Përzgjedhja e teksteve shkollore më të cilat mësojnë nxënësit e arsimit parauniversitar, nga klasa e parë deri në vitin e fundit të gjimnazit, është kthyer në një betejë interesash. Një mësuese nga Berati ka denoncuar se komisionit të lëndës së historisë ku ajo bënte pjesë, i janë dashur 2 orë "luftë" për të mbrojtur tekstin që kishte zgjedhur grupi i mësuesve, nga drejtori, i cili sugjeronte një tjetër alternativë. Ajo i ka shkruar deputetes socialiste, Ledi Shamku, në rrjetin social "Facebook", ku i shpjegon, se nga të gjitha komisionet lëndore në shkollën e saj, vetëm komisioni i historisë ka kundërshtuar rekomandimin e drejtorit, duke mos pranuar librin që u ka sugjeruar drejtori, megjithëse ata janë kërcënuar me vendet e punës. "I vetmi komision, ai i historisë, nuk u dha, megjithëse ju nënshtruam një trysnie të jashtëzakonshme psikologjike. U kërcënuam me bukën e gojës, por gjithsesi nuk ja dolën. Kemi me vete të gjitha dokumentet të cilat edhe mund t'i manipulojnë. Fitoi profesionalizmi kundrejt klientelës së shtetit të së keqes", - i shkruan mësuesja nga Berati deputetes socialiste, Ledi Shamku. Teksa flet për dokumentet që mund të manipulohen, mësuesja e historisë i referohet listës së librave të porositura, listë e cila mban në fund, edhe firmat e mësuesve që kanë pranuar që libri me të cilën do të mësojnë nxënësit e shkollës së tyre do të jetë i x shtëpie botuese. Ata e kanë marrë një kopje të kësaj liste të firmosur në fund edhe nga drejtori me vete, pasi vitet e kaluara ka ndodhur që mësuesit kanë porositur libra të tjerë dhe në fillim të shtatorit u kanë ardhur librat që kanë dashur drejtuesit e arsimit dhe ajo ata që kanë kërkuar mësuesit, pasi lista e porosive është manipuluar.
Pranë çdo shkolle që prej dy javësh janë ngritur komisionet e mësuesve që përzgjedhin librat, që sipas tyre janë më cilësorët, dhe më të cilët mësojnë nxënësit e kësaj shkolle.

Alterteksti
I nisur si një reformë që do të zhdukte korrupsionin në përzgjedhjen e teksteve shkollore, alterteksti, në të vërtetë, vitet e fundit duket se vetëm sa po e thellon këtë dukuri. Herë pas here mësuesit kanë denoncuar nën zë, se si detyrohen nga drejtorët e shkollave apo edhe ata të drejtorisë arsimore të përzgjedhin libra të shtëpive botuese që janë afër interesave të tyre. Ata shkojnë pranë shkollave dhe u thonë mësuesve që duhet të zgjedhin librat e x shtëpie botuese, kur një vit më parë ata mund të kenë mësuar me librin e një tjetër shtëpie botuese. Nuk kanë munguar as rastet kur drejtuesit e arsimit, apo kryetarët e bashkive nëpër rrethe rekomandojnë që asnjë shkollë të mos zgjedhë librat e x shtëpie botuese. Në këtë mënyrë komisionet e mësuesve që ngrihen pranë çdo shkolle, për të përzgjedhur alternativat që sipas tyre janë më cilësore, detyrohen që të përzgjedhin jo tekstet që duan ata, por tekstet e shtëpive botuese që dëshirojnë drejtuesit. Ministria e Arsimit nuk pranon se ka ndërhyrje në procesin e përzgjedhjes së altertekstit nga komisionet shkollore dhe shprehet se nëse ka raste të tilla, shtëpitë botuese apo mësuesit, bëjnë mirë të ankohen në MASH që ata të mund të verifikojnë rastin.

(ek/shqiptarja.com)