Drejtoresha e Përgjithshme për Vodafone Europe: Shqipëria, një vend me shumë potencial dhe mundësi për të përfituar nga transformimi dixhital

Drejtoresha e Përgjithshme për Vodafone Europe: Shqipëria, një vend me shumë potencial dhe mundësi për të përfituar nga transformimi dixhital

Drejtoresha e Përgjithshme për Vodafone Europe, Serpil Timuray

TIRANË-Sektori i teknologjisë dhe telekomunikacionit është vërtet kyç për zhvillimin ekonomik të vendit, e kjo u duk më qartë gjatë pandemisë, me nevojën emergjente për dixhitalizimin e çdo procesi. Një prej kompanive që po kontribuon dhe mundëson dixhitalizimin në shumë vende të botës dhe që konsiderohet si partner i suksesshëm i bizneseve dhe konsumatorëve është Vodafone Group, që prej 20 vitesh operon edhe në tregun shqiptar, si një prej investitorëve të huaj më të rëndësishëm në vend.

E ndodhur për një vizitë të shkurtër e shumë intensive pune në Tiranë, Drejtoresha e Përgjithshme për Vodafone Europe, znj. Serpil Timuray në një intervistë dhënë për 'Euronews Albania' theksoi se Shqipëria është një ndër tregjet me performancën më të mirë dhe se ka shumë potencial e mundësi për të përfituar nga transformimi dixhital. “Qeveria e vendit tuaj është shumë e fokusuar te dixhitalizimi. Ky është një mjedis pro biznesit, ndaj do të donim të luanin rolin tonë si një aktor global për të bërë ç’është e mundur që Shqipëria të përfitojë nga ekspertiza dhe eksperienca jonë, për të përshpejtuar përparimin ekonomik dhe atë të shoqërisë në përgjithësi.” – tha Drejtoresha e Përgjithshme për Vodafone Europe, duke renditur më pas tre strategji të rëndësishme të Vodafone Group në Shqipëri: ofrimin e cilësisë superiore të rrjetit, si në rrjetin e lëvizshëm, edhe atë fiks, çka do të arrihet përmes teknologjisë 5G dhe përmirësimit të teknologjisë së rrjetit fiks; transformimin dixhital, ku që tani po zbatohen aftësi dixhitale të klasit botëror në Shqipëri si dhe vazhdimi i projekteve për të zhvilluar dhe aftësuar më tej talentet e reja, çka do ta shndërronte Vodafone Albania në një inkubator të iniciativave të reja të inovacionit dhe Shqipërinë një nga tre laboratorët dixhitalë të Evropës, që do të punojë për sipërmarrjet brenda grupit.

Znj. Timuray, dimë se keni ardhur në Tiranë për një vizitë pune. Është kjo hera juaj e parë që vini në Shqipëri gjatë pandemisë?

Po, është hera e parë. Përpara pandemisë ishte një kënaqësi të vija në Shqipëri dhe të kaloja kohë me kolegët në Tiranë. Jam shumë e lumtur që kthehem sërish.

Në ç’mënyrë ka ndikuar pandemia në Vodafone Group?

Kur kjo pandemi e paprecedentë na goditi, objektivi ynë parësor ishte të siguroheshim që klientët dhe komunitetet ku operojmë të jenë të lidhur në rrjet dhe të kenë mbështetjen e duhur. Kështu që ndërtuam një plan mbështetjeje, ku kryesorja ishte që spitalet të ishin të lidhura në rrjet. Kemi mbështetur 1.5 milionë punonjës të shëndetësisë përmes fondeve dhe shërbimeve tona, si dhe iu siguruam 15 milionë njerëzve akses pa pagesë në faqe shëndeti online. Në të njëjtën kohë, iu ofruam mbështetje 5 milionë studentëve, duke iu siguruar akses pa pagesë në faqe interneti dixhitale, si dhe 4 milionë bizneseve. I gjithë ky plan mbështetjeje arrin një shifër prej 150 milionë euro dhurime në materiale, nga të cilat kanë përfituar 100 milionë njerëz. Në të njëjtën kohë, ne pamë një rritje të jashtëzakonshme të kërkesës për rrjetin tonë të internetit, ndaj përshpejtuam programet tona të investimit. Këto janë prioritetet tona, për të ndihmuar shoqërinë të përballet me krizën e pandemisë.     

Znj. Timuray, si Drejtoresha e Përgjithshme për Vodafone Europe, çfarë mendimi keni për Vodafone Albania dhe më specifikisht për tregun shqiptar, në krahasim me vende të tjera të zhvilluara evropiane? A ndjek Vodafone Albania të njëjtën strategji si kompanitë e tjera Vodafone në tregjet evropiane?

Shqipëria është një ndër tregjet tona me performancën më të mirë. Kemi bërë investime të vazhdueshme e konsistente. Jemi ndër investitorët e huaj direkt më të mëdhenj në vend. Investimet tona fokusohen kryesisht në cilësinë e rrjetit, që Vodafone të ketë rrjetin më të mirë, jo vetëm këtu, por në të gjithë botën. Dhe ka një nga rrjetet më cilësore. Bizneset në Shqipëri ndjekin strategjinë tonë si grup dhe mund të them se janë kontribuues të rëndësishëm në strategjitë e grupit tonë, në tre mënyra: së pari, do të donim që Vodafone Albania të jetë një inkubator i iniciativave të reja të inovacionit. Ky është një treg i jashtëzakonshëm mundësish, ku nga njëra anë kemi një potencial të madh talentesh dhe nga ana tjetër një rrjet të shkëlqyer dhe “etjen” për transformime teknologjike. Ndaj do të donim ta shfrytëzonim këtë realitet për të krijuar laboratorë për platforma inovacioni dhe, konkretisht, për të ndërtuar në Shqipëri një nga tre laboratorët dixhitalë të Evropës, që do të punojë për sipërmarrjet tona brenda grupit. Dhe e treta, por jo më pak e rëndësishmja, një kontribut strategjik në Shqipëri është shndërrimi i vendit tuaj në “shtëpinë tonë të talenteve”, ku nga njëra anë të rrisim talente shqiptare që mund të punojnë jashtë vendit, por edhe të sjellim talente ndërkombëtare në Shqipëri, që të mësojnë nga ky treg dhe këtë njohuri ta çojnë në tregje të tjera. Këto janë mundësitë që ne shohim këtu dhe ky është roli strategjik që Shqipëria mund të luajë për Vodafone Group.

Siç edhe jeni në dijeni, tregu i telekomunikacionit në Shqipëri ka pësuar ndryshime dhe zhvillime të vazhdueshme vitet e fundit, ku disa operatorë kanë dalë nga tregu dhe të tjerë të rinj kanë hyrë në treg. Si e shikoni konkurrencën në tregun shqiptar?

Sektori i teknologjisë dhe telekomunikacionit është vërtet kyç për zhvillimin ekonomik të vendit; sidomos gjatë pandemisë, ne pamë se si klientët u përshtatën me dixhitalizimin. Ne si industri duhet të përgatitemi për një të ardhme dixhitale që bazohet në aksesin e të gjithëve në një rrjet super të shpejtë. Që kjo të arrihet duhen bërë investime të mëdha dhe politika, ku të gjithë aktorët e tregut të bëjnë një lojë të ndershme. Ne si Vodafone e mirëpresim konkurrencën, nëse është e ndershme dhe ka një menaxhim të mirë dhe industria është e qëndrueshme. Ne si Vodafone kemi një pozicionim shumë të mirë në treg, i cili i ka themelet te rrjeti cilësor dhe talentet në burimet njerëzore.         

Së fundmi keni hyrë edhe në tregun e internetit fiks në Shqipëri, pas blerjes së ABCom dhe tani Vodafone po ofron një gamë të re shërbimesh në treg. Çfarë prisni nga ky investim dhe cili është hapi strategjik që do të ndërmarrë Vodafone Albania?

Kjo blerje ka qenë veçanërisht strategjike nga ana e Vodafone dhe në përputhje me strategjitë tona globale për t’iu ofruar klientëve shërbime të konverguara. Nëse hedhim sytë nga e ardhmja, jemi të ndërgjegjshëm se klientët kanë nevojë ta kenë teknologjinë kudo, të punojnë si në rrjetin e lëvizshëm, edhe në atë fiks. Ata do të kenë nevojë për një shërbim të kombinuar fiks e të lëvizshëm, prandaj me këtë blerje, Vodafone Albania është në gjendje t’iu ofrojë klientëve këto shërbime të konverguara. Për të ardhmen, kemi tre strategji veçanërisht të rëndësishme: e para, do të ofrojmë një cilësi rrjeti superiore, si në rrjetin e lëvizshëm, edhe atë fiks, çka do të arrihet përmes teknologjisë 5G dhe përmirësimit të teknologjisë së rrjetit fiks. I dyti është transformimi dixhital, ku që tani po zbatojmë aftësi dixhitale të klasit botëror në Shqipëri. Dhe elementi i tretë, po aq i rëndësishëm, është të vazhdojmë të zhvillojmë dhe aftësojmë më tej talentet tona.

Përveç kontributit në sektorin e teknologjisë, Vodafone është një nga kontribuesit më të mëdhenj në çështjet sociale në Shqipëri, duke iu përgjigjur në kohë emergjencave dhe duke investuar me nisma të ndryshme në mirëqenien sociale e zhvillimin e vendit. Ku mendoni se duhet të investojë më shumë Vodafone në të ardhmen, sa iu përket çështjeve sociale?

Ne si Vodafone, përfshirë Shqipërinë dhe vendet e tjera ku operojmë, kemi një qëllim të përbashkët. Ky qëllim është të ndërlidhim të gjithë, për një të ardhme më të mirë. Nisur nga qëllimi i këtij programi kemi tre prioritete: i pari është të mbështesim krijimin e një shoqërie dixhitale; i dyti, gjithëpërfshirja, që askush të mos mbetet pas, dhe i treti, të kontibuojmë në mbrojtjen e planetit. Ne kemi ndërmarrë disa iniciativa në të gjithë botën për të përmbushur këto tre prioritete. Sa i përket prioritetit të parë, për shoqëritë dixhitale, ne po zbatojmë një program për mësimin e aftësive dixhitale, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria. Së fundmi kemi lançuar një shtesë të këtij programi, me synimin për të aftësuar 16 milionë studentë të rinj me aftësitë dixhitale brenda vitit 2027. Përsa i përket prioritetit të dytë, që është gjithëpërfshirja, një ndër synimet tona më të mëdha është të mbështesim gratë, si krah pune, por edhe gratë në përgjithësi në shoqëri. Shqipëria është një shembull i mirë i iniciativave të rëndësishme që po ndërmarrim për gratë, njëra prej të cilave është dhe fushata “Hidh një h’app”, ku përmes teknologjisë iu vijmë në ndihmë grave të rrezikuara nga dhuna, veçanërisht dhuna në familje. Por po investojmë gjithashtu që gratë të jenë të spikatura në sektorin e teknologjisë e së fundmi, sapo lançuam javën e kaluar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, një aleancë të re, për të cilën jemi tejet entuziastë. “Change the face” është një aleancë ku 14 antarë po themelojnë një platformë bashkëpunimi për të nxitur diversitetin dhe gjithëpërfshirjen në sektorin e teknologjisë. Jemi krenarë që jemi themelues të kësaj nisme. Sa i përket prioritetit të tretë, atij për planetin, po ecim me shpejtësi, pasi po investojmë në rrjete ekologjike. E, njësoj si në Shqipëri, edhe rrjetet tona evropiane, duke filluar nga muaji korrik, po operojnë me burime energjie 100% të rinovueshme. Ndaj jam e lumtur që Shqipëria është një ndër shembujt tanë të përdorimit të energjisë ekologjike.

Si e shikoni Shqipërinë në udhëtimin e saj drejt aftësimit dixhital? Cili është mesazhi juaj për tregun tonë?

Mendoj se Shqipëria ka shumë potencial dhe mundësi për të përfituar nga transformimi dixhital. Në një studim të fundit që kryem në gjithë Evropën përmes think tank-ut tonë “Vodafone Institute”, iu kemi drejtuar mbi 15,000 mijë njerëzve pyetjen: “Cila duhet të jetë përparësia e qeverive për një rimëkëmbje më të shpejtë nga pandemia?”. Përgjigjja mbizotëruese ishte “transformimi dixhital”, duke treguar se këta qytetarë presin nga ne si industri, në bashkërendim me qeverinë, të punojmë në tre drejtime: e para në shërbimet publike dixhitale, e dyta, aftësitë dixhitale dhe e treta, që të gjithë të kenë akses në një rrjet ultra të shpejtë. Dhe ato shtete që do të fusin në axhendën e tyre transformimin dixhital dhe rrjetin Gigabit, do të përfitojnë më shumë. Kjo është një mundësi e mirë për Shqipërinë. Qeveria e vendit tuaj është shumë e fokusuar te dixhitalizimi. Ky është një mjedis pro biznesit, ndaj do të donim të luanin rolin tonë si një aktor global për të bërë ç’është e mundur që Shqipëria të përfitojë nga ekspertiza dhe eksperienca jonë, për të përshpejtuar përparimin ekonomik dhe atë të shoqërisë në përgjithësi.           

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Izraeli bombardon Gazën veriore! 50 të vdekur mes tyre edhe 5 mjekë

Izraeli bombardon Gazën veriore! 50 të vdekur mes tyre edhe 5 mjekë