Në një shtet ku ligji duhet të qëndrojë mbi individin dhe jo individi mbi ligjin, çdo paraqitje para institucioneve të drejtësisë duhet të shënojë një moment përgjegjësie, jo një shfaqje presioni. Por, sa herë që Sali Berisha del nga ambientet e SPAK-ut, ndërsa pritshmëria minimale do të ishte një sqarim për çështjet për të cilat është thirrur, ai nuk thotë asnjë fjalë për thelbin, asnjë përballje me akuzat, vetëm një breshëri sulmesh ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kjo është një taktikë e rafinuar zhvendosjeje nga përgjegjësia dhe faktet tek retorika. Pra, në vend që të japë llogari, ai përpiqet të delegjitimojë ata që i kërkojnë atij llogari, duke e kthyer çdo dalje publike në një akt presioni të drejtpërdrejtë mbi drejtësinë.

Respekti ndaj institucioneve të drejtësisë konsiderohet standard minimal i sjelljes publike në cdo sistem demokratik dhe gjuha e përdorur ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve ka një peshë të veçantë. Madje edhe në kontekste të figurave mafioze komunikimi formal i tyre me gjyqtarët ruan një nivel etikete. Në këtë sfond, bie në sy kontrasti kur politikanë që kanë mbajtur postet më të larta shtetërore zgjedhin një gjuhë të ashpër, shpesh konfrontuese, ndaj përfaqësuesve të drejtësisë — një qasje që nuk ndihmon as besimin publik dhe as dinjitetin e debatit institucional.

Kjo nuk është rastësi politike. Është një mekanizëm tinzar komunikimi, ku përgjegjësia shmanget dhe zëvendësohet me viktimizim të kalkuluar. Pra, në vend që të përballet me substancën e hetimeve, ndërtohet një narrativë paralele, ku institucionet e drejtësisë shndërrohen në objekt sulmi dhe jo në autoritet kushtetues. Kjo është një përpjekje e qartë për dobësimin e autoritetit institucional përmes delegjitimimit personal.

Ironia është e rëndë dhe e dukshme: ndërsa akuzat ndaj Berishës lidhen me çështje të natyrës serioze të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, përgjigjja publike zhvendoset në sulme personale, në detaje periferike, në insinuata që synojnë jo sqarimin, por errësimin. Kjo nuk është mbrojtje politike por një skemë e qartë presioni, e cila kur përsëritet dhe përsëritet nuk është retorikë — ajo kthehet, sikurse tashmë është provuar, në instrument ndikimi.

Më paradoksale është heshtja e vetë sistemit të drejtësisë dhe e organizatave që duhet të mbrojnë integritetin e tij. Një reagim i vakët përballë një presioni të fortë nuk ekspozon neutralitet, por vasalitet. Në politikë, tërheqja nuk interpretohet si maturi ajo shihet thjesht si dobësi. Sepse nëse institucionet e drejtësisë përballen në mënyrë të vazhdueshme me sulme personale dhe diskreditim publik pa pasoja reale për autorët e tyre, atëherë pavarësia institucionale mbetet thjesht një parim formal dhe jo një realitet funksional.

Në këtë kontekst, shtrohet pyetja themelore që nuk mund të shmanget: a është sistemi i drejtësisë i aftë të funksionojë i pavarur nga trysnia e vazhdueshme publike dhe politike, apo është ende i ndjeshëm ndaj saj? Sepse nëse presioni politik prodhon efekt, atëherë drejtësia nuk është më e barabartë për të gjithë.

Në fund, çështja nuk është thjesht politike. Ajo tejkalon momentin dhe individin, duke u shtrirë në një plan institucional dhe historik. Pyetja që mbetet pezull është nëse po ndërtohet një drejtësi që ka forcën të qëndrojë e palëkundur përballë pushtetit dhe trysnisë, apo një sistem që gradualisht i nënshtrohet presionit, duke humbur distancën e domosdoshme që garanton pavarësinë e tij. Deri tani, përgjigja është alarmuese.