Drejtësia, shpërbëhet KLD
ikin Nishani dhe Gjin Gjoni

Shpërbëhet Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Nga dje, nuk ka më një autoritet përgjegjës për qeverisjen e drejtësisë shqiptare.

Teksa ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, organ i cili sipas Kushtetutës së re do të zëvendësojë KLD, është bllokuar për shkak të ‘ngrirjes’ së zbatimit të ligjit të Vetingut, Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk mund të mblidhet më, pasi çdo mbledhje dhe vendim pas datës 11 prill, janë të paligjshme.

Konkretisht, pika 1 i nenit 277 të ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë parashikon që mandati i anëtarëve aktualë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë përfundon në ditën kur zgjidhet anëtari i fundit i Këshillit të Lartë Gjyqësor, por në çdo rast jo më vonë se 8 muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve Kushtetuese.

Përfundon mandati i anëtarëve të KLD
Ndërkaq, ndryshimet Kushtetuese kanë hyrë në fuqi në datën 11 gusht të vitit 2016. Sipas përllogaritjeve, në datën 11 Prill, pra dje, ka përfunduar pafati 8-mujor, brenda të cilit ndërpritet mandati i anëtarëve të Këshillit të Lartë i Drejtësisë. Sipas kësaj pike, nga data 11 prill ka përfunduar mandati i të gjithë anëtarëve të KLD, përfshirë kryetarin Bujar Nishani dhe aleatin e tij në KLD, Gjin Gjonin. Për rrjedhojë, nuk ka më një institucion për emërimet dhe shkarkimet në drejtësi, për masat disiplinore, për pezullimin, transferimin dhe vlerësimin e punës së gjyqtarëve.

Gjithsesi, Partia Demokratike ka i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e disa parashikimeve të rëndësishme të ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Përpos mënyrës së përzgjedhjes së anëtarëve Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Partia Demokratike ka kërkuar edhe shfuqizimin e parashikimeve për ndërprerjen e mandatit të anëtarëve të KLD. Padia e PD është shqyrtuar në datën 28 Mars nga Gjykata Kushtetuese, por ende nuk ka një vendim për fatin e ligjit.

Shkelet Kushtetuta, KLGJ s'ngrihet brenda 8 muajsh
Kushtetua e re e Shqipërisë, e cila prevalon mbi çdo ligj, në pikën pesë të nenit 179, parashikon që Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili do të zëvendësojë KLD, krijohet brenda tetë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Ky afat është tejkaluar. Pra, jemi në kushtet e shkeljes së Kushtetutës së Shqipërisë. Kjo pikë e nenit 179 e Kushtetutës parashikon që anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë e përfundojnë mandatin e tyre pas krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, por jo më vonë se zgjedhja e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, sipas ligjit.

Kjo përplasje dhe paqartësi ligjore, produkt i bllokimit të zbatimit të Reformës në Drejtësi, pritet të marrë përgjigje vetëm nga Gjykata Kushtetuese, me anë të vendimit për kushtetutshmërinë e ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Gjithsesi, në vendimin e saj ku shfuqizoi disa parashikime të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Gjykata Kushtetuese ka dhënë një sinjal, i cili konfirmon deri diku edhe rrëzimin e disa pakave të ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. 

Çdo mbledhje e KLD pas datës 11, e paligjshme
Çdo mbledhje dhe vendim i Këshillit të Lartë të Drejtësisë pas datës 11 prill, është i paligjshëm. 

Pika 1 i nenit 277 të ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë parashikon që mandati i anëtarëve aktualë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë përfundon në ditën kur zgjidhet anëtari i fundit i Këshillit të Lartë Gjyqësor, por në çdo rast jo më vonë se 8 muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve Kushtetuese. 

Prej ditës së djeshme, 11 prill, ka përfunduar mandati i të gjithë anëtarëve të KLD-së, duke bërë që ky institucion të humbasë funksionimin kushtetues. 
 
Neni 277, ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë

Krijimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor

 
1. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë qëndrojnë në detyrë deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Mandati i anëtarëve përfundon në ditën kur zgjidhet anëtari i fundit i Këshillit të Lartë Gjyqësor, por në çdo rast jo më vonë se 8 muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve Kushtetuese.
 
Neni 179 i Kushtetutës
5. Këshilli i Lartë Gjyqësor krijohet brenda tetë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Tre anëtarë gjyqtarë dhe dy anëtarë jogjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor emërohen fillimisht për një mandat trevjeçar, me qëllim përtëritjen e pjesshme të këtij organi. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë e përfundojnë mandatin e tyre pas krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, por jo më vonë se zgjedhja e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, sipas ligjit. Për emërimet e para për anëtarët jogjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, verifikimi i kandidatëve sipas nenit 147, të Kushtetutës, do të kryhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit dhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.  
 
Afatet, zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor
 
1. Jo më vonë se 1 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji, gjyqtarët e interesuar për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor paraqesin pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit një kërkesë ku shprehin interesin për të kandiduar dhe dokumentacionin që kërkohet për rivlerësimin, sipas ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Në rast se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk është krijuar ende, kërkesa depozitohet pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit.
 
2. Brenda të njëjtit afat të parashikuar në pikën 1 të këtij neni, gjyqtarët e interesuar për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor i paraqesin Kryetarit të Gjykatës së Lartë dokumentacionin përkatës, sipas nenit 10 të këtij ligji. Kryetari i Gjykatës së Lartë vë në dispozicion të gjyqtarëve të interesuar për pozicionin e anëtarit të Këshillit formularët tip të parashikuar nga shkronjat “b”, “c” dhe “e”, të nenit 10, të këtij ligji.
 
3. Brenda 7 ditëve nga paraqitja e dokumentacionit, sipas nenit 10, të këtij ligji, Kryetari i Gjykatës së Lartë verifikon përmbushjen e kritereve ligjore, sipas procedurave të parashikuara në nenin 11 të këtij ligji. Në rast se kandidati nuk i plotëson kriteret, Kryetari i Gjykatës së Lartë njofton kandidatin dhe Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
 
4. Brenda 3 muajve nga data e dorëzimit të shprehjes së interesit dhe dokumentacionit, sipas pikës 1, të këtij neni, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bën rivlerësimin e gjyqtarëve që kandidojnë.
 
5. Jo më vonë se 3 ditë pas përfundimit të procedurës së rivlerësimit, Komisioni i Pavarur i Rivlerësimit i përcjell Kryetarit të Gjykatës së Lartë listën me emrat e kandidatëve gjyqtarë që e kaluan me sukses procedurën e rivlerësimit.
 
6. Brenda 3 ditëve nga data e mbërritjes së listës nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kryetari i Gjykatës së Lartë thërret mbledhjen e përgjithshme të gjyqtarëve. Procedura e zgjedhjes së anëtarëve gjyqtarë të Këshillit përfundon brenda 20 ditëve nga data e thirrjes.
 
7. Anëtari i zgjedhur nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, një nga anëtarët që vjen nga gjykatat e apelit, i zgjedhur me short, si dhe një nga anëtarët që vjen nga gjykatat e shkallës së parë, i zgjedhur me short, shërbejnë vetëm për një mandat 3-vjeçar.
 
8. Brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, strukturat përgjegjëse për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë jomagjistratë të Këshillit të Lartë Gjyqësor fillojnë veprimet dhe procedurat e parashikuara nga ky ligj për përzgjedhjen e kandidatëve. Procedurat për përzgjedhjen e kandidatëve përfundojnë brenda 4
muajve. 

neni

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 34-vjeçari në Britani! GJKKO i kishte vënë masën 'Arrest në burg' për grup të strukturuar kriminal (EMRI)

I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 34-vjeçari në Britani! GJKKO i kishte vënë masën 'Arrest në burg' për grup të strukturuar kriminal (EMRI)