksionit të Prokurorisë. Duhet të ngrihej para dy vjetësh. Nuk kanë përgjegjësi ekspertët duhet të dilni ju të thoni që e kishim gabim. Ne kërkojmë që të adresohen shqetësimet e ligjshme të opozitës. Sepse kushtetua duhet të garantojë besimin reciprok të palëve. Kemi që në shtator që shkojmë e vijmë në Venecia, jemi bërë korrierë", u shpreh Halimi.

Ai kërkoi që çështja të kalojë në diskutim politik, për të gjetur gjuhën e përbashkët, ndërsa çështjet teknike t'i lihen në dorë ekspertëve. "Të marrim vendime dhe të diskutojmë për çështjet politike pastaj të kalojmë tek çështjet teknike. Ka rreth 89 paragrafë që ka sjellë Venecia 2 dhe në 46 prej tyre Venecia rrëzon draftin e qeverisë. 20 prej tyre janë deklarative dhe tjerat janë çështje teknike. Çështja t'i kalojë ekspertëve dhe të përgatisimin një draft konsensual deri javën e ardhshme. Prandaj, ne të diskutojmë vetëm për çështje politike", tha ai.
 
Për Byronë Kombëtare të Hetimit, demokratët insistojnë për pavarësinë e kësaj strukture. "Çështjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ne kërkojmë pavarësinë e saj. Ne nuk jemi dakord as me ndërprerjen e mandateve të përfaqësuesve të institucioneve kushtetuese", theksoi Halimi.
 
Pandeli Majko: Kërkesat e PD rrëzojnë strukturën e reformës në drejtësi
Ndërsa për anëtarin socialist të komisionit të posaçëm parlamentar të reformës në drejtësi, Pandeli Majko, kërkesat e opozitës paralajmërojnë bllokimin e reformës në drejtësi.

majko

Sipas tij, nuk ka vend për diskutim politik, pasi drafti final i reformës, është një material i konsultuar me partnerët ndërkombëtarë. "Ne jemi një komision që kemi çuar për herë të dytë në Venecia një dokument të konsultuar në publik me të gjithë trupat gjyqësore të mundshme. Me pyetje dhe përgjigje, me pëlqime dhe mospëlqime përkatëse. Kjo reformë nuk di të ketë çështje politike. Ne kemi një material me bashkëpronësi që ka shkuar dy herë dhe dy herë Venecia është përgjigjur për këtë material. Sot ne marrim vesh se për çfarë nuk jemi dakord. S'jemi dakord me ekzistencën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, s'jemi dakord për dy gjykatat e Larta Administrative, me ekzistencën e Prokurorisë paralele, ndërprerjen e mandateve, s'jemi dakord me strukturat që do të kryejnë procesin e vlerësimit të gjyqtarëve, kjo më duket shumë e rëndësishme pas daljes së listës së zezë nga SHBA, shpresoj ta nxjerrë shpejt edhe BE, për funksionet e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, për Tribunalin Disiplinor, me emërimin e gjyqtarëve të Kushtetueses, për përfshirjen në gjyqësor të individëve që vijnë jashtë rregullave normale, me procedurën e emërimit të anëtarëve jo gjyqtarë në KLD dhe KLP. Pra, për këto nuk biem dakord. Këto nuk janë çështje politike, por teknike. Po rrëzoni të gjithë strukturën e reformës. S'kemi çfarë të diskutojmë politikisht, por të diskutojmë me ekspertizë. Ky qëndrim është shterues, fundor dhe politik. Me këtë problem politik që ju keni ardhur sot, po thoni se reformë në drejtësi nuk ka. Këto propozime që ju keni sjellë, thonë se reformë në drejtësi nuk ka", u shpreh Majko.    
 
Arben Ristani: Rama kërkon të kapë sistemin e drejtësisë 
Për Arben Ristanin, mazhoranca kërkon t'i shpëtojë diskutimit politik, për të kapur dhe politizuar sistemin e drejtësisë. Ai insistoi se kërkesat e opozitës në 10 pika, përcaktojnë drejtimin që do të marrë reforma.
ristani
"Më vjen keq që të kërkohet konsensus, qenka pazarllëk. Po ta bësh në mënyrë të njënashme qenka drejtësi. Parlamenti na ka njoftuar si komision që të hartojmë draftin e reformës, kjo është detyra e këtij komisioni. është njoftuar në të dy krahët, mazhorancë e opozitë. prandaj, të gjejmë gjuhën e përbashkët dhe të shkojmë përpara parlamentit me një draft të përfunduar. Kemi ngritur grupet e ekspertëve, shkuam dy herë në Venecia dhe tani vijmë në komision me rekomandimet e fundit të Venecias dhe janë gati 11 pika që ne duam diskutim. Sepse për ne këto janë të rëndësishme për drejtimin që do të marrë reforma. Ç'të keqe ka që ne t'i diskutojmë këto probleme dhe për çështje teknike të pyesim ekspertët. Ta vendosim së bashku nëse do të pranojmë një sistem jashtë Shkollës së Magjistraturës, apo jo? Na duhet të çojmë në Gjykatën e Lartë njerëz jashtë sistemit, apo do të jetë një Gjykatë karriere? Ju doni të anashkaloni këtë lloj debati që po iu ofrohet në mënyrë konstruktive nga opozita. Pse të mos e diskutojmë? Pas gjithë kësaj historie fshihet qëllimi për ta kapur, politizituar sistemin, dhe për ta bërë që të mos e godasë korrupsionin që po zhvillohet në mënyrë galopante në këtë vend", tha Ristani.
 
Spartak Braho: Byroja Kombëtare e Hetimit, jo në varësi të Policisë   
Përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim në komisionin e reformës në drejtësi, Spartak Braho, kërkoi që diskutimet për draftin të vijojnë në këtë komision. Sipas tij, tryeza bazë e punës për të zhvilluar dialogun politik është komisioni i posaçëm parlamentar.

Braho u shpreh edhe kundër draftit aktual për Byronë Kombëtare të Hetimit, ku theksoi se qëndrimi i LSI është që kjo strukturë të jetë e pavarur dhe jo në varësi të Policisë. "Agjencia Kombëtare e Hetimit të jetë e shkëputur nga policia,  të përbëhet nga përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme. Jemi kundër Byrosë Kombëtare të Hetimit siç është konceptuar", tha ai.braho

Ndonëse u shpreh "pro" edhe një tryeze politike, Spartak Braho theksoi se 11 kërkesat e pretenduara nga PD, janë të zgjidhshme. Sipas tij, palët duhet të diskutojnë me qëllim arritjen e konsensusit. "Duke tërhequr nga këmbët njëri-tjetrin, nga mbrapa, pengojmë reformën. LSI është paraqitur dhe në Venecia me një draft vërejtjesh, jo për protagonizëm, por na vjen mirë që një pjesë e tyre janë frenuar, por mund të ketë edhe mendime të kundërta. jemi të gatshëm t'i diskutojmë edhe të tërhiqemi po qe nevoja. Por, puna duhet të vazhdojë këtu në komision. tryeza bazë e punës për të zhvilluar dialogun politik është komisioni i posaçëm parlamentar. Nuk përjashtojmë as nevojën e tryezave të nivelit të lartë politik, i mirëpresim dhe do ta mbështesja çdo iniciativë si nga z.Basha ashtu edhe nga z.Rama. Pavarësisht se ku do të zhvillohet debati apo dialogu politik, duhet të ndjekim këtë lloj metodologjie. jam optimist se këto 10 çështje janë të zgjidhshme. Sa i takon metodologjisë, në parim duhet të miraotjmë ndryshimet kushtetuese. T'i hapim rrugë atyre 40 ligjeve të tjera që në sesionin e vjeshtës t'i hapim rrugë marrjes së rekomandimit për çeljen e negociatave", deklaroi Braho.
 
PD dhe LSI bien dakord në një prej pikave të kontestuara nga opozita. "Edhe LSI e ka shprehur se është vetëm për një Gjykatë të Lartë. Pastaj këtu të ndahet në seksione të veçanta penale, civile, administrative dhe të tjerat vijnë më pas. Mund të merremi vesh dhe ka vend për të vendosur", tha Braho.
 
Ai tha gjithashtu se LSI është për një rivlerësim të rolit të Ministrit të Drejtësisë dhe është e domosdoshme që MD, pozicioni i tij, duke e parë që s'është anëtar i asnjë organi që emëron gjyqtarët apo prokurorët, por kryen procedimin disiplinor. "Prandaj, kemi mendimin që duhet parë që parimi i balancës së pushteteve duhet ridizenjuar dhe të bëhet më efektiv. Prokurorët dhe gjyqtarët duhet të emërohen nga Shkolla e Magjistraturës", theksoi ai.
 
Nuk mbështesim idenë e një prokurorie të decentralizuar, vijoi Braho, por të profilizuar, për të shmangur ping- pongun mes Prokurorisë dhe Policisë.    


  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'