Goce Sedloski është trajneri i ri i Maqedonisë së Veriut në futboll. 51-vjeçari ka një karrierë të gjatë si trajner dhe zuri vendin e Blagoja Milevskit, pasi kontrata e këtij të fundit skadoi.

Kreu i Federatës së Maqedonisë së Veriut në Futboll (FFM), Masar Omeragic, komentoi vendimin për të zgjedhur Goce Sedloskin, i cili deri tani ka qenë pjesë e Vardarit të Shkupit duke e udhëhequr ekipin drejt kreut.

“Doja ta falenderoja publikisht Bobi Milevskin për rezultatet e deritanishme, por ndryshimet po ndodhin në futboll dhe kemi një trajner të ri. Kemi arritur në përfundimin se ekipi ka nevojë për energji të re për të arritur një vend në Kupën e Botës.

Për ne, pjesëmarrja në play-off është një sukses, kishim shanse më të mira gjatë ndeshjeve kualifikuese, por kështu është futbolli, ndonjëherë sjell gëzim, ndonjëherë sjell zhgënjim. Ky ishte rezultati në Uells dhe për këtë arsye vendosëm të bënim një ndryshim", tha ai mes të tjerash.

Maqedonia e Veriut është pjesë e play-off-it të marsit 2026 dhe do kërkojë një vend në fazën finale të Kupës së Botës që zhvillohet verën që vjen. Fqinjët tanë përballen me Danimarkën dhe nëse kalojnë këtë rival, do përballen me fituesin e çiftit Çeki - Irlandë. Në përbërje të ekipit trajneri Sedloski do ketë disa futbollistë shqiptaro-maqedonas.

Sedloski është i njohur në Shqipëri pasi gjatë sezonit 2023-24 drejtoi Vllazninë e Shkodrës për disa muaj.