Drejtoresha e Arkivit: Gabimi
i Kryeministrit për Qemal Stafën

Drejtoresha e Arkivit: Gabimi <br />i Kryeministrit për Qemal Stafën
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar që të rishkruhet historia e Luftës Nacionalçlirimtare, duke pranuar se ishte luftë vëllavrasëse. Ai ka dhënë orientimet sesi historianët duhet t’i gjykojnë të vërtetat e Historisë së Shqipërisë duke u ndalur te rezistenca e armatosur në Luftën e Dytë Botërore dhe në rreshtimin e Shqipërisë në koalicionin e majtë. Kryeministri ka theksuar se “realiteti vëllavrasës i luftës është realitet i pamohueshëm.” Pas këtij kontestimi Kryeministri Berisha kërkoi që “të pranohet roli shumë i rëndësishëm dhe vendimtar i Britanisë së Madhe në organizimin e rezistencës”. Rishikim i Historisë me direktiva të Kryeministrit ka shkaktuar debate mes historianëve të sotëm, për ata të cilët ai kërkon t’u ndërrojë rolet në histori duke u mohuar edhe kontributin si luftëtar të lirisë. Një nga këta ishte Qemal Stafa. Shumica e historianëve të pyetur dje për këtë çështje kanë menduar ta rishikojnë edhe njëherë fjalimin e Kryeministrit, sepse “nuk mund të bëhet lodra me historinë”, siç u shpreh dje historiani i njohur Pëllumb Xhufi. “Do ta studiojë atë që ka thënë Kryeministri me kujdes vonë deri në orën një të natës dhe do të kemi një intervistë ditën tjetër”, premtoi ai për “Shqiptarja.com”. Po kështu edhe historianët e njohur si Vali Duka, Paskal Milo, pohuan se kjo çështje duhet parë me shumë kujdes, dhe pastaj duhet folur. Ndërkohë Drejtoresha e Arkivit Qendror të Shtetit Nevila Nika ka sqaruar disa pika se ky synon kryeministri Berisha me rishikimin e Historisë.

Berisha kërkoi që të rishkruhet historia e Luftës Nacionalçlirimtare, madje të pranohet lufta vëllavrasëse. Si do të rishikohet Historia duke theksuar vëllavrasjen?
Kur flitet për rishikim të historisë nuk flitet për përmbysje. Prandaj Kryeministri foli që duhet pasur shumë kujdes të vihet në pah kontributi dhe ndihma e jashtëzakonshme dhe klima e jashtëzakonshme paqësore që solli Britania e Madhe gjatë luftës së Dytë Botërore për Shqipërinë dhe çështjen shqiptare. Domethënë që lëvizja u ndihmua prej Britanikëve në disa drejtime në drejtimin organizativ, në drejtimin financiar, në drejtim të armatimeve dhe gjithë kjo natyrisht ishte një kontribut indirekt i taksapaguesve anglezë, britanikëve, popullit, siç theksoi kryeministri. Duhet theksuar kontributi që bëri qeveria britanike me të dërguarit e vetë. Janë një numër i tërë të dërguarish që fillimisht kanë ndihmuar të formojnë klube nacionaliste, sepse partia komuniste lindi pak më vonë pas ‘41-shit. Kështu që Kryeministri përmendi familjen Kryeziu nga familjet me kontributet shumë të mëdha.

Si ta kuptojmë këtë “luftë vëllavrasëse të pamohueshme”. Ç’emër do t’i vëmë në histori?
Do ta kuptojmë që ka ndodhur. Që do të thotë ka pasur raste të pamotivuar që kanë ndodhur raste të tilla të vëllavrasjes në të gjitha vendet e Europës. Kryeministri nuk i përmendi vendet, por ato dihen. Në këtë pikë ajo që ka ndodhur në Shqipëri është një realitet i pamohueshëm.

Pra, do të kuptojmë që neve nuk ditëm cilin të luftonim në emër të lirisë dhe bëmë vëllavrasje?
Nuk është problemi që të themi mirë u bë, por nuk mund ta mohojmë atë që ndodhi. I huaji na vrau, por edhe ne u vramë me njëri-tjetrin. Nuk pati përmasa të mëdha, por pati raste. Sigurisht kjo nuk arriti në përmasat e luftës civile që është lufta e Spanjës. Është një dukuri që ka qenë e pranishme në të gjitha vendet e Europës, të cilat u pushtuan nga ushtritë antifashiste, por të orientimeve të ndryshme si në Itali në Francë, kudo pati edhe orientim të majtë edhe orientim nacionalist.

Mendoni se nuk kanë qenë vetë anglezët ata që na ndanë në fronte vëllavrasëse?
Problemi këtu është se Kryeministri theksoi se duhet pasur kujdes në mënyrën e të shkruarit të Historisë. Ai tha një objektiv, një orientim sesi ta shkruajmë. Ai dha vetëm një orientim, nuk është se është detyrim për ata që e shkruajnë këtë histori. Ai tha një orientim të tillë që Bill Macklin është arkitekti i Marrëveshjes së Mukjes, që do të dilet në konkluzion se britanikët bënë të pamundurën që forcat tona të majta e të djathta të merreshin vesh për një qëllim me një ideal të qartë që Shqipëria të ishte e lirë nga pushtuesit të huaj.

Në fakt arkivat tregojnë se Britanikët kanë ndihmuar tri forcat kundërshtare në Shqipëri, kanë punuar në tre plane të kundërta. Cilët ishin në të vërtetë luftëtarët e lirisë që të kuptojmë edhe kontributin e britanikëve?
Të gjithë kanë qenë luftëtarë. Britanikët ndihmuan si krahun nacionalçlirimtar edhe krahun n nacionalist edhe forcat e drejtuara nga Gjenerali Dejvis. Kjo më tepër u përket historianëve ta përcaktojnë. Të gjithë janë luftëtarë, si Kryezinjtë dhe Abaz Kupi dhe vetë Marrëveshja e Mukjes qe një përpjekje për të bashkuar me një ideal shqiptarët.

A ishte Qemal Stafa luftëtar i Lirisë, sepse Kryeministri Berisha tha: “nuk jam dakord që një stadium, një gjimnaz, një bulevard, të ketë emrin e tij”.
Jo, jo, ka një keqkuptim këtu në atë që thotë Berisha. Qemal Stafës nuk i hiqet asnjë nga kontribut.

Po stadiumit dhe gjimnazit, pse duhet t’i hiqet emri?
Qemal Stafa është aktivist i rinisë. Këtu ka një keqkuptim, sepse duke qenë se Qemal Stafa nuk ishte sportist, në fund të fundit një mendim dha, dhe unë gjykoj se do të ketë këtë lloj keqkuptimi, ndaj s’do ta ketë emrin stadiumi. Por gjimnazit jo, nuk i hiqet emri se Qemal Stafa ishte një gjimnazist i shkëlqyer. Kryeministri e hodhi fjalën vetëm për stadiumin, por jo te shkolla apo rruga që mban emrin e tij.

(dhh/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Bido denoncon: Gjikuria 'fushatë' në 2 të mëngjesit në Kuç, Gjekmarkaj fushatë me foton e Spiromilos që dogji Borshin

Bido denoncon: Gjikuria 'fushatë' në 2 të mëngjesit në Kuç, Gjekmarkaj fushatë me foton e Spiromilos që dogji Borshin